Kamza, më qytetarja...

Postuar në 10 Tetor, 2018 16:10
Skerdilajd Zaimi

Sa herë ka dalë në media tallavaja e emërtesave të rrugëve në Kamëz? Shumë herë. Dhe me të vërtetë, Kamza e Xhelal Mziut është okëbëzuar aq shumë, saqë më shumë se një mballomë në kulturën e kryeqytetit tonë të dashur e shumë oksidental, Tiranës, ngjan si një entitet rrëzëlltës, pasqyrash dhe xhinglash që në fund e bëjnë diçka të veçantë.

Por të mos i biem kaq shumë në qafë Kamzës, që për arsye nga më të shumtat e justifikon edhe këtë sjellje marroku të Xhelalit të vet që në fund të fundit udhëhiqet nga disa preference momentale që nuk lënë gjurmë dhe as nxisin ndonjë keqkuptim.

Vëmendja e “intelektualëve” të shumtë që popullojnë Shqipërinë dhe botën shqiptare duhet të lërë ironinë dhe talljen ndaj “katundarisë” për të parë nga afër katundarinë dhe servilizmin e inferioritetin e vet, teksa toleron pa asnjë kritikë emërtesa apo nderime të tjera, në qytete “me kulturë” që parathonë ndikime komplekse dhe pse jo fërkime sociale që përshkrojnë shoqërinë shqiptare të pas viteve ’90.

Në internet po qarkullon në formën e një pyetjeje sesi është e mundur p.sh që kalon pas asnjë debat emërtimi dhe grafika e emrave në një rrugë në Korçë, kur në të njëjtën tabele kryqëzohet rruga “Piskopi ANASTAS” me rrugën “Republika”. Në të vërtetë forma “Kryepiskop” nuk duket se është legale brenda standardit shqip dhe për më tepër që vërejtja e sjellë është se Anastas është shkruar me gërma të mëdha.

Nuk është se këtu ka ndonjë vendim të posaçëm, por servilizmi bën të vetën forma emfatizuese që mandej mund të keqkuptohen. Nga ana tjetër, nuk është shumë e qartë sesi emërtimet përfshijnë persona të gjallë, ndërkohë që në përgjithësi vepra vlerësohet në një distancë të caktuar kohore.

Në të njëjtin rast sillet edhe emërtimi i stadiumit të Gostivarit me emrin e presidenti turk, Erdogan. Këtu ose kemi të bëjmë me kushtëzimin në financim, ose autoritetet lokale trumbetojnë axhendat e tyre në forma të kësaj natyre. Erdogan është një politikan që duhet mbajtur larg botës shqiptare sepse nuk përbën ndonjë model për t’u admiruar dhe Shqipërisë dhe shqiptarëve u mjafton kostoja e miqësisë së pashpjeguar të tij me kryeministrin Rama.

Nga ana tjetër, gjëra të këtilla që shenjojnë një territor, përkatësinë e një komuniteti dhe referemin ndaj disa vlerave nuk mund të kalojnë kaq heshtur. Para disa kohësh nga Christian Science Monitor u përcoll një prononcim i kreut të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj, se projekti i Xhamisë aktuale në Tiranë nuk është ai që preferohet. Projekti i parë ka qenë italian dhe sipas dia burimeve ka qenë Erdogan që ka kërkuar nga kryeministri të pranojë projektin e një studioje turke. Edhe në këtë rast kemi modelin e kushtëzimit të modelit me paratë që në fakt sjell një prezencë kulturore për qëllime politike. Kjo ka kaluar pa debat në Tiranë ndërkohë që projektet e xhamive anembanë Shqipërisë përfaqësojnë gjithfarë ndikimesh.

Ky është modeli dramatik, ndërkohë që raste si busti i Hilary Clinton në Sarandë përfaqëson anën komike dhe qesharake të një vendi me autoritete pa identitet.

Statistika pasurohet me bustin e Papa Françeskut në Tiranë, përuruar nga kryebashkiaku Erjon Veliaj, vetëm pak kohë pasi Papa vizitoi Shqipërinë.

Kjo paradë diplomash historike që i mbivendosen një qyteti si Tirana përbën kuriozitet më vete, sidomos kur kemi parasysh se kalojmë nga ateizmi te panteoni i figurave fetare dhe politike të një bote ndaj së cilës shpallëm armiqësi ideologjike. Nga kjo pikëpamje Kamza e Xhelal Mziut me të cilin qeshim shpesh kaq shumë është jo vetëm më e pafajshmja dhe më e padëmshmja, por edhe me bulevardin “Sali Berisha”, vetëm sa argëton kur mendon se bulevardi në Kamëz është një gjë po aq e mundur dhe serioze sa edhe pranëvënia e Piramidës së Enver Hoxhës me një kambanë kishe dhe një busti Pape. Dikush që do të kishte nuhatjen për lekë, diçka do të nxirrte nga kjo rrëmujë që e bën historinë temë kinematografike.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.