U inaugurua me polifoni, por rruga e Lumit të Vlorës nisi si “ndërtim i paligjshëm"

Postuar në 19 Tetor, 2018 19:07

Një hetim i Prokurorisë së Vlorës zbulon se një rrugë e inauguruar në prag të fushatës elektorale të 2017 nisi si ndërtim pa leje, ndërkohë që administratorët e kompanive nënkontraktore akuzohen edhe për falsifikim dokumentesh dhe shfrytëzim të paligjshëm të lumit. 

Hetimet nisën në fillim të vitit 2018, kryesisht pas denoncimeve për shfrytëzim të paligjshëm të shtratit të lumit Shushicë, duke sjellë sipas prokurorisë “rrezik për përmbytje” dhe njëkohësisht një dëm prej 15 milion lekësh, rentë minerare e papaguar.

Fillimi i punimeve në rrugën e Lumit të Vlorës u inagurua në shkurt të vitit 2017. Një grup polifonie këndoi gjatë ceremonisë një këngë enkas. “Udha e mbarë moj rruga e lumit”, thuhej në vargje, e një strofë më tutje shtohej duke pasur në mendje Ramën: “E mbajte fjalën e burrit”.

Kryeministri që mori fjalën pas këngës tha se nuk e kishte “qejf prerjen e shiritave” dhe pasi përsëriti batutat kundër parardhësit Sali Berisha për “rrugë të mbetura rrugës”, shtoi se po merrte pjesë në cermoni edhe “për t’u treguar vlonjatëve se padurimi juaj gjenetik duhet të trajtohet me shumë respekt”.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit si institucion përgjegjës për financimin i ka thënë prokurorisë se punimet kishin filluar në 30 mars. Ndërkohë vendimi i Këshilli Kombëtar të Territorit, hartën bashkëlidhur të cilit BIRN e disponon, u nënshkrua vetëm më 16 tetor të vitit të shkuar.

Prokuroria gjeti se përveç mungesës së lejes për shfrytëzim të inerteve dhe dokumentit të falsifikuar, kompanitë që punonin në ndërtimin e rrugës kishin mungesa të theksuara dokumentacioni. Shumica e tyre nuk kishin kryer Vlerësim të Ndikimit në Mjedis dhe as kishin leje mjedisore.

“Të gjitha këto akte të administruara, tregojnë se nga ana e subjekteve ndërtuese janë filluar punimet në ndërtimin e Rrugës së Lumit të Vlorës pa patur dokumentacionin e duhur ligjor, leje ndërtimi, leje mjedisore të vlefshme për ndërtimin e rrugës, leje mjedisore për shfrytëzimin e inerteve, leje për shfrytëzimin e inerteve dhe është shkatërruar baseni i lumit Shushicë në mënyrë të paligjshme”, thotë prokuroria në kërkesën për gjykim.

Marre me shkurtime nga BIRN

https://www.reporter.al/https-www-reporter-al-u-inaugurua-nga-rama-me-po...

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Nuk prish pune, ka ligj, por ka dhe Maliq. U prish diku nje vend, asgje me rendesi, diku tjeter rregullohet nje tjeter vend. Leku te veje e te vije, miqesia te na rroje!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.