Ministër vetëm për firmë

Postuar në 12 Nëntor, 2018 21:47

Pasi humbën betejën e argumentimit, mediat pranë pushtetit, por edhe kryeministri Edi Rama që sot tundi letra – përgjigje nga rrjetet sociale, i janë kthyer cilësive të Presidentit brenda individit Ilir Meta. Pra këto që po ndodhin me mosdekretimin e Sandër Lleshit, apo Lleshajt, lidhen me manovrat politike të Ilir Metës që është ai që është e të tjera.  Por demokracia është edhe lojë procedurash që janë garancia se instinktet personale do të mbahen të kufizuara brenda një korpusi rregullash. Për këtë arsye është e udhës që të renditen disa fakte rreth çështjes “Lleshi” apo “Lleshaj”:

1.  Mazhoranca dhe kryeministri bashkë me të ka pranuar se Presidenti i Republikës ka të drejtën e vet të refuzimit të një propozimi edhe pse në Kushtetutë nuk përkufizohet një dekret për këtë. Kjo u duk nga sjellja e sotme e kryeministrit.

2.  Zoti Sandër Lleshi/aj është kandidaturë problematike për statusin e vet juridik të pasqaruar. Nxitimi i sotshëm i tij për të kërkuar dekretimin nga Presidenti për fundin e karrierës ushtarake në fakt erdhi pas 14 kërkesave të Presidentit për Ministrinë e Mbrojtjes ku ndër të tjera kreu i shtetit ka kërkuar edhe  kopje të rekurseve në Gjykatën e Lartë të z. Lleshi dhe të Ministrisë për ankimin ndaj vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit të vitit 2017 që nxirrte në lirim z. Lleshi. Në rekurs jepen pretendimet e palëve dhe zbardhet raporti institucional mes tyre duke sqaruar edhe nëse zotëria është apo jo  ushtarak i shërbimit aktiv.

3.  Në ngarkim të zotit Sandër Lleshi ka vendime gjykatash të cilat nuk zhbëhen për nga efekti me asnjë detyrë të re as edhe ndonjë urdhër administrativ.

4.  Zoti Lleshi i është përgjigjur lojës politike të kryeministrit duke provuar se është një kukull në duart e tij. Ai u shfaq para ekranit të ERTV ende pa marrë dekretin e Presidentit dhe sot ka firmosur letër – kërkesën për presidentin në një linjë me qasjen e kryeminsitrit.

5.  Në fund, por jo nga rëndësia, z. Lleshi është ndër të rrallat raste, në mos rast unik që braktis karrierën ushtarake në kulmin e vet, të cilën e ka të sukesseshme, me gradë general, për t’u bërë ministër i Brendshëm. Është ironike të shohësh se ai përsërit modelin e dështuar të viteve ’90 të ushtarakëve që  u bënë shefa komisariatesh. Rasti i SHBA kur gjeneralët bëhen këshilltarë për Sigurinë pranë Presidentit ka tjetër model zbatimi dhe të tjera kompetenca nga Shqipëria.

Të gjithë ata që sot zotëria i sheh të “luftojnë” për të, në fakt do të duhet t’i bënin thirrje të dorëhiqej edhe në emër të atij morali të veçantë që na u proklamua prej disave se zotëria e ka. Sepse tashmë problemi politik është ezauruar, të gjithë u sqaruan se dekretimi ose jo është e drejtë ekskluzive e Presidentit dhe jo e zërit të trashë të Kryeministrit. Mbetet problemi moral. Zotëria duhet të kuptojë që është aty ku është në përdorim 24 orë në 24 dhe krejtësisht jashtë loje.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.