Balkan Film Market, një platformë zbulimi për talentet

Postuar në 12 Tetor, 2018 21:12

Ideologjitë na ndajnë. Ëndrrat dhe ankthi na sjellin së bashku”- Kjo thënie e Eugène Ionesco-s, i përshtatet më së miri hapësirës së Ballkanit, të mbushur plot me ngjarje dhe ku në kundërshtim me ndasitë ideologjike dhe politike, ato çfarë mund të bëjnë njerëzit në këtë hapësirë janë pikërisht ëndrrat dhe dhimbjet e përbashkëta.

Balkan Film Market i mbajtur nga 3-7 tetor në Tiranë është një provë se si kinemaja mund të bëhet urë lidhëse për të gjithë ata që e duan filmin dhe botën audiovizuale. Mbi 280 profesionistë të fushës së kinemasë nga më shumë se 25 vende e kthyen kryeqytetin shqiptar në qendrën e industrisë Balkanike të filmit.  Tirana u bë për disa ditë mikpritësja e personaliteteve më të rëndësishme të filmit në Europë, si Andras Muhi, i nominuar për çmimin  “Oscar” të vitit 2018 apo Andrea Magnani, i nominuar për çmimin “David di Donatello”, por edhe e kompanive të mëdha, si: Wild Bunch, Fandango, Intramovies, Heretic apo Epicentre.

Por çfarë synon të arrijë “Balkan Film Market” dhe çfarë mendojnë për këtë ngjarje të botës së filmit kineastë, regjisorë dhe producentë pjesëmarrës në të?!

Lucette Legot Producente

Mendoj është ide shumë e mirë të sjellësh njerëzit këtu, sepse Shqipëria nuk është shumë e njohur, të paktën nuk ishte për mua derisa takova Andamionin dhe ai e zbuloi për mua. Është mirë që njerëzit të takohen këtu dhe të zbulojnë jo vetëm Shqipërinë, por edhe mundësi të reja për filma që vijnë nga Shqipëria. Të takosh njerëz mendon se sot nuk është kaq e rëndësishme sepse njerëzit komunikojnë në mënyra të ndryshme përmes rrjeteve sociale dhe mënyrave të tjera, por kur takon dikë personalisht është diçka krejt ndryshe dhe kjo është e rëndësishme.”

François Margolin, Regjisor, Producent

“Është një përvojë fantastike. Isha vitin e shkuar gjithashtu në Tiranë. Është mirë, sepse ky market më mundëson takimin me disa njerëz që nuk i kam takuar më parë. Është shumë e rëndësishme për të ardhmen, sepse, mbase nuk do të prodhoj filmat që kanë bërë prezantimin e projekteve të tyre tani, por, në të ardhmen mund të bashkëpunoj me projektin e ndokujt këtu. Mendoj Balkan Film Market është organizuar shumë mirë. Takimet këtu ngjajnë si takime intime, jo me shumë njerëz dhe njerëzit janë shumë të dashur, ashtu si edhe njerëzit që e organizojnë. Ka shumë markete nëpër botë, por tek ky market dëshiroj të kthehem.”

BASHKËPUNIMET ME ITALINË DHE VENDET BALLKANIKE

Italia është një nga vendet partnere në organizimin e “Balkan Film Market” në Tiranë, gjë që duket se krijon më shumë mundësi bashkëpunimi mes këtij shteti dhe vendeve të Ballkanit. Ndërsa “MaTerre” është vetëm një prej projekteve të prezantuar gjatë Balkan Film Market.

“Përvoja këtu në Balkan Film Market ka qenë shumë e mirë, fantastike me marrëdhënie shumë të mira dhe takime shumë të mira. Njerëzit që kanë ardhur këtu janë vërtet profesionistë, producentë, transmetues dhe distributorë të mëdhenj. Është shumë e rëndëisshme të jesh pjesë e këtij marketi, gjithashtu po të kesh projekte, ashtu siç ne kemi, në bashkëprodhime me vendet ballkanike. Për mua është shumë i rëndësishëm ky edicionin i dytë i këtij marketi, sepse kjo platformë mund të prezantojë mundësi shumë të mira për shtetet e Ballkanit, por edhe për Italinë, sepse “Roma Lazio Film Commission” dhe Ministria e Kulturës në Itali duan të krijojnë një urë të qëndrueshme me shtetet e Ballkanit, kështu që kjo platformë është shumë e mirë.”, thotë Massimo D’orzi, Regjisor, Producent

Dhënia jetë e bashkëprodhimeve me vendet e Ballkanit dhe filmave me tema autentike të këtij rajoni duket se ndihmohen prej këtij marketi, që pavarësisht kësaj mund të themi se nuk është vetëm ballkanik nga përfshirja e prodhimeve dhe profesionistëve që bëhen pjesë e tyre.

