Një referendum që mbrohet nga "humbësit". Dhe bojkoti surprizë i shqiptarëve

Postuar në 02 Tetor, 2018 02:18

Ballkan është. Çdo deklaratë e një të huaji mund të shndërrohet në skenar objektiv dhe alternativë zhvillimesh politike. Demokracia është asgjë më shumë sesa një shaka, një dhuratë në këto anë ku serioziteti është virtyt vetëm në luftëra. Kështu mund të shpjegohet lloji i qasjes që përfaqësuesi amerikan në Shkup, ambasadori Jess Baily ka adoptuar për rezultatet e referendumit të së djelës ku pati një bojkotim masiv.

Baily ka kërkuar që Parlamenti të ecë përpara me ndryshimet kushtetuese, por më shumë se arsyetimi i tij është forca e shtetit që përfaqëson, ajo që mund të mendohet se po i jep oksigjen një politike që dështoi.

Mendoj se është e rëndësishme që keni 660 mijë votues që dolën dhe votuan pro marrëveshjes. Pati një numër votuesish që nuk e bënë. Disa bojkotuan, disa ndoshta nuk ndodheshin në Maqedoni, disa ndoshta nuk votuan. Nëse shihni mesataren e numrit të votuesve në zgjedhjet parlamentare maqedonase përgjatë 20 viteve, është rreth 1.1 milionë. Kështu që 660 mijë votues janë një shumicë e këtij numri. Është një numër jo I vogël të cilin politikanët duhet ta marrin në konsideratë teksa ecin para drejt hapave të tjerë që kanë të bëjnë me Marrëveshjen

tha Baily në një konferencë për shtyp.

Më keq se kaq nuk mund të ishte. SHBA bënë gjithçka për t’ia marrë pushtetin Nikoll Gruevskit. Ata pajisën Zaevin me materiale përgjimi, të famshmet bomba, e detyruan qeverinë e VMRO-DPMNE të shkojë në zgjedhje, detyruan Shqipërinë dhe partitë shqiptare të refuzojnë bashkëpunimin poastzgjedhor me fituesin e tyre për të sjellë në pushtet Zaevin. Për t’i hapur rrugë marrëveshjes së Prespës për emrin. Gjithçka një flluskë sapuni. Qytetarët as denjuan të votojnë. Në masë të madhe ata bojkotuan. Dhe bojkotuan edhe shqiptarët.

Pseja e kësaj sjelljeje duhet kuptuar në ditët në vijim, por në një opinion të publikuar në gazetën konservatore greke, “Kathimerini”, Dimitar Bechev nga Universiteti i Karolinës së Veriut, shpreh mendimin se bojkoti i shqiptarëve ka ardhur kryesisht për shkak të Ali Ahmetit. Sipas tij madje, akti i tyre është i vetmi element surprizë në këtë referendum dhe shkaqet duhen kërkuar qoftë në rivalitein mes partive shqiptare, qoftë në një mesazh ndaj Ahmetit, që nuk ishte i angazhuar për këtë çështje. Amerikanët duket se do të rimendojnë mirë në të ardhmen besueshmërinë tek elementi shqiptar që provokon kështu dështimin e një politike të madhe për SHBA në këtë rajon. Në lojë tashmë futet edhe fati i qeverisë greke që ka investuar jo pak në arritjen e Marrëveshjes. Në lojë është gjithçka që u arrit me ardhjen e Zaevit në pushtet, ndaj të cilit tashmë po kërkohen zgjedhje të reja.

Elementë të ndryshëm shqiptarë në Maqedoni po japin gjithfarë arsyesh, përfshirë ndikimin rus, por pa arritur të shpjegojnë sesi ky ndikim i ka mbajtur shqiptarët në shtëpi. Në fakt dështoi elita politike që ka humbur besimin dhe ky është lajmi i mirë. Nga ana tjetër nuk përjashtohet që referendum të ketë qenë një zgjedhje taktikisht e gabuar siç ishte vota për BREXIT.

Të gjithë ramë në grackën e Gruevskit që çështja e Marrëveshjes me Greqinë të kalohet në referendum. Referendum për çështje të tilla nuk bëhen. Qytetarët nuk duan përgjegjësi të tilla

është shprehur ish-ministri i Brendshëm i LSDM-së, Lubomir Fërçkovski.

Në të vërtetë VMRO-DPMNE nuk bëri thirrje kundër referendumit, por e nënkuptoi votën kundër. Dhe vota kundër ishte restoja e largimit nga pushteti të saj në atë mënyrë që e dimë të gjithë. BE-ja dhe Perëndimi janë tanimë vetëm një alternativë, por jo alternativa e vetme. Dhe ky po që është zhvillim i madh në rajon.

Comments

Submitted by Komentues 1 (not verified) on

Eshte e vertete qe referendumi pritej te kishte me shume mbeshtetes, mirepo, ne arsyet qe permenden ne shkrim, duhet te kihet parasysh edhe fakti qe, ne nje popullsi prej rreth 2 milion banore, ne listat zgjedhore jane gati 1.8 milione, qe eshte e pamundur. Kjo ka bere qe steka e referendumit te jete jorealiste, qe kur bashkohet me pesimizmin dhe mllefin ndaj politikaneve, ne pergjithesi, del me kete rezultat.

Prap se prap, 600 mije e ca votues eshte numer i rendesishem per nje vend si Maqedonia.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.