Përplasja e dhunshme si axhendë politike

Postuar në 26 Tetor, 2018 12:15

Tashmë është e dukshme se qeverisja e z. Rama në aspektin politik është përqendruar te diversion reciprok me opozitën. Me një lëvizje të shpejtë, kryeministri ka neutralizuar për momentin kauzën anti-krim dhe antimafia të opozitës, e cila u vu në krye të një beteje që duket se sikletosi shumë qeverinë dhe mazhorancën. Lista e njerëzve të pushtetit, apo të afërt me të që po dalin me probleme penale, rekorde kriminale dhe që kanë kontakte të afërta me njerëz të krimit, duke se nuk mbaron. 

E megjithatë, kryeministri po godet mediat, likujdoi tregun e lojërave të fatit, vazhdon me vettingun në drejtësi dhe po përgatitet për zgjedhjet lokale. Në kushtet kur ai po kërkon përballjen elektorale, që anon deri më tani në krahuan e tij, për shkak të dobësisë së opozitës, kjo e fundit ka nxjerrë nga sirtari kartën e revolucionit, rebelimit, mosbindjes, e deri kryengritjes. Kori i njerëzve të saj po përmend përherë e më shumë largimin e Edi Ramës si kushtë për çdo ulje tensioni, shenjë kjo se kryeministri aktual nuk po pranon më pazare të reja. Dhe refuzimi i pazarit, e ngushton perspektivën politike që bashkë me kompromentimin e vetë opozitës, rrezikon të çojë në asgjësim. 
Por acarimi i opozitës, apo një pjese të saj, ka disa arsye që vihen në lidhje deduktive me disa zhvillime të fundit.

Goditja në sistemin e drejtësisë nuk tronditi vetëm disa ekuilibra, ajo në fakt dha një mesazh të parë për shumëkënd se Sali Berisha si garant i këtij pushteti, nuk ishte më i tillë. Akuza se Edi Rama po kap drejtësinë e bën edhe më të besueshme këtë tezë dhe në fakt i jep të drejtë pohimit të mësipërm se dominimi i sistemit gjyqësor nga Berisha po shkon drejt fundit. 

Kryeminstri Rama mori disa goditje jo të vogla me dekriminalizimin që nxori jashtë Parlamentit njerëz të terrenit, me ndikim në territor e çka ka më shumë rëndësi që i kishin hequr PD-së dhe Berishës zona në Veri. Kjo është një përmbysje nga normaliteti politik që e mban vendin të ndarë në dy domene. 

Nga ana e vet, z. Rama nuk ka harruar për asnjë çast të asociojë goditjen ndaj trafiqeve si një goditje ndaj lidhjeve të PD-së me grupe të krimit. Z. Rama e bëri shumë të qartë këtë gjë në rastin e kapjes së kokainës në Maminas, ndërkohë që la të kuptohet një gjë të tillë edhe për kapjen e herorinës në Has. 

E thjeshtuar kjo skemë ndërveprimi të dhunshëm ofron një shpjegim: të dyja partitë po ndeshen aty ku qëndron edhe struktura ekonomike e secilës. 
Ndoshta goditja më e madhe që është dhënë është ajo ndaj industrisë së lojërave të fatit. Me një të rënë të lapsit dhe pa pyetur për pasojat e mundshme ligjore, kryeministri vendosi dhe imponoi mbylljen e tyre brenda 1 janarit 2019. PD-ja dhe Lulzim Basha që kishin hapur debatin për to, duke bërë lidhjet e shkurtra lojëra fati-pastrim parash-qeveri, pushoi dhe nuk ka folur më për asnjë çast, duke u përpëlitur në argumentin thujase të pabesueshëm se po krijohet një monopol. 

Një prej mediave afër qeverisë publikonte këto ditë një foto të djalit të ish-kryeministrit Berisha me pjesëtarë të një familjeje që ka interesa të forta në industrinë e lojërave të fatit. Aludimi është i qartë: në industrinë në fjalë ka njerëz dhe interesa familja Berisha dhe nuk është e rastit që këto ndërhyrje radikale janë bërë pas disa ngjarjeve të bujshme kriminale. 

