Një krizë që reflekon edhe shndërrimin e PS-së

Postuar në 06 Nëntor, 2018 00:28

Shqipëria po konsumon një krizë në qeverisjen e vendit, me ministra që ikin pa thënë pse dhe të tjerë që nuk hyjnë dot në qeveri. Mund të ketë shumë mënyra për ta shpjeguar këtë krizë, e cila është simptomë. Simptomë e keqqeverisjes, e fazës degraduese të pushtetit, por edhe e asaj që është shndërruar Partia Socialiste. 

Kush e kujton PS-në e para vitit 2005, me siguri mban mend edhe një institucion të brendshëm të saj që quhej Komisioni i Garancive Statutore. I cili ka shqyrtuar çështje të nivelit politik që në asnjë parti tjetër nuk ka ndodhur. Ky komision quhej për shkurtesë, Gjykata Kushtetuese e PS-së. Berisha tallej me kreun e këtij komisioni dhe idhtarët e tij më të iluminuar mbroheshin me argumentin se partitë e djathta tubohen rreth liderit. Se çfarë e djathte është PD-ja dhe se çfarë e majte është PS-ja, kjo është një tjetër temë, ndonëse këtu rotacioni në role është i kapshëm. Ajo që duhet qëmtuar në krizën e sotme si krizë e vendimmarrjes, është se ajo ka qenë e brendashkruar këtij rrugëtimi dekonstruktiv që nisi dhe mëkoi z. Rama. PS-ja e sotme është imazh i kryetarit të vet, në mënyrën si hesht për çdo gjë, si gëlltit shumëçka, se cilët bëjnë karrierë e cilët jo, për mënyrën sesi promovohet njëri apo tjetri me lejen e Endri Fugës, që fitoi një lloj pushteti të çuditshëm që askush më parë nuk e ka patur në atë parti.

Shembulli me KGS-në është më i lehti për të kuptuar metamorfozën e kësaj partie që dikur mburrej me debatin e brendshëm. Nuk mund të bësh përgjegjës vetëm Edi Ramën për këtë nekrotizim kapilar, por ai padyshim që ka vulën e shtytësit kryesor.

Kur thuhet që është krizë vendimmarrëse kjo ka të bëjë edhe me faktin se kryeministri i vendit thjesht njofton për kortezi Grupin Parlamentar të partisë së tij, duke respektuar vetëm koninkturën ekonomike të atyre që janë krah apo përballë tij. Partia e miliarderëve siç është quajtur shpesh është larguar shumë nga modeli i dikurshëm, ndaj të cilit sot ka një distancë të theksuar evolutive, por drejt një regresi që nuk mund të imagjinohej. Z. Rama gjeti një parti në të cilën mund ta kultivonte më mirë demokracinë, si i ardhur nga Perëndimi që ishte. Në fakt bëri të kundërtën. Me intuitë kuptoi se ajo demokraci nuk ishte diçka origjinale, por ishte një demokraci burokratike të cilën ia adaptoi sintaksës së imagjinatës së vet politike. Që është për hir të së vërtetës e thjeshtë: Këtu vendos vetëm Unë.

Dhe këtu kujtesa vlen sërish: një ndër veprimet e para të tijat si kryetar ishte ndalimi i pyetjeve në konferenca shtypi dhe disiplina e deputetëve për të mos folur me shtypin. Kujtoni mesazhin e fundit të zotërisë tani që është edhe shahist i mbaruar: Mos flisni! Asnjë koment. Fjala është ekskluzivitet i Kryetarit. Debati është zhurmë. Këto parime qeverisin sot Shqipërinë, kuptohet pa shtrëngimet që heqin socialistët gojëkyçur. Të cilët kanë tregëtuar heshtjen e tyre, me privilegje të mëdha duke u natyralizuar në këtë situatë të re që po e vendos vendin në një stres depresiv atipik për shkak se Kryetari projektohet me të gjithë karakterin e vet në vendimmarrje.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.