Aksidenti i Gjykatës Kushtetuese shpjegon pushtetin e Presidentit

Postuar në 05 Nëntor, 2018 18:46

Cili është dimensioni personal i krizës së sotme mes Presidentit të Republikës dhe Kryeministrit? Është një pyetje që mund t’u përgjigjet deri diku spekullimeve të ditës së sotme se Presidenti po bën politikë në vend se të përfaqësojë tjetër gjë. Pra unitetin.

Në fakt çdo akt ka brenda diçka të natyrës politike. Por kur flasim në kuptimin e politikës që injoron  kontekstin institucional atëherë po që ka diçka shqetësuese.

Në rastin e z. Meta loja personale e tij lidhet ngushtësisht me një nga aksidentet e shumta të të ashtuquaturës reformë në drejtësi e që në fakt rezultoi në formë origjinale e tranzicionit të gjyqësorit drejt diçkaje krejt të panjohur. Ky aksident është paralizimi i Gjykatës Kushtetuese.

Dikush sot bërtet me të madhe se Presidenti ka shkelur Kushtetutën. Se ai nuk ka tagër të refuzojë dekretimin e një ministri. Në të vërtetë, po të lexosh Kushtetutën Presidentit nuk i ndalohet refuzimi, atij i caktohet kompetenca e dekretimit. E vetmja situatë ku dekretimi është shprehur në formë thuajse urdhërore është momenti i mocionit në Parlament.

Nga ana tjetër akte të tilla nuk shkëputen dot nga konteskti politik, prandaj edhe akuza se Meta po bën politikë është diçka kontradiktore. Ka shumë që ankohen se kështu Presidenti po krijon një precedent. Kjo nuk është e vërtetë, për dy arsye:

së pari, Presidenti ka kundërshtuar vetëm një Kandidaturë kundrejt gatishmërisë për të informuar Kuvendin në çdo kohë. Pra ai deklaron se i ka arsyet për këtë dhe në gjë të tillë la të kuptonte dje edhe Kryeministria kur u shpreh pas takimit Rama-Meta se “takimi ishte konstruktiv”. Pra ne nuk e dimë nëse Meta do ta bënte një gjë të tillë me një emër tjetër pasi ka refuzuar të parin, por në çdo rast një gjë e tillë do të ishte shumë e vështirë pasi do të ngushtonte hapësirën e mirëkuptimit publik në këtë kuptim.

Së dyti, aktet e kreut të shtetit ankimohen në Gjykatë Kushtetuese ndërkohë që qeveria mund të vijojë me zv.ministër. Dhe një president nuk mund të luajë në këtë formë kur e di se aktet e tij do rrëzohen dhe me gjasë mund të krijojnë kushtet e nisjes së procedurës së shkarkimit.

Siç shihet loja personale e z. Meta është e harmonizuar me realitetin e neutralizimit të Gjykatës Kushtetuese dhe për këtë ka vetëm një përgjegjës. Këtu nuk është çështja të përkrahësh këtë sjellje, por presidenti teksa ka provokuar pështjellim politik, nuk ka konsumuar asgjë përtej kompetencave të tij. Ose më mirë: nuk ka konsumuar asnjë akt, flagranca e të cilit të jetë e tillë sa të mos kemi nevojë për një gjykim të specializuar kushtetues. Presidenti i Republikës nuk është zyrë protokolli, por një kapitull i Kushtetutës. Ai është një ndër pushtetet dhe si i tillë, pra si instancë ai ka të drejtën dhe tagrin e refuzimit.

Po loja personale e z. Rama cila është? Atë është e vështirë ta kuptosh meqenëse kemi të bëjmë me një politikan shahist. Por mënyra e veprimit të zotërisë mund të interpretohet. Zoti Rama ka një problem të vjetër me Gjykatën si instancë. Kjo u dëshmua që në zgjedhjet e vitit 2009 kur ai iu shmang deri në fund shqyrtimit nga Gjykata të kërkesës së vet për zgjedhjet.

Zoti Rama, siç u mor vesh së fundmi, lobonte që edhe GJykata e Strasburgut të mos ndërhynte me vendime ndaj masave të qeverisë së tij për pronat, ndërkohë që edhe faturën prej 13 milionë që na dha të gjithëve për prishjen e pallatit në Vlorë e gjeneroi për shkak të shkelje së procedurave.

Loja më e dukshme Kryeministrit është se ai nuk do më një pjesëtar të partisë së tij në Ministrinë e Brendshme dhe kjo është një ndër fyerjet më të mëdha që mund t’i bëhet një partie, e cila nëse akuzat e kundërshtarëve mund t’i administrojë si politikë e ditës, sjelljen e kryetarit të vet nuk ka si ta lexojë veçse si pranim publik të këtyre akuzave si të vërteta. Ai nuk do dikë që nuk e kontrollon dot në një ministri që e ka bërë me dhimbje koke në dy mandate. Dhe kjo është një lojë që në thelb kërkon të zgjerojë pushtetin e tij në terren.

Por a mund të shkëputet një sjellje e tij nga gjykimi dhe analiza publike? A mundet që aktet institucionale të jenë të verbër përkundrejt dinamikës së zhvillimeve politike? Me siguri që Jo, përderisa përvoja mëson se çdo përkufizim juridik, sado i saktë dhe konçiz të jetë, toleron interpretime.

Z. Rama luan edhe një lojë tjetër, në media kryesisht, atë të shantazhit. Sot një prej ish-deputetëve të PS-së, Alfred Peza shkruante se nisma për shkarkimin e Presidentit nuk është në diskutim. Në fakt një gjë e tillë nuk mund të ndodhë, pikërisht për shkak të po asaj Gjykate Kushtetuese që sot mungon. Shantazhi në këtë mënyrë, pra retorik, thjesht ul autoritetin e kryeministrit që autorizon kësi qëndrimesh.

Në fund, njësoj si për projektligjin për Teatrin, mungesa e Gjykatës Kushtetuese, i ka mundësuar kreut të Shtetit që të përdorë diskrecionin e pushtetit që përfaqëson për të shtrënguar dorën me nisma dhe akte që janë shumë të diskutueshëm. Edhe sot që flasim, arsyetimi i Presidentit në kthimin e ligjit për Teatrin është më bindës sesa arsyetimi i qeverisë për prishjen e Teatrit. Ky është vetëm njëri rast. Mund të ketë edhe të tjerë. Dhe deri sa Gjykata Kushtetuese të ringjallet si Llazari kjo është një lojë nervash, në kufijtë e Kushtetutës. Ndaj ata që duan qeverisjen mirë është të vënë në dukje lajthitjet, kurse ata që duan t’i japin një të shtyrë të fundit Edi Ramës le t’i bëjnë hosana! Për qytetarët është më mirë një President që është përballë qeverisë sesa në krah të saj.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.