Jemi me ty Daku!

Postuar në 26 Tetor, 2018 03:34

Ndoshta njeriu që më shumë se të tjerët mirëkupton sot Vangjush Dakon, është Ben Blushi. Ndërsa shumica plebishitare, ose publiçitare, e kupton fare qartë.

 E mbani mend në zgjedhjet e qershorit 2017 kur Blushi si kryetar i partisë “Libra” dilte nëpër qytete e kërkonte vota? Në një prej atyre takimeve, Blushi ndesh edhe Lul Berishën, i cili me një person tjetër madje i kërkon të dalë një foto. Mizaskena në fjalë u vu në lojë për bukuri, Blushi doli të paktën i paditur, ndonëse krenar për këtë padituri dhe distancë me krimin siç tha ai, ndërkohë që u akuzua me të qeshur se kishte lidhje të dyshimta. 

Ja për këtë e akuzojnë sot edhe Vangjush Dakon, kryebashkiakun e Durrrësit që figuron nga disa përgjime si emër dhe person që ka komunikuar me disa të arrestuar. U tha asokohe se rrengun e Berishës, Blushit ia luajti Dako, i cili dje doli në emisionin “Opinion” për të dhënë xhevap për zullumet me telefon. Origjinaliteti është cilësia e parë që të binte në sy te kreu i Bashkisë së Durrësit. Mbrojtja e Vangjushit është modeli i munguar i avokatisë politike që e shpjegon kontaktin me njerëz të dyshimtë, apo me precedentë, siç e përcakton ligji për dekriminalizimin, si kontakt me popullin dhe votuesit.

Në çdo takim i falenderoj njerëzit që kanë qenë në takim, faleminderit njërit, faleminderit tjetrit. 
 Një argument ky.
Kjo është politika, nuk jemi në kohën e Enverit. Ai bën një luftë për mua, fiton vota, kontribuon. Mos t’ia bëj një telefon unë? Tashi ne mos bëjmë fushatë?
Argumenti tjetër. 

Vallë Dako i telefonon ndonjë shitësi ambulant? Me siguri po, po kush e ka përgjuar shitësin dhe telefonin e tij që ta dimë sot?
I kam duart akullore”, tha në debat e sipër kryebashkiaku, të cilit mesa duket, mu për këtë arsye i është refuzuar përkohësisht edhe viza amerikane. Pra për çështje alergjike, ose higjenike nga qumështi me baktere i akulloreve “Made in Dyrrahium”. 

Takimet e shumta me komunitetin, apo edhe kontigjentin, z. Dako i lidh me faktin se ai nuk paragjykon dhe as u kërkon diploma apo dëshmi penaliteti njerëzve që takon. Jo. Ai zhytet i tëri në fushatë elektorale dhe orë e çast, ditë e natë, vetëm propagandon zhvillimin dhe progresin, premton aq shumë sa lë syhapur edhe veten. Syhapur, por edhe të verbuar nga dëshirimi për progresin. Ndaj ai sheh vota, aty ku ne shohim probleme me ligjin. 
Gjithësesi ky debat meriton një mirënjohje publike. Sepse e bën të vërtetën e vërtetë, atë të rrugëve dhe lagjeve shqiptare pjesë të diskutimit  politik të nivelit më të lartë, siç edhe është ai që zhvillohet në “Opinion”. Pasi njerëz si Vangjush Dako nuk jetojnë në epruvetë si këta moderatorët, ata janë në kantierin e punëve me llërët përveshur. 

Tek argumenti i kryebashkiakut durrsak gjen veten një polic që nuk dihet me kë takohet e çfarë muhabeti nget gjatë ditës, gjen veten një gazetar që rrëmon për burime dhe lajme. Sepse mund të pyesim: more po nga i dinë këta që bilbilojnë ekraneve gjithë këto të dhëna? Patjetër nga terreni, ku edhe u bie bretku për ca lajme. A mund t’i akuzojmë për ndonjë gjë? Kurrën e kurrës, u jemi mirënjohës për shërbimin e tyre publik. 
Te Dako sheh veten fatorinoja i urbanit që kushedi me çfarë soj e sorollopësh takon duart e shkëmben fjalinë standarde: Abone, bileta. 

Tregëtari, barmeni, kamarieri, mësuesi, doganieri, tatimori, mjeku dhe studenti. Të gjithë e kanë kuptuar sot Dakon dhe e kanë përjetuar të vërtetën e tij si të tyren, sepse “krimin ne e gjejmë mes njëri-tjetrit”, atë nuk na e sjell Dakua. Ky as edhe lodhet të bëjë moralin fals të atij që thotë se unë “jam qelibar”.

Jo. Zoti Vangjush nuk e njeh autokritikën, këtë normë hipokrite neoenveristësh. Ai ndan me ne, Shqipërinë e vërtetë, jo Shqipërinë tjetër reportazhesh bajatë, as atë të Rilindjes. Ai ka shkuar larg shumë më herët se Qendra, ai ka nisur bashkëqeverisjen që në mandatin e parë. Kohë për të humbur nuk ka. Plus këtu ka edhe një problem specifik: Nuk ka bir kurve që ia kalon Dakos me telefon. Po e pati në dorë do marrë patjetër njeri të flasë. 
Eh mer Daku eh…Jemi me ty, thjesht kjo është loja. 

Shaptilografisti 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.