Arjanët e Tiranës, Iliri, Edi - nga teritali te mondaniteti "ekonomik" i socialistëve

Postuar në 15 Tetor, 2018 00:03

Kryeministri Edi Rama ka përgatitur i pari padinë për shpifje. Sipas një mesazhi në Twitter Rama do padisë Berishën, i cili përmes një statusi në Facebook ka shkruajtur si mesazh të një qytetari dixhital se Rama blen 23 mijë dollarë këmisha në Neë York në një dorë. Kryeministri zbulon se ai i qep këmishat dhe rrobat e veta te një rrobaqepës në Tiranë:

Hugo Bossi im quhet Arjan, qepja si në Nju Jork, çmimi si në Tiranë

Në vitin 2016, një tjetër Arjan duarartë iu shërbye publikut shqiptar. Arjan masazhatori ishte një mik i Ilir Metës që shprehej asokohe se në hotel "Grand" e çonte pikërisht nevoja për masazhet e Arjanit dhe jo ndonjë kulisë e politikës.

Ngjan se të dy liderët e së majtës, janë të bindur se në Shqipëri jo vetëm që ka punë, por ka edhe profesionistë. Dhe këtë mund ta shohë mirë vetëm ajo kategori njerëzisht, vizioni më minimal i të cilive nuk e tejkalon interesin e tyre. Mesa duket z. Rama dhe z. Meta hyjnë te kjo kategori njerëzish praktikë ndonëse i pari ofron prej kohësh trille estetike si të një monarku.

Është hera e tretë në këto tre dekada që politika e ditës, apo reagimi politik lidhet kryesisht me mënyrën sesi e trajtojnë pasurimin dhe diferencën me masën njerëzit e pushtetit.

Hera e parë ishte ajo nën regjimin e Hoxhës, që në fund fare dështoi dhe u bë i urryer, jo për mungesën e lirisë, por të konsumit. Blloku ushtronte atë reagim vetëm për mënyrën e privilegjuar të jetesës, e jo pse që andej buronte tirania ndaj Lirisë. Është mirë që një e vërtetë e tillë të thuhet: ’90-a, si thuajse të gjitha lëvizjet politike në Shqipëri, janë lëvizje në emër të stomakut.

Hera e dytë ishte qeverisja socialiste e Fatos Nanos dhe para tij e Ilir Metës. Një skotë njerëzish të ngrefosur që kaluan nga teritali te veshjet dhe makinat luksoze apo vilat në fare pak vite dhe që tek arrogance e hapur nuk shihnin një gabim politik, por një mënyrë për të rilegjitimuar statusin e tyre përkundrejt pjesës tjetër. Ato që Fatos Nano i denoncoi në KPD-në e famshme, ai i bëri të vetat duke mishëruar në çdo veprim të vetin, një akt korruptimi, në kuptimin se ky ishte metri i gjykimit.

Hera e tretë është kjo e tanishmja. E artistit, vizionarit, rilindësit dhe europianit Edi Rama. Që bashkë me shokët e vet në Bashki kanë ecur një hap më parpara. Kjo është ndër të rrallat herë kur populli kupton dhe mbështet revolucione zhvillimore me konsensus dhe ato kontestohen nga një pakicë e zhurmshme sa për të përdorur një term të z. Veliaj.

Çështja është se ky pasurim që është zbuluar tanimë si qëllimi i pushtetit dhe jo dëmi kolateral i korrupsionit të disave, nuk mbulohet dot me thjeshtësinë e drekave dhe darkave me miletin, as me heronjtë e punës sociale si Arjanët që pa të drejtë bëhen persona publikë nga politikanët. Sigurisht që këta janë të vërtetë, janë edhe shumë të talentuar, por nuk është kjo çështja. Çështja është se narrativa e djalit që shërben dhe kryeministrit që promovon si shembull i diçkaje të mirë, nuk funksionon. Sepse pasuria e zengjinëve të rinj socialistë, atyre që ishin dhe janë, është e tillë sa lejon shumëçka. Dhe është ajo që ushqen keqkuptime të njëpasnjëshme, edhe në rastet kur kryeministri apo politikanët tregohen të sinqertë. Siç janë p.sh keqkuptimi me 3000 eurot e z. Rama, apo edhe ato me nismën e LSI-së për të zbardhur online financimet për fushatë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.