“Kam frikë se nuk kam parë shumë filma nga Shqipëria. Kam parë vetëm film të shkurtër të Andamionit dhe ishte cilësia e filmit që më bindi të bashkëprodhoj me të, kështu që, po, mendoj që cilësia eshte baza e bashkepunimit dhe mbi të ndërtohet. Nuk është diçka që vjen vetiu, por dicka qe e ndërtojmë së bashku”, shton Lucette Legot, Producent“,

MUNGESA E PRODUKSIONEVE PËR FËMIJËT

Nga ana e tij, producenti sllovak Vlado Zeleznak, i pranishëm në “Balkan Film Market” në Tiranë e sheh këtë ngjarje të industrisë së filmit si vendin e duhur për të prezantuar disa projekte që lidhen me produksionet televizive dhe filmike dedikuar fëmijëve.

Jam shumë i lumtur që ndjek edicionin e dytë të Balkan Film Market. Vij nga Sllovakia si producent i prodhimeve për fëmijë. Dëgjova për këtë market kur isha në Kanë dhe erdha këtu, së pari për të bërë takime dhe bashkëpunime të reja në Ballkan, sepse ne po përgatitemi të përgatisim një produksion origjinal për fëmijët, të cilin duam ta shtrijmë edhe në Shqipëri dhe në vende të tjera të Ballkanit. Kjo është arsyeja kryesore pse erdha këtu, si dhe të promovoj një garë ndërkombëtare muzikore. Pas Balkan Film Market mund të them se pata takime shumë të frytshme me diskutime shumë të këndshme dhe kemi bërë bashkëpunime të reja. Është diçka shumë e fuqishme dhe e mirë për njerëzit nga industria e filmit të ndjekin markete dhe ngjarje të tilla të filmit, sepse mund të mblidhen me njëri-tjetrin dhe të njihen dhe të ndihmojnë në projektet e njëri-tjetrit”, Vlado Zeleznak, Producent.

Zeleznak bën me dije se kompania e tij në Sllovaki është e fokusuar dhe prodhon kryesisht për fëmijët, duke krijuar produksione origjinale për këtë grupmoshë për 29 vjetësh.

“Unë personalisht i jam bashkuar kësaj industrie dhe produksioneve për fëmijë kur isha 5 vjeç. Fillova të punoj në televizionin kombëtar, ku për 14 vjet prodhuam suksesshëm një program televiziv për fëmijët. Mendoj se tani, jo vetëm në Sllovaki, por edhe në vende të tjera, prodhimet me përmbajtje për fëmijë mungojnë ose ka shumë pak, gjë për të cilën jemi të trishtuar. Ka një lloj opinioni se prodhimet për fëmijë nuk janë shumë të rëndësishëm dhe duhet të ketë programe dhe spektakle të mëdhenj, por ne kemi vizion të ndryshëm, sepse mendojmë që fëmijët janë e ardhmja dhe duhet të ketë shumë programe të ndryshëm. Për këtë krijojmë gjëra të reja. Në Shqipëri duam të lançojmë një projekt të ri me bazë këtu për fëmijët e talentuar. Besoj do të organizohet së shpejti dhe për edicionin e parë mendoj të fillojmë me dy-tri vende dhe më pas të bashkojmë gjithë Ballkanin. Shpresojmë të gjejmë mbështetje dhe kjo gjë të jetë gati vitin tjetër. Nëse fëmijët gjejnë mbështetje ata janë të motivuar. Në Shqipëri me sa di programet e tilla për fëmijët mungojnë.”, Vlado Zeleznak, Producent.

Zeleznak vëren se krahas këtij produksioni televiziv për fëmijët e talentuar, kompania e tij po përgatit edhe një film të metrazhit të gjatë për fëmijë, pjesë të të cilit kërkon të bëjë vendet e Ballkanit.

“Këta filma për momentin mungojnë në treg. Filmat origjinalë të metrazhit të gjatë për fëmijë janë diçka në minoritet në industrinë e filmit. Pata diskutime me miqtë tanë në këtë industri, që organizojnë Balkan Film Market dhe ata hapën një kategori vetëm për fëmijët. Kanë vështirësi të mblidhen filma për fëmijët në të gjithë Evropën, qoftë vetëm për t’i shfaqur.  Kjo kategori filmash mungon, nuk prodhohen dhe duhet të ndryshojë. Kompania jonë po prodhon një film artistik origjinal, të cilin duam ta bashkëprodhojmë edhe me shtete të tjerë, për ta bërë edhe një projekt më të madh. Duam të jetë gati vitin tjetër dhe kjo është një nga arsyet e tjera pse jam këtu.” Produenti sllovak flet edhe për një konkurs ndërkombëtar për muzikën në filma, projekt që ai e ka prezantuar gjatë “Balkan Film Market” në Tiranë, së bashku me dy projektet e mësipërm", Vlado Zeleznak, Producent..

