Si të kuptojmë “miqtë” e Shqipërisë?

Postuar në 16 Tetor, 2018 12:18
Skerdilajd Zaimi

Ajo që ndodhi në Parlamentin Europian nuk është ndonjë gjë e bukur. Qoftë edhe sikur të shohim protagonistët, Genc Pollo dhe Taulant Balla. Por përtej dukjes së parë, është fakt se Shqipëria e sotme nuk mund të mbulohet nga Shqipëria e ligjëruar nga qeveria shqiptare. Është një gjë të bësh publicitet pozitiv dhe krejt tjetër të kërkosh që me miq e shokë gjithëfarësh të kalosh nëpër institucione të huaja dokumente apo vendime për një Shqipëri që nuk ekziston.

PD-ja mendoi të transportonte në Bruksel çështjen Balla dhe implikimin e tij në rastin e Fushë Krujës. Ka një arsye që duhet kuptuar këtu: PD-ja shfrytëzoi tribunën europiane për të përcjellë mendimet e veta, jo vetëm për shkaqe që lidhen me staturën e saj si parti me politikë negativizuese, por edhe për faktin se përvoja mëson që është mirë që për ca gjëra të flasësh vetë. Në Shqipëri vitet e shkuara kishte dy ambasadorë, të ShBA dhe BE-së që për çfarë nuk flisnin, veç për kanabizimin jo e jo. E pra, droga ekzistonte edhe pse atë nuk e përmendim “miqtë e Shqipërisë”, ata të cilët na duan aq shumë sa na ruajnë edhe nga vetja. 

Për këtë “miq” flet kryeministri Edi Rama, i cili merr borxh nga “autoriteti” i tyre për të diskredituar kundërshtarët e vet politikë që edhe si të tillë janë sezonalë. 

Një mik i Shqipërisë në Parlamentin Europian: I dashur Edi! S'kam dashur kurrë të dëgjoj aq keq sa dëgjova sot për çka kishin bërë kolegët shqiptarë! Eshtë e tmerrshme dhe e padëgjuar nën çatinë e BE-së! Jam pa fjalë dhe uroj të gjeni forca e kurajo për të vijuar punën por me ata...

Të kapin lotët kur sheh këta miq që kanë gjetur konsensus vetëm për qeverinë kur vjen puna për të përshkruar Shqipërinë. PD-ja ka bërë përherë politike abrashësh, por dëmi nuk i ka ardhur nga kjo vendit. Dëmi vjen nga efekti korruptues që ka kjo lloj propagande e zotit Kryeministër që edhe kur flet për Shqipërinë turistike, edhe kur flet për arkitekturën e saj të kullëzimit, edhe kur flet për sukseset e veta, shpesh e më shpesh sjell referenca të mediave të huaja dhe të këtyre “miqve” me të cilët e gjen përherë muhabetin. Por nuk mundet që asnjë mik të na tregojë sesa e bukur është Shqipëria, sesa e mirë është jeta këtu dhe se çfarë është PD-ja me Taulant Ballën. 

Ky aktrim prej europiani të fundit është i gënjeshtërt dhe nuk pi më ujë. Kryeministri aktual nuk mundet të mbrojë çdo punë të vetën duke vendosur kritere krahasuese, apo edhe të diferencën kulturore me pjesën tjetër, pasi kështu edhe një punë të mirë e shndërron në mjet propagande. Ai po i ngjan përherë e më shumë atij shqiptarit të viteve ’80 që si një ndër të rrallët që di ndonjë gjuhë të huaj, ka privilegjin të merret vesh me turistët të cilëve u bie rruga këtej. Vishet disi më mirë dhe krihet ndryshe, ka atë shoën e vet provincial, por asgjë më tepër. Në fund të ditës mbyllet në apartamentin e tij me gjitonët të cilët sa vijnë e i bëhen më të huaj. Për faj të tij kuptohet dhe realitetit virtual ku nis e mbyllet.

 Atë Shqipëri virtuale mbron edhe z. Rama, të cilit meqë jemi këtu, pra te niveli i përfaqësimit po i kujtojmë se nga deputetët e zgjedhur personalisht prej tij, njohim nja katër a pesë dhe pjesën tjetër nuk e kemi dëgjuar të flasë, të propozojë diçka, apo edhe të debatojë. Deputetët e tij dalin në media për afera, ata nuk humbasin kohën kot më kot në Parlament, pasi në kohën e sotme edhe populli nuk përfaqësohet më në debate, por në punë konkrete. Ndaj edhe i shohim kokëulur, të çinteresuar tërësisht për jetën parlamentare ku gjoja na përfaqëssojnë ne.

Por ndoshta edhe Ne duhet të ndërrojmë optikën, perspektivën, t’i shohim këto bletë punëtore me veshje milionëshe për atë që janë, për atë ekonomi që përfaqësojnë, jo për atë që Dinë. Sepse të Dish sot, në fakt do të thotë të Dish ku luhet Pazari. Të tjerat janë fjalë kot nga shekulli i kaluar. Kështu do kuptojmë më mirë edhe këta “Miqtë” e Shqipërisë që po na mbrojnë nga marrëzitë tona.

Comments

Submitted by Andreas (not verified) on

Sakte Skerdi! Po kryeministri niset gjithnje nga 200.000 mije vota te sigurta. Aq te sigurta sa vetem vdekja i ndan nga kryqi mbi "PS" ne leter. Dhe duke qene qe ne Shqiperi çdo lloj politike, eshte dhe mbetet elektorale(sepse keshtu e do edhe populli vete), ky kryeminister "loz" me fitoren ne xhep!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.