Babalja si metër i bashkëqeverisjes

Postuar në 12 Tetor, 2018 14:04

Partia Socialiste ka dhënë kushtrimin: duhet të shpëtojmë Partinë Demokratike nga “Babalizmi”. Demkat dhe rrogëtarët e medias janë lëshuar në një performim histerik patriotizmi politik që mëton të thërrasë në binarët e realitetit opozitën. Të cilës pushteti europian që kullandris me ustallëk Shqipërinë, nuk mund t’ja zgjasë dorën në këto kushte. 

Po ta shohësh nga pikëpamja terminologjike, kumbimi i etiketës “Babale” është provincial. Krahasuar me prodhimtarinë e Berishës në opozitë, ky fishek i pisqollës propagandistike socialiste, nuk vret. Sepse nuk ngjit. 

Po ta shohësh nga aspekti moral, thirrjet anti-Babaliste, janë tanimë pjesë e zakonit të këtij pushteti që pretendon se bën kohën e mirë dhe të keqe. Të kthehemi pak pas në kohë në çështjen “Doshi-Meta” dhe të pyesim: pse vallë kryeministri dhe të vetët nuk reaguan kështu? Pse nuk u shqetësuan kaq sa të vënë në punë të vetmin parim propagandistik që njohin dhe mendojnë se bën punë e që është: Shokë lehni dhe pëllisni përditë sa më shumë dhe në çdo orë e në çdo vend se kështu do bindim edhe veten se “krisma edhe nëse ka patur ato kanë qenë diku larg”. 

Arsyet e kësaj sjelljeje me dy standarde janë të lehta për t’u marrë me mend, sikurse është e lehtë të kuptohet se përse askush nuk kujton videon Meta-Prifti si analogji për këtë rast. 

Babalja në të vërtetë i bën pis të gjithë. Është fizionomia dhe gjuha e personit ajo komunikon një banalitet të tillë që nëse e përfshin në axhendë do njollosesh. Kur fle me qen, zgjohesh me pleshta, thotë një fjalë. Ndaj Babale apo jo Babale, PS-ja dhe qeveria e saj janë në vorbullën e këtij pisllëku. 

Sigurisht që mund të rrimë tërë javën e të këqyrim tabulatet, të krahasojmë zërin dhe zërat e të analizojmë. Mund të dalë se Babalja gënjeu, se Salianji u përdor, por këto nuk kanë aq shumë rëndësi. Pasi nëse Babalja gënjeu e bashkë me të edhe Lulzim Basha, skenari në thelb është objektiv: kushdo, apo shumëkush e di si merren tenderat, si sigurohet kalimi i drogës, si dikush pasurohet e si dikujt i “bëjnë golin”. Babalja me të vetët është një episod realist në këtë gjullurdi, ndonëse mundet që teknikisht, në këtë rast  të kemi të bëjmë me fiction. Dhe fiction mund të jetë edhe prezenca e Taulant Ballës në komisariatin e Krujës, por askush nuk do të çuditej nëse një gjë e tillë ka ndodhur. 

Kjo sepse qeverisja e PS-së dhe z. Rama ka kushtëzuar gjykimin e përgjithshëm politik dhe analizën mbi të, duke përfshirë detyrimisht si variabël krimin dhe korrupsionin. Ndaj të kërkosh sot të pastrosh veten në një rast të caktuar, në thelb nuk do të thotë se ke ndryshuar ndonjë gjë. 
Por edhe kjo ka një anë që sjell avantazhe. Në kushtet kur të gjithë jemi spektatorë të detyruar të këtyre shfaqjeve, ne mund të biem dakord se qysh tani e dimë fundin e kësaj serie, ne kemi ecur më larg se vetë skenaristët në atë që presim, sepse kjo është kasta e aktorëve që luajë dhe e regjizorëve që dinë të trazojnë vetëm një lloj gjelle. 

Tragjikja në këtë mbetet sërish ideja e shtrembërt që po kërkon ta në imponojë opozita, e cila i sugjeron vetes beteja të tilla me sfond policor, qoftë pse kështu zhvat ndonjë llokmë gjëkundi, qoftë sepse shet paçen e vet bajate të luftës së pakompromis kundër krimit dhe korrupsionit. 

Është naive edhe vetë kjo si lojë, është e mekur si politikë dite, ajo luhet keq nga aktorucët dhe gazetarucët që po i zgjedhin qysh tani vendin e punës vetes dhe më e keqja, ajo, paradoksalisht, ushtron me mjerimin e vet politik presion te një pjesë e shoqërisë që po rikonsideron PS-në dhe z. Rama të keqen më të vogël. Ka një të vërtetë te kjo intuitë, e nxitur nga halli, pasi budalli në politikë, në këtë rast z. Basha, është përherë e keqe më e madhe sesa i korruptuari dhe tinzari. 

Në pesë vjet opozitarizëm, z. Basha ka vetëm një fitore që u intereson të gjithëve: dekriminalizimin, pavarësisht problemeve teknike që ka ligji. Dalldisjet e tij me skenarë të këtillë nuk i përshtaten më as Baba Takut në ditët e këqija të Ilir Metës, për faktin se nuk krijojnë ndonjë profil të opozitës. Z. Basha nuk është kalorësi fisnik që do të ndryshojë botën. As ka këllqe, por as dëshirë. Të na tregojë të paktën një fytyrë normale, të flasë për ekonominë dhe kur të denoncojë të mos bëjë përherë sikur ngatërron emrat dhe temat. Kaq do ishte mëse e mjaftueshme që një minimum besimi të rikthehej

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.