Gomerë, shpellarë, Ed piktori, Lal zari - është përplasje qytetërimesh

Postuar në 15 Nëntor, 2018 13:59
Skerdilajd Zaimi

Nëse e shikon nga pikëpamja e përgjithshme protesta e banorëve të Astiri-it në Tiranë nuk ka shumë bazë. Kjo për arsye sepse kjo kategori qyetarësh ka në fakt një problem juridik me qeverinë. Zoti Lulzim Basha që hyn e del aty si fanti spathi ndërkohë që ka mbyllur pazarin me qeverinë, e di shumë mirë këtë. 
Por protesta është e drejtë legjitime dhe qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë zgjidhje sipas asaj që mendojnë se është më e mira. Sidomos në shtete rreckë si ky yni. 
Protesta si e tillë ka verifikuar një problem shumë serioz që qeveria dhe mazhoranca ka në përgjithësi me institucionet e demokracisë. Dhe protesta është një institucion i saj, madje kyç. Zoti Veliaj, kryebashkak i Tiranës, me gjasë i votuar edhe nga ndonjë prej këtyre që sot protestojnë i quajti ata shpellarë. 

Për atë që jeton në Tiranë e di shumë mirë se shpellarë quhen të ardhurit nga Veriu, që ndryshe thirren edhe çeçenë. Rracizmi antigeg i qytetarëve të Tiranës nuk buron në fakt nga autoktonët e Tiranës por nga një kategori njerëzish si ky Erjon Veliaj, pasardhës i jugorëve që erdhën në Tiranë me pushtetin e Enver Hoxhës. Përzierja sjell edhe ajo problemet e veta sikurse të mirat. Në Tiranë dyndja e armatosur toske prishi kohezionin social të një tradite për të imponuar standardin e vet nën nj pushtet totalitar dhe transformues. 

Dyndja gege – që quhet edhe migrim – ndodhi edhe ajo me bekimin e një pjese të pushtetit të pas vitit 1990, por duhet ta pranojmë: ajo kapi periferinë e Tiranës, duke e vetëshenjuar veten me margjinalizimin e statusit social. 

Çështja është se hierarkia sociale e Tiranës nuk pasqyron aspak hierarkinë e vlerave dhe kontributeve, pasi në të vërtetë si gegët ashtu edhe toskët kanë qenë bashkëaksionerë në Shqipëri. Tirana e prishi këtë rend për të krijuar artifica si këto me shpellarë e çeçenë, me tironsa e qytetarë, përherë nën okelion e pushtetit por jo të dallimit real qytetërimor.

Për këtë arsye një gojaçëri politike si kjo e kryebashkiakut justifikon çdo protestë, madje jo molotovët në dyert e bashkisë, por shumë më tepër. Shumë më tepër dhe me të gjitha mjetet. Pasi arrogancës mësim i jepet vetëm me mjete dhune. 
Do të falej nëse do të kishim të bënim me aksident, por kjo është mendësi. Eprori I tij, Edi Rama, pak ditë më parë i quajti gomerë grekët e funeralit të Konstandin Katsifas, pasi më parë e kishte quajtur këtë të fandaksur. 

Unë refuzoj dhe i bëj thirrje të gjithëve të refuzojnë shprehjen “na erdhi greku”. Nuk është ky populli grek, populli grek nuk është armiku ynë, është vend ku shqiptarët kanë gjetur strehë. Por ky popull ka dhe gomerët e derrat e vet. S’ka nevojë për komente të tepërta, është një ngjarje në një fshat që u mor peng nga disa njerëz qesharakë

tha Rama.

E vërteta është pak më ndryshe dhe cinike. Ata gomerët erdhën këtu e thanë çfarë deshën, duke na kujtuar ne të tjerëve se shtëpia jonë nuk ka Zot, se shtëpia jonë është han pa porta, se në krye është një grua që vetëm flet dhe kërkon sherr me komshinjtë. Ndërkohë që brenda saj, ka një grua tjetër, ndoshta edhe më të ligë, që ulëret dhe u bërtet njerëzve dhe kur ngrihen vendos policinë. Është fjala për shpellarët që sot po ndalohen me polici te dera sepse duan paratë për shtëpinë e tyre, ndërkohë që për gomerët nuk u pa asnjë polic. Kjo është Shqipëria, kjo ka qenë dhe kjo do të jetë. Një vend i marrë peng nga pisa të çdo lloji, nga qeverisje e jargëve ndaj më të fortit dhe e një prepotence harbute dhe prej xhelati ndaj më të dobëtit.  

Kjo është Shqipëria e tironsave të tipit Lali Eri dhe Edi Rama, që hedhin gurin e fshehin dorën, që përçmojnë, urrejnë, neverisin dhe duan ta kenë xhepin plot. Që duan një qytet për shokët e vet, ku të huajt të vijnë e të sajdisen në këmbim të lajkave dhe ojnave. Janë bejlurçinat e shekullit të 21-të të veshur e kullandrisur me ngjyrat e kohës sonë, por po aq micgunë dhe ziliqarë sa ata të shekujve që ikën.

Dikush mund ta shohë këtë si krizë sociale, apo defiçencë kulturore. Në fakt jo, është mënyrë jetese. Mënyra e tironsit, e atij tironsi që po t’i hapim albumin familjar do na dalë se është nipçe shelegu i dikujt, bariu, a bujku që po të ishte gjallë sot me siguri do kërkonte ta rivarrosnin.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.