SHBA kërkon Ministrinë e Brendshme "me konçesion"

Postuar në 12 Nëntor, 2018 12:43

Gazeta “Panorama” publikon sot një intervistë me të Ngarkuarën me Punë të ambasadës së SHBA-ve në Tiranë, Leyla Moses-Ones. Në mungesë të ambasadorit të ri, ambasada e ka gjetur me vend që të ndërhyjë për çështjen e ministrit të ri të Brendshëm përmes një zyrtareje që nuk I thotë gjë publikut shqiptar.

Në një nga deklarimet e veta – që  ndoshta është keqpërkthyer – Moses-Ones thotë:

Kemi nevojë për një Ministri të Brendshme plotësisht funksionale, e cila funksionon jashtë politikës për të vazhduar ecjen përpara. Presim që partnerët tanë shqiptarë të ligjzbatimit të vazhdojnë të bëjnë përparim për të mposhtur krimin e organizuar – duke arrestuar, ndjekur penalisht dhe futur bosët e krimit të organizuar në burg – dhe për t’i dhënë fund korrupsionit. Siç e thamë, Qeveria e SHBA-ve qëndron e gatshme për të vazhduar e ofruar ndihmë kudo që të jetë e mundur për t’i mbështetur këto përpjekje…Është e rëndësishme që këto aksione të Policisë të mos kufizohen te kriminelët e nivelit të ulët dhe të mesëm. Autoritetet duhet t’iu kundërvihen përfituesve të vërtetë të veprimtarisë së krimit të organizuar, pavarësisht nëse këta janë kriminelë apo zyrtarë. Kjo do të thotë ndjekje penale të bosëve të njohur të krimit, vazhdimin e hetimeve të profilit të lartë dhe në fund arrestimin e peshqve të mëdhenj si Klement Balili

Këto qëndrime kanë disa mesazhe brenda.

Së pari zyrtarja flet në vetën e parë shumës duke deklaruar se edhe ShBA ka nevojë për një Ministri të Brendshme funksionale. Me këtë rast do të ishte e udhës që të sqarohej statusi i marrëdhënieve mes të dyja vendeve në kushtet kur kjo e folur ngjan më tepër si hierarki e qendrës me periferinë. Nuk do të ishte keq që Shqipëria të konsiderohej si një nga shtetet më të reja amerikane.

Së dyti, zyrtarja amerikane i ka kujtuar qeverisë emrin e Klement Balilit të cilin kryeministri ia kujtoi edhe drejtorit të Policisë Ardi Veliu në takimin e fundit me përfaqësues të policisë. Duket se z. Rama e ka humbur bastin dhe Balili mbetet një patate e nxehtë për të dhe seriozitetin e tij në luftën kundër krimit.

Së treti, zonja Moses-Ones thotë se duhet një Ministri e Brendshme jashtë politikës. Kjo frazë mund të jetë përkthyer keq, pasi nuk ka ministri jashtë politikës dhe nuk ka politika që vendosen nga ekspertë. Ato mund të përpunohen nga ekspertë por jo që të ideohen prej tyre si prioritete. Nëse është vërtet kështu, pra nëse zonja e mendon realisht këtë, ka një problem moral.

ShBA nuk janë më në kushtet morale të apelojnë këtë lloj qasjeje, sa kohë që në zemrën e tyre sektori i sigurisë po politizohet vazhdimisht. Me ardhjen e Donald Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë, janë shkarkuër apo kanë dhënë dorëheqjen të detyruar, ish-drejtori i FBI-së, ish-këshilltari për Sigurinë dhe së fundmi edhe Prokurori i Përgjithshëm. Arsyet e përcjella nga media amerikane lidhen me hetimet për ndikimin rus në zgjedhjet e vitit 2016. Ndaj ngjan pak e sforcuar kjo qasje në Shqipëri përderisa kërkohet diçka që nuk ndodh më as në Amerikë. Vetëm nëse biem të gjithë dakord që Ministrinë e Brendshme dhe Byronë Kombëtare të Hetimtit t’i shpallim investime strategjike dhe t’i japim me konçesion të huajve me 1 euro.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.