Arrestime që lanë pa tekst opozitën

Postuar në 22 Tetor, 2018 13:44

Policia dhe qeveria “bënë namin” dje në mbrëmje. Dy ish-deputetë socialistë të arrestuar, dy persona të njohur të botës së krimit në kërkim, një vëlla i njërit prej ish-deputetëve arrestuar; arrestuar po ashtu vëllai i Drejtorit të Transporteve, ish-deputetit socialist, Arben Isaraj, këta dhe të tjerë ranë në pranga.

Aksioni përfshin edhe kërkimin e Klement Balilit, ndërkohë që duket se “partia nuk po kursen radhët e veta”.

Goditja pason kapjen e një laboratori të përpunimit të heroinës në Has. Opozita përmes ish-kryetarit të PD-së, Sali Berisha ka folu për dekonspirimin e operacionit që ia atribuon gjermanëve dhe aktorëve të tjerë të huaj. Berisha thotë se në përgjime del edhe Edi Rama, Vangjush Dako, etj., por pa dhënë ndonjë burim të besueshëm për informacionet e veta. 

Në fakt, nga pikëpamja politike, kjo është e vetmja mënyrë me të cilën mund të flasë sot PD-ja. E cila pasi bëri kauzë lidhjet e pushtetit me krimin, mori pjesë dhe orkestroi dy skenarë policorë, në mes të të cilëve përveç se njollosi pushtetin, ngjeu mirë edhe veten. Arrestimet në fjalë e kalojnë iniciativën nga pushteti që sot mund të thotë: Ja pra që nuk jemi të lidhur, sepse arrestojmë edhe tanët.

Opozitës nuk i mbetet veçse të përkrahë këto arrestime, por ajo nuk po i përtyp dot, qoftë për arsyen se ato janë teknikisht suksese, qoftë sepse ndoshta parandjen se edhe në radhët e saj do të ketë ndonjë shkartisje. Nëse kjo ndodh, atëherë nuk ka më alibi. Dhe nuk ka më alibi edhe sepse shantazhi ndaj opozitës ka qenë direkt, kur javën e kaluar u përfol një dosje e ardhur nga SHBA për Lulzim Bashën.

Arrestimet janë lajm i mirë, pavarësisht se ato nuk i shpëtojnë instrumentalizimit. Lajmi i keq është befasia me të cilën kapet opozita e djathtë, e cila po manifeston probleme të thella përfaqësimi dhe idesh, pasi ajo ngjan se nuk ka asnjë axhendë tjetër pos asaj ditore. Do të ishte komike që lufta ndaj krimit të kalojë në favor të pushtetit aktual, ndërkohë që PD-ja dhe LSI-ja po humbasin edhe luftën në territor.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.