Në proces legalizimi për dekada. Sot pranojnë në protestë njërin prej përgjegjësve

Postuar në 09 Nëntor, 2018 13:34

Në zonën e Astirit në Tiranë po protestohet prej disa ditësh kundër prishjes së afërt të banesave apo objekteve të tjera që preken nga ndërtimi i Unazës së Madhe. Banorët thonë se do mbrojnë  shtëpitë e tyre, disa prej të cilave janë të palegalizuara.

Zona në fjalë është ndër ato që u urabanizuan më shpejt dhe pa rregull. Në këtë protest po bëhet pjesë edhe Partia Demokratike. Sot p.sh kreu i saj, Lulzim Bash aka shkuar për një takim me banorët. Të cilët ose janë militantë të PD-së, ose duan të përdoren.

Historia e objekteve që prishen në Tiranë ka pothuajse një histori: ato janë deklaruar për legalizim pranë Agjencisë së Legalizimit dhe Urbanizimit të Zonave Informale që në vitin 2005 dhe nuk kanë marrë në përgjithësi asnjë përgjigje. Të tjerat, zakonisht në pronësi të personave që kanë patur lidhje me pushtetin kanë kaluar për legalizim.

Kjo situatë është thuajse identike si në zonën ku aktualisht po protestohet, ashtu edhe zonën e Shkozës, apo në Njësinë nr. 1.

Siç shihet aplikimi për legalizim dhe vetëdeklarimi është bërë që në kohën e qeverisë së Fatos Nanos, ka vazhduar të jetë prezent gjatë qeverisjes së PD-së, gjatë së cilës z. Basha ka qenë ministër Transporti dhe vazhdon sot. Vazhdon deri pak ditë më parë, kur ALUIZNI në një shprehje të paprecedentë cinizmi u ka nisur banorëve në zonën e Astirit dhe në rrugën “Sotir Kuneshka” njoftimin se “nuk përfshihen në planin e legalizimit”.

Pra pas të paktën 13 vjetësh shqyrtimi dosjeje, kjo agjenci ka njoftuar banorët se jo vetëm nuk legalizohet banesa e tyre, por se një muaj më pas atyr do t’u prishet ajo për shkak se aty kalon një rrugë. Formalisht ALUIZNI është vënë në lëvizje me kërkesë të IMT-së ose IMKT-së, që nxjerrin si sebet projekte infrastrukturore të cilat po vihen në jetë vite më pas pasi banesat janë ndërtuar. Çka do të thotë se banorëve, të cilëve në momentin e vetëdeklarimit u është bërë preventivi për efekt të taksës së infrastrukturës,  do të duhej t’u shqyrtohej dosja dhe jepej leja ose refuzohej ajo.

Këtu po flasim për banorë që kanë ndërtuar që në vitin 1992 dhe ende nuk kanë marrë një leje legalizimi ose vendim refuzimi, por janë mbajtur në një limbo administrative krejtësisht abuzive. Në qershor të këtij viti, Avokati i Popullit publikoi një raport për shkeljet e bëra nga ALUIZNI dhe IKMT për projektin e rrugës në Shkozë gjatë procesit të prishjes së banesave. Nëse lexon raportin kuptohet fare qartë se synimi i qeverisë është të ulë kostot e kompensimit, por mbi një bazë dokumentare që është prodhuar në mënyrë shumë arbitrare. Ka banesa të legalizuara që do të dëmshpërblehen edhe për godinën dhe truallin, ka të tjerë, të cilëve nuk u njihet asnjë vlerë për godinën.

Nga kjo pikëpamje, banorët që sot protestojnë paguajnë faturën e padijes së tyre, por edhe të qeverisjes së PD-së dhe PS-së. Ndaj që të mos përdoren në vijimësi e mira e punës është që të largojnë nga protesta njerëz si Lulzim Basha, apo të mos pranojnë takime me deputetë të PS-së, por të vazhdojnë vetë protestën dhe të ndjekin rrugën gjyqësore. Ashtu siç rekomandon Avokati i Popullit, sepse shkeljet janë me të vërtetë shumë të mëdha. Është koha që teatri i liderëve si ky Lulzim Basha apo ai tjetri, Edi Rama, që dalin lart e poshtë me tapi në dorë dhe premtime në gojë, të bojkotohen sepse minimum as kanë lëvizur gishtin për të dhënë zgjidhje një problemi serioz si ky. Mund të mos jesh dakord me legalizimin, por në momentin që ai është sanksionuar në ligj, është detyrim zbatimi i tij. Jo zbatimi për disa dhe të tjerë Jo.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.