I vetmi iluzion është Gjenerali i refuzuar nga Komandanti

Postuar në 03 Nëntor, 2018 22:49

Po bëhet zhurmë e madhe – pakicat janë të zhurmshme thotë kryebashkiaku Veliaj – se pse Ilir Meta, president i Republikës nuk dekreton emërimin në detyrë të Sandër Lleshit si ministër të Brendshëm.

Ca thonë se Meta po rrëshket, ca të tjerë se po bën Pazar, e ca të tjerë se po shkel Kushtetutën. Po të heqim këtë të fundit që kërkon interpretim, dy të tjerat pranohen. Por kush nuk e bën këtë në politikë? P.sh Bamir Topi që sot është kanakar i mediave të majta dhe pushtetit, e nisi presidencën me një Pazar: shiti dhe dekretoi largimin e Theodhori Sollakut si Prokuror i Përgjithshëm. Por lista e shembujve nuk çon gjëkundi.

Ndaj argumenti i shkeljeve kushtetuese ka më shumë vlerë. A e ka shkelur Kushtetutën Ilir Meta? Po të shohësh Kushtetutën tonë ajo i jep hapësirë shumë të madhe kreut të shtetit, duke nisur që nga fakti se “Presidenti i Republikës nuk ka përgjegjësi për aktet e kryera në ushtrim të detyrës së tij”(neni 90), e deri te fakti se ai formalisht emëron në detyrë Kryeministrin(neni 96). Më tej akoma, në nenin 98, parashikohet se ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti I Republikës, me propozim të Kryeministrit.

Nga kjo pikëpamje është e paqartë se çfarë ka shkelur kreu i shtetit në mosemërimin e Sandër Lleshit si ministër i Brendshëm, ndërkohë që dekreti është akt ekskluziv i Presidentit, bazuar në Kushtetutë dhe në gjykimin e rrethanave të një çështjeje.

Janë të kota edhe aludimet që Presidenti të shkarkohet nga Kuvendi, pasi formalisht këtë gjë e kryen Gjykata Kushtetuese e cila sot nuk funksionon pasi është e paralizuar nga reforma në drejtësi.

Kjo situatë juridike ku qeveria e z. Rama nuk di të notojë mirë detyron bashkëjetesën politike dhe institucionale, edhe pse na duhet të pranojmë se nëse Ilir Meta po luan pazarin e vet përkundrejt qeverisë, kemi lajmin e mirë se atij ky Pazar nuk po i ecën.

Ndaj rëndësi këtu kanë dy çështje: së pari për cilën arsye, të paktën për kreun e SHISH, kreu i qeverisë nuk kërkon një kandidaturë tjetër, kur duket se ka refuzimin e presidentit? SHISH është institucion me varësi të dyfishtë dhe këtu duhet kuptuar edhe “kokfortësia” e Ilir Metës edhe pse arsyet e vërteta mund të jenë krejt të tjera dhe madje banale.

E dyta është sjellja e Sandër Lleshit, kandidatit për ministër të Brendëshëm. Që në momentin kur u propozua u mor vesh se Edi Rama po dëshiron të jetë vetë në detyrën që deri pak kohë më parë e kishte Fatmir Xhafaj. Kjo sepse Lleshi është një këshilltar, që nuk ka peshë politike. Ai nuk i ka dhënë dot përgjigje pyetjes djegëse për kanabizimin e vendit, ndërkohë që përlëvdatat e nxehta për të në media, si një ushtarak i nderuar, si gjeneral i përgatitur, si njeri i formuar etj., janë përgënjeshtruar nga sjellja e po vetë z. Lleshi.

Zotëria është gjeneral dhe ai formalisht është në varësi direkte nga Presidenti i Republikës që është Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Z. Lleshi po merr një refuzim direkt nga Komandanti i tij dhe në vend se të tërhiqej me dinjitet, po rri në listë pritjeje për të filluar qoftë punë edhe si zv.ministër apo ministër i komanduar. Ky lloj problemi nuk është i vogël, sepse po flasim për një investim moral në një ministri të diskredituar. Nuk ka asnjë iluzion se kush është Ilir Meta dhe për çfarë po bën këto që po bën; iluzioni i vetëm në këtë histori, për ata që e kishin, apo që blenë rrugës, është Sandër Lleshi dhe figura e tij. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.