Krimi si establishment

Postuar në 05 Nëntor, 2018 11:46

Nëse lexon mediat serbe mund të krijohet ideja se Kosova është çështje jete apo vdekje për Beogradin zyrtar. Nuk ka një vizitë, takim, apo deklaratë të zyrtarëve serbë që të mos përfshijë Kosovën si problem ndërkombëtar të pazgjidhur, si precedent negativ, si goditje ndaj të drejtës ndërkombëtare apo si emergjencë ballkanike. 
Së fundmi, dy lajme janë ngjitur në faqet e parë: që Komonuelthi Domenikan, nëse jemi të saktë me emrin, një shtet në Karaibe ka tërhequr njohjen për Kosovën. Kjo u bë e ditur nga i përditshmi i medias serbe, ministri i Jashtëm, Ivica Daçiç, i cili në mënyrë skenike ka shtuar se Serbia kërkon të thellojë bashkëpunimin me këtë shtet!!!

Lajmi i dytë është më i rëndësishëm se i pari dhe ka të bëjë me përfshirjen e Kosovës, që e ashtuquajtura media liberale, B92, e quan Provinca Jugore e Serbisë, në axhendën e diskutimeve të Këshillit të Sigurimit. Media në fjalë referon sërish Daçiç që i është mirënjohës Kinës, që drejton aktualisht Këshillin, e cila vendosi për rendin e punimeve të datës 14 nëntor. Vendi që ka kundërshtuar më shumë këtë procedurë është Britania e Madhe, ndërkohë që në mbrojtje të ekuilibrit të vendosur me luftën e vitit 1999 ka dalë edhe Gjermania. 

Këto lëvizje që hidhen thuajse përditë në qarkullim mediatik priren të krijojnë idenë se Prishtina zyrtare e ka shumë të kufizuar marzhin e veprimit dhe se në këto kushte kur edhe dialogu i mbikëqyrur nga BE nuk po jep rezultate, skenari I ndarjes apo korrigjimit të kufijve është objektiv dhe madje maksimalist për interesat shqiptare. Nëse kjo narrativë do të batohet në këtë drejtim, atëherë heroi i zhvillimeve do të jetë Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, që ka marrë përsipër të mbrojë idenë e korrigjimit kufitar. Pa thënë dhe pa sqaruar se çfarë do të thotë kjo konkretisht. 

Në të vërtetë situata ka ndryshuar dhe për këtë nuk janë përgjegjës shqiptarët. Ka ndryshuar me ardhjen në Shtëpinë e Bardhë të Donald Trump, i cili pavarësisht se thotë “Amerika e Para”, në politikën e jashtme po prodhon shumë konfuzion duke lëshuar njëra pas tjetrës zona ndikimi që i analizon si financiarisht pa interes. Siria është rasti më i qartë, Ballkani pason në listë për të mbajtur thuajse qëndrim indiferent edhe ndaj shkërmoqjes eventuale të BE-së. 

Vakuumi i autoritetit që prodhon kjo tërheqje e ShBA-së nxjerr në dritë të keqe politikën e jashtme të botës shqiptare e cila me tri qendrat e veta politike, të njohura në arenën ndërkombëtare, nuk arrin të imponohet dot si faktor në zhvillimet që po ndodhin para syve tanë. 
Liderët kosovarë përsërisin deri në mërzi se Kosova do të jetë përjetë me ShBA-në, por kjo dogmë retorike nuk i jep përgjigje situatës kur ShBA nuk ka interes për Kosovën. Apo e bën atë plaçkë. Aderimi në organizata kolektive apo atashimi ndaj aktorëve të mëdhenj është zgjidhje jo e keqe, por varësia duhet të jetë reciproke. 

Për të arritur në këtë pikë është i domosdoshëm serioziteti i shtetit që ka lidhje organike me strukturën e pushtetit/ve. Në botën shqiptare shteti është nocion që luftohet në favor të pushteteve që flirtojnë dhe ushqehen nga krimi. Dhe krimi krijon një koniunkturë fatale, sepse në vend të një marrëdhënieje që respekton hierarkinë e më të madhit preferon vasalitetin ndaj të madhit në këmbim të mbrojtjes personale. Kjo ndodh edhe në Shqipëri ku ka liderë që shesin për politikë të madhe fotot në kancelari të ndryshme, ndërkohë që askush nuk e merr seriozisht Shqipërinë. 

Anullimi i vizitës së Netanyahut pas refuzimit që disa drejtues të shteteve ballkanike për të zhvilluar një samit rajonal në Tiranë, është një nga sinjalet se në rajon askush nuk konsideron faktorin shqiptar të paktën në këtë përfaqësim politik që ka sot. As biznesi i huaj nuk investon seriozisht në botën shqiptare, që jo vetëm është e dominuar nga krimi, por vuan edhe për kualifikimin e fuqisë punëtore. Elita që drejton sot anembanë arealit shqiptar po ndrydh të gjitha energjitë e kombit jo për ndonjë axhendë të strukturuar, apo konspiracion, por për shkak se çelës i fuqisë dhe jetëgjatësisë së saj është krimi dhe ekonomia bazuar në krim. Perceptimi për sukseset e shqiptarëve në trafiqet ndërkombëtare është i gabuar sa kohë nuk merr në konsideratë se në fund të fundit ky është pazari që këta liderë kanë negociuuar me ata që vendosin.

Dhe pasojë direkte e kësaj politike është emigrimi masiv, anlafabetizmi funksional, një lloj nacionalizmi vanitoz dhe fjalaman dhe shkërmoqja e pandalshme e çdo vlere. Krimi po zëvendëson autoritetin e shtetit mes shqiptarëve, ai është në prag të legjitimit në këtë pozicion të ri. Në Shqipëri madje krimi delegon pushtet brenda në Parlament, ai kontrollon territore dhe imponohet në vendimmarrje. E njëjta gjë ndodh edhe në Kosovë. 

Nuk është e vështirë për një shtet si Serbia që propagandën e ka pjesë të strategjisë së vet që të legjitimohet në çdo ankesë dhe skenar, që të supozojë dhe hamendësojë kriza etnike në eventualitetin e një shteti të Kosovës të njohur ndërkombëtarisht.

Për këto arsye e gjithë bota shqiptare ndodhet para sfidës së madhe të nevojës jetike për të luftuar strukturën ekonomike ku ushqehet vetë, prehërin e krimit që ka arritur deri në pikën sa ka zëvendësuar modelet sociale. Kriza e gjithanshme, që manifestohet sidomos në arsim, ka reflekse afatgjata dhe vendos në gjendje barazimi establishmentin që votohet rregullisht me krimin që financon duke cenuar edhe parimin e përfaqësimit. Është trishtuese të shohësh sesi ky lloj pushteti ruan kontrollin për një kohë kaq të gjatë, duke arritur madje të shesë moderacionin në rajon si atu të një politike të re, ndërkohë që gremina sociale dhe ekonomike ku po zhyt shoqërinë është një ndër aktet më radikale dhe destruktive që një shoqëri mund të tolerojë. 

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.