Incidenti i panevojshëm i Bularatit dhe kompleksiteti i tij

Postuar në 29 Tetor, 2018 23:34
Jordan Jorgji - Universiteti “Fan Noli”, Korçë

Vetëm pak muaj pas dakordësimit të qeverisë shqiptare dhe asaj greke për zgjidhjen e pjesës më të madhe të problemeve dypalëshe situata u tensionua nga ngjarja e Bularatit. Çdo ditë po bëhet mëse e dukshme se fërkimet dhe tensionet përbëjnë rregullin kryesor në marrëdhëniet shqiptaro-greke, ndërsa përpjekjet e pakta në numër për t’i futur këto dy vende në rrugën e bashkëpunimit të gjerë e afatgjatë janë të brishta dhe për fat të keq gjerësisht të papranueshme.

Nëse do të merremi me ngjarjen në vetvete – e cila nuk mund të jetë tërësisht e shterueshme, por duhet të trajtohet në shumë dimensione – ajo ishte diçka që mund të ishte shmangur me kujdes nga policia shqiptare. Për një vend demokratik është gjerësisht e dënueshme mënyra se si reagoi viktima - minoritar, i cili i armatosur shkeli ligjin shqiptar – dhe të çdo vendi në përgjithësi – mbi rendin publik dhe përdhosi simbolet e sovranitetit kombëtar. Megjithatë, pala shqiptare – dhe këtu nuk kam në mend vetëm policinë – kishte mundësinë të vendoste situatën më mirë në peshore, duke shmangur kështu zgjidhjet e shpejta e me impakt kompleks social-politik. Më qartë, shterimi i çdo mjeti negociues me qëllim dorëzimin e shkelësit të ligjit përpara policisë jo vetëm që do të shmangte fërkimet endogjene të shoqërisë shqiptare dhe ato ndërshtetërore, por do të tregonte profesionalizëm në zbatimin e ligjit tek një vend demokratik, ashtu siç aspiron të jetë Shqipëria.

Aspekti i dytë që dëshiroj të prek është ai mediatik. Ashtu siç ka ndodhur në të kaluarën me situata që lidhen me Shqiptarë e Grekë, edhe këtë radhë media në të dy anët e kufirit tejçoi tek opinioni publik dhe politikë-bërësit respektivë dy anë të kundërta të së njëjtës ngjarje por me impakt të gjerë social-politik. Media shqiptare e trajtoi protagonistin – e më pas viktimën – si ekstremist, përhapës të terrorit në fshat, të huaj, e madje dolën dhe persona publikë që nxituan ta lidhnin personin me qarqe zyrtare dhe jo zyrtare të Greqisë, si ushtria apo partia e ekstremit të djathtë ‘Agimi i Artë’. Nga ana tjetër, pena, mikrofoni dhe ekrani në Greqi e konsideruan vdekjen e viktimës si ekzekutim të ftohtë të një ‘patrioti’ që u përpoq të mbronte flamurin kombëtar. Kështu, dashur pa dashur u përplasën dy prej keqkuptimeve më kryesore në marrëdhëniet komplekse shqiptaro-greke: nga njëra anë frika e Shqiptarëve për copëtimin e Shqipërisë dhe marrjen e ‘Vorio Epirit’ nga Grekët, dhe nja tjetër frika e Grekëve se Shqiptarët shtypin të drejtat e minoritetit etnik Grek. Pra, u përplas frika e ekstremizmit me frikën për mbrojtjen e flamurit.

