Raporti i OKB-së: Masa radikale, ose planeti përballet me katastrofa klimaterike në vitin 2030

Postuar në 08 Tetor, 2018 14:03

Një raport i përpiluar nga Paneli Ndërqeveritar mbi Ndryshimet Klimaterike në OKB, paralajmëron për zhvillime dramatike në shkallë globale të cilat ngjajnë të jenë të afërta. Sipas këtij dokumenti, në vitin 2030, planeti do të arrijë një kufi kritik, me temperaturën mesatare 1.5 gradë celcius mbi nivelet e epokës para-industriale që sjell me vete rreziqe të shtuara të thatësirave ekstreme, zjarreve masivë, përmbytjeve dhe mungesave në ushqime për qindra milionë njerëz.

Të dhënat lidhen me emetimet e gazrave në atmosferë dhe sipas shkencëtarëve shmangia e katastrofës kërkon marrjen e masave radikale qysh tani.

Kjo është shumë shqetësuese sepse ne e dimë që ka shumë më tepër probleme nëse kalojmë 1.5 gradë celcius të ngrohjes globale, përfshirë shtimin e valëve të të nxehtit, rritjen e nivelit të detit dhe për shumë pjesë të botës, thatësira dhe shira ekstremë

është shprehur Andrew King nga universiteti i Melbourne.

Një tjetër e dhënë jep të kuptohet situatën ku është future planeti. Për të mbajtur nivelin 1.5 gradë celcius rritje temperature, do të duhet që emetimi i dioksidit të karbonit të bjerë me 45% në vitin 2030 krahasuar me vitin 2010 dhe të arrijë në zero në vitin 2050. Këto janë afate kohore që prekin jetën e brezit njerëzor të tanishëm dhe nuk kanë të bëjnë me një të ardhme të largët.

Për Europën efekti do të jetë shumë i ndjeshëm. Vala e të nxehtit që kaloi këtë vit mund të jetë më ekstreme, me rritje prej 3 gradësh, ndërkohë që parashikohet se 70% e platformave koralore do të vdesin.

Më së shumti do të goditen vendet në hemisferën jugore çka me gjasë do të godasë edhe ekonominë e tyre. Dhe është ristrukturimi ekonomik, shndërrimi i saj bazuar në energjinë e pastër që rekomandohet si një farë zgjidhjeje.

Raporti publikohet ndërkohë që për çështjen e ngrohjes globale ka shumë debat. Administrata amerikane ka bërë disa akte tërheqjeje nga angazhimet e mëparëshme dhe ka shprehur mosbesim në raporte të ngjashme. Brenda vetë komunitetit shkencor ka mospërputhje dhe akuzat shkojnë deri aty sa të flitet për një industri manipulimi me këto tema.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.