Ajo çfarë kuptohet këtu, është fakti se në tërësinë e vet, por mesa duket edhe në qëllimet e veta, pushteti i Edi Ramës dhe atyre që qëndrojnë pas tij, nuk e pranojnë më ekuilibrin ku Sali Berisha dhe segmenti i tij të ketë më rolin që ka patur. Nga kjo pikëpamje,  të gjitha këto goditje që po jep pushteti, likujdojnë rolin garant të Berishës edhe në terren, duke i hequr atij pikën e vet të fortë. Një garanci më pak në këtë kuadër, është në fakt një pasiguri më shumë në zgjedhje për PD-në. nuk është po kështu rastësi që z. Berisha këto kohë po këmbëngul për largimin me çdo mjet të Edi Ramës, madje duke deklaruar se me Edi Ramën kryeministër nuk mund të ketë zgjedhje. 

Pushteti i Edi Ramës sipas tij është sot më i madh sesa të mos cenojë ekuilibrin e brishtë të demokracisë. Ai është një pushtet me shumë tonalitete, ku krimi ka aksionet e veta, korrupsioni material e moral ka rolin qendror. Por opozita ka dështuar ta kapitalizojë këtë realitet në mundësi për përmbysje elektorale dhe për këtë arsye teza e Berishës po aktualizohet.  Z. Berisha është një njeri që ka mjetet, vullnetin dhe aftësinë për të çuar përpara shumë skenarë. Ai di të aktrojë shumë mirë në kriza të rënda, di të menaxhojë humorin e rrugës dhe të kthejë rrugën kundër institucioneve. 

Sigurisht për të amalgamuar emocionet nevojitet punë këmbëngulëse, metodike, e përditshme, trazim i duhur i situatave, ndërsim, organizim, mjete financiare dhe në fund edhe një kauzë simbolike. E përgjithshme. Nuk mungon asnjë prej këtyre. Sot pushteti i Edi Ramës ka mërzitur jo pak qytetarë të zakonshëm, por edhe ka dëshpëruar dhe irrituar disa të tjerë me pushtet. Kauza po ashtu nuk mungon: z. Berisha po u rrëfen shqiptarëve skenarin e vet të tradhëtisë kombëtare të Edi Ramës me marrëveshjen e detit me Greqinë. 

Sot, kur ne Shqiperi drejtesia dhe instucionet e tjera jane ne grushtin e klikes te Zografit Bis, u takon shqiptareve atdhetare te bejne drejtesine ndaj ketyre apatrideve qe kane konsumuar aktin me te larte te tradhetise kombetare

thuhet në një opinion të tij të sotshëm kushtuar negociatave me Greqinë. 
Ai pati një investim personal dhe kërkoi me çdo kusht të faktorizonte tezën e tradhëtisë së Hashim Thaçit, që në mënyrë nallbane hapi debatin për korrigjim kufijsh. 
Janë të gjitha kushtet parimore që të protestosh ndaj këtij pushteti. Madje duke goditur fort dhe duke rezistuar me mjete të dhunshme nëse  Fjala nuk bën punë. Por ne e dimë, qoftë edhe nga 21 janari 2011, se ajo që nis si protestë në emrin e qytetarëve përfundon si axhendë personale e një politikani apo e një grupi. 

Z. Berisha flet në emër të shqiptarëve njësoj si Edi Rama dje. Por motivimet duket të jenë krejt të tjera nga ato që thuhen. Në një prej mediave të afërta me qeverinë po sillet në vëmendje roli i tij në vitin 1997, duke nëkuptuar se gjuha e dhunës dhe përplasjes nuk është e pamundur dhe aq e largët. 

Me dallimin se çështja është më e qartë se herë të tjera: po përplasen dy grupe interesi mes të cilëve vetëm një gjë ngjan disa jashtë vendi: roli dhe sjellja e Lulzim Bashës që nuk mund të kuptohet jashtë kontekstit të një akordi me Edi Ramën. 

Nga kjo pikëpamje mund të kuptohet edhe pse z. Basha i konvenon që pushteti i socialistëve po godet pikat e forta të mentorit të tij të dikurshëm dhe pse ai me gjasë do të përfitojë nga kjo që po ndodh, thjesht duke mbetur aty si njeri që krijon peshë nga aciditeti opozitar i dikujt që tashmë ka hallet e veta axhendë politike.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.