Dy standardet e një ambasadori që sapo ka shkelur në Tiranë

Postuar në 13 Nëntor, 2018 15:13
Skerdilajd Zaimi

Para rreth një muaji e gjysmë, ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, bëri prezantimin e parë me publikun shqiptar në formën e një sjellje që mund të përkufizohet sipas parimit të mosndërhyrjes në punët e brendshme të Shqipërisë. Një qasje krejt tjetër nga e bezidsshmja e vetëpërkëdhelur, Romana Vlahutin e cila prononcohej thuajse për çdo gjë dhe përherë pro qeverisë. Soreca e bëri këtë prezantim në një takim me përfaqësues të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, të cilëve u bëri të qartë se:

Delegacioni, si dhe Komisioni Evropian, nuk pranojnë të shprehen në lidhje me problemet e brendshme kushtetuese dhe ligjore, pasi do tejkalonin rolin e tyre. Ashtu si për reformën në drejtësi në tërësi, edhe në rastin konkret Ambasadori mendon se vetëm institucionet lokale mund të japin një qëndrim të saktë.

Edhe kryerjen e një deklarate për të shtyrë vendime me kushtetueshmëri të dyshimtë Ambasadori e konsideron si përfshirje në çështje të brendshme.

Kështu raportoi takimin Aleanca dhe në të vërtetë Soreca na tha të gjithëve se “ne asistojmë, nuk drejtojmë”. Një gjë për t’u shënuar kjo meqenëse në fund të fundit problemet i zgjidh i zoti i shtëpisë. Mirëpo sot, në një intervistë për European Western Balkans, zotëria në fjalë duket se ka ndryshuar mendim.

Pyetjes:

Një nga pesë Prioritetet Kyç të Raportit të lartpërmendur është lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Pak ditë më parë pati arrestime dhe midis tyre ishte edhe një ish-deputet. Cilat janë sfidat kryesore që Shqipëria përball aktualisht në këtë aspekt?

Soreca i ka dhënë këtë përgjigje:

Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është prioritet kryesor i Shqipërisë në rrugën e saj drejt BE. Në javët e muajt e fundit, Ministri i Brendshëm dhe Policia e Shtetit kanë kryer operacione të rëndësishme kundër krimit të organizuar. E mirëpresim këtë, kjo është ajo çka vendet e BE presin nga Shqipëria dhe është diçka që duhet të vazhdojë. Për këtë arsye është thelbësore të kemi një Ministër të Brendshëm krejtësisht funksional që do të vazhdojë luftën kundër krimit të organizuar, për të garantuar që Shqipëria qëndron në kursin drejt Bashkimit Evropian

Shohim këtu dy standarde të këtij diplomati. Në të parin, ku mesa duket sëkëlldia e kauzës e vendoste përballë qeverisë, ai flet për mosndërhyrje në punët e brendshme. Në rastin e dytë, diplomati as që pyetet për ministrin e Brendshëm, por del tek kjo çështje me deduksionet e veta, duke marrë përsipër që të flasë në intervistë si përfaqësues i Shqipërisë, kur deklaron se cilat janë prioritetet e saj. Në të vërtetë zoti Soreca do të duhet të përdorte termin Detyrime, apo Detyra, në vend të Prioritete, pasi këto të fundit nuk i cakton ai. Nga ana tjetër nëse një ministër i Brendshëm funksional është thelbësore për luftën kundër krimit, edhe funskionalizimi imediat i Gjykatës Kushtetuese është jetik që ky shtet të mos varet nga humori i një kryeministri, apo edhe i gjithfarë diplomatësh që kalojnë këtej. Zotëria do bënte mirë të kujtohej edhe për këtë gjë meqë ka detyrën e vëzhguesit, sidomos tani që një gjë të tillë e kanë kuptuar të gjithë.

Ky “lapsus” na dëshmon se aktualisht vendi ynë, shqoqëria në tërësi ka një problem shumë serioz edhe me diplomatët e huaj që punojnë në Tiranë. Të cilët hartojnë raporte, monitorojnë, certifikojnë, flirtojnë me çdo qeveri që është në pushtet duke përcaktuar deri diku perspektivën prej nga ku shihet Shqipëria jashtë. Këta diplomatë janë bërë alibia e çdo marrëzie në Shqipëri dhe disa prej tyre, si Vlahutin apo Donald Lu, as nuk e fshihnin kënaqësinë e të qenit de facto guvernatorë. Është punë e tjetër kujt të auditojë veprimtarinë e tyre, për sa na përket është e udhës që këtë besim që u kemi deleguar për shkak të një klase politike servile ta tërheqim. Dhe sa më shpejt madje. Zoti Soreca është i fundit në radhën e gjatë të diplomatëve që flasin qesim siç thotë populli derisa të zbulohen se mbajnë vetëm një krah: atë të qeverisë. 

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Po qysh ore nuk do nderhysh ti tek ne?! Po ne u mesuam me nderhyrjet e te huajve ne problemet tona, keshtu me jugosllavet, me ruset, me kinezet (keta me pak), tashme me amerikanet, me Lu-n, me Vllan e Hutinit, biles, ta them hapur, une edhe kur i hidhja kripe gjelles, nuk e beja kete pa marre me pare mendimin e Lu-s! Ah, mos na huto tani! Nderhy dhe sa te duash! Se keshtu jemi mesuar ne!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.