Aspekti i tretë lidhet me shpërthimin e ndjenjave të urrejtjes masive tek një pjesë e madhe e opinionit publik tek të dy vendet si reagim ndaj ngjarjes. Konkretisht, komentet shqiptare në rrjetet sociale, të cilat nuk nguruan të drejtojnë virtualisht shënjestrën e armës ndaj cilitdo ‘renegati’ Grek, u pasuan nga protesta e një pjese qytetarësh Grekë pranë Ambasadës Shqiptare në Athinë ku u hodhën parulla fyese ndaj të gjithë Shqiptarëve. Është jashtëzakonisht e lehtë që një keqkuptim i vogël, i madh, real, ose i shpikur në marrëdhëniet dypalëshe të ngrejë peshë ndjenjat e krenarisë dhe urrejtjes në të dy anët e kufirit dhe si rezultat të përdoret nga qarqet nacionaliste respektive. Këto të fundit nuk e kanë fare të vështirë të përdorin etiketa denigruese e përgjithësuese për palën tjetër, duke shfrytëzuar mos-dijen e qytetarit të thjeshtë Grek e Shqiptar mbi aspektet dhe dinamikën ekzistente tek dy të vendet e popujt. Mjafton t’u hedhësh një sy komenteve në rrjetet sociale për të konstatuar se në mënyrë të gabuar Shqiptarët etiketohen në Greqi si njerëz të pabesë, të cilët ‘të vrasin natën e të qajnë ditën’. Gjithashtu, në mënyrë të gabuar minoriteti Grek në Shqipëri perceptohet si inekzistent, si Shqiptarë tradhtarë të shitur për 300 Euro e gjakprishur. Vazhdimësia e kësaj gjuhe urrejtjeje garantohet nga mungesa e analizave të ftohta mbi problematikën e marrëdhënieve dypalëshe, qoftë në nivelin ndërshtetëror, dhe kryesisht në nivelin e jetesës dhe kontakteve të përditshme.

Në vazhdim, aspekti i katërt lidhet me perspektivën e këtyre marrëdhënieve me qëllim reduktimin e tensioneve që ekzistojnë në kontaktet ndër-etnike. Kështu, në vend që protagonisti i ngjarjes së Bularatit të trajtohej mediatikisht e politikisht si terrorist, ai duhej të shihej si pjesë e shoqërisë së Bularatit dhe e shoqërisë shqiptare në përgjithësi. Më shumë sesa vetë ngjarja, duhet të studiohen me kujdes shkaqet, të cilat në mikro-nivelin e shoqërisë e çuan viktimën në marrjen e një akti të dënueshëm urrejtjeje ndaj autoriteteve shqiptare. Duhet të shihet nëse akti i viktimës ishte një veprim i izoluar apo përfaqësonte një produkt të asaj shoqërie në lidhje me Shqiptarët dhe autoritetet e shtetit Shqiptar. Sido që të jetë, lind nevoja që shteti shqiptar të ndërmarrë politika gjithëpërfshirëse – jo asimiluese – në lidhje me minoritetet, me qëllim që anëtarët e minoritetit Grek të mos e shohin veten e tyre në kundërshtim me të qenit qytetar shqiptar. Ka ardhur koha që miti (miti nuk është detyrimisht gënjeshtër) i favorizimit të minoritetit grek në kohën e Enverit apo dhe pas vitit 1990 të zëvendësohet me politika reale në terren, me karakter integrues në sektorin e arsimit, shëndetësisë, policisë e pushtetit lokal. Ekzistenca e një ministri apo zëvendësministri nga partitë e minoritetit nuk do të thotë se çdo gjë shkon vaj. Nuk është fjala për më shumë pozicione, por për politika cilësore gjithëpërfshirëse.

Gjithsesi, ishte e panevojshme që ritualit të përvitshëm të luftës Greko-Italiane të 28 Tetorit – ritual që njihet ndryshe edhe si ‘Eposi Shqiptar’ – t’i dhurohej një ‘hero’ i cili këtë herë, me shumë gjasa, do të përforcojë mitin e armiqësisë Greko-Shqiptare.

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Mire e ke ti, qe nuk eshte nevoja te kalohet ne denigrime dhe ofendime, keshtu te perkeqsohen pergjithsisht mardheniet midis dy vendeve e tu fryhet urave te zjarrit. Mirpo ka nje pjese njerezish hajdute, drogaxhinj, shites femrash, te njemije e nje te zezave, te cilet pikerisht permjet ketyre rasteve perpiqen te rregullojne biografite e tyre duke u hequr si patriote.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.