“Është një konkurs i ri ndërkombëtar muzikor, një projekt shumë i suksesshëm që është promovuar suksesshëm në Kanë dhe do të lançohet globalisht në tetor. Është një konkurs për muzikën në film dhe pjesë e të cilit janë autorët, kompozitorët në muzikën e filmave, sepse muzika është pjesë e pandarë e çdo filmi. Muzika është shumë e rëndësishme dhe ndonjëherë është 50 përqind e filmit. Ne do të kemi një gala të madhe, një event me juri ndërkombëtare dhe njerëz nga industria e filmit që do të vijnë në Sllovaki pas Berlinales, në mars, për të zgjedhur muzikën më të mirë në film. Mendojmë ta kthejmë në një event tradicional dhe ta bëjmë një ngjarje akoma më të madhe. Për vitin tjetër do të hapim një kategori edhe për muzikën në krjimet televizive në këtë industri”, Vlado Zeleznak, Producent.

GRATË NË BOTËN AUDIOVIZUALE

Një tjetër problematikë e prezantuar gjatë “Balkan Film Market” është edhe përfaqësimi i grave në industrinë e filmit dhe në botën audiovizuale.

RAFAELA RICA, Menaxhere e “Balkan Film Market”

ANDAMION MURATAJ, Drejtor i “Balkan Film Market”

Producentja franceze Lucette Legot e sheh nismën 50/50 apo 20/20 në kinematografi si diçka positive, që gratë të dëgjohen njëlloj si burrat.

“Nuk shtrohet çështja që kinemaja të udhëhiqet nga gratë. Por që gratë të kenë të njëjtin zë dhe të dëgjohen njëlloj si burrat. Jemi në demokraci dhe secili duhet të ketë zërin e tij dhe jo dikush të kontrollojë tjetrin apo anasjelltas. Kjo lëvizje është për të bërë kinema së bashku me burrat. Dhe kjo mund të sjellë projekte më të mirë, botë më të hapur dhe histori të pasura, sepse gratë kanë pikëvështrim të ndryshëm dhe jam e sigurt se kombinimi i këtyre cilësive mund të rezultojë në histori të mira”Lucette Legot, Producente

Ndërsa për producentin François Margolin ideja e përfshirjes së grave në kinema është shumë pozitive, por se është e pamundur dhe jo e drejtë që të zgjidhet të bëhet një film sepse është grua apo burrë.

"Mendoj se është e pamundur të zgjidhet një film sepse është grua apo është burrë. Nëse është film i mirë është i mirë, nëse është i keq, është i keq, qoftë nga një burrë apo nga një grua. Kështu funksionon në Francë, në Evropë apo SHBA. Është e vështirë të vendosësh për këtë gjë për të qenë në raportet 50 me 50 sikur është një veprim politik. Nuk jam i sigurt se është ide e mirë. Por është mirë nëse gratë janë më prezente, më të rëndësishme, sepse është normale, por të jetë normale nuk është të vendosësh raportin 50 me 50”François Margolin, Producent.

Nga ana e saj, regjisorja Blerta Zeqiri sjell përvojën e angazhimit të grave në botën e filmit në Kosovë.

“STAN AWARD”, NJË ÇMIM NË NDERIM TË STAN DRAGOTIT

Përveç mundësimit të takimeve mes profesionistëve të fushës, BFM mundësoi edhe organizimin e disa workshopeve, siç është ai për zhvillimin e skenarit, “Albascript Plus”.

Në “Albascript Plus” të këtij viti morën pjesë 15 projekte skenarësh të filmave artistikë dhe pesë projekte skenarësh të filmave të shkurtër dhe në fund u zgjodhën dy projekte, një shkurtër dhe një i gjatë të nderuar me çmimin “Stan Award”, i krijuar për nder të regjisorit me origjinë shqiptar Stan Dragoti që u nda nga jeta këtë vit.

Edicioni i dytë i Balkan Film Market shpalli fituesit edhe në seksionin “Pitch Balkan”, si dhe gjatë projekte, që do të financohen nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë përmes skemës së ‘minority co-production’.

TemaTv 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.