Korleone 1962 - Shqipëri 2018

Postuar në 01 Tetor, 2018 13:04

Reportazhi i mëposhtëm është i vitit 1962 dhe është realizuar nga gazetari i njohur Enzo Biagi në Korleone. Jemi një vit përpara Luftës së Parë të Mafies, që filloi pas asaj që njihet si Masakra e Ciaculli-t dhe kohë përpara sesa klani i korleonezëve me në krye Salvatore Riina të merrte drejtimin e Cosa Nostras siçiliane.

Reportazhi vë theksin te situata kriminale në qytezën me 15 mijë banorë, nga të cilët 4 mijë analfabetë; ai vë në dukje sesi një vrasje e vitit 1948, e sindikalistit Placido Rizzotto nga themeluesi i klanit korleonez, Luciano Leggio, i vuri vulën Korleones dhe namit të saj si vendi tipik i kodit të Mafies.

Reportazhi vë në dukje këtë kulturë heshtjeje, të bashkëpunimit të autoriteteve,të kontrollit ekonomik dhe të emigrimit. Të ikjes për të shpëtuar një pjesë të jetës që ka mbetur.

Në Korleone kush njeh përgjegjësit e krimeve ka frikë të flasë

shprehet gazetari Biagi. Nuk jemi larg nga kjo kulturë në Shqipërinë e vitit 2018, ku dhunimet dhe vrasjet, apo edhe lloj - lloj bëmash mbulohen me bashkëpunimin e organeve shtetëore apo me mëkimin e politikës. Është ky rrugëtim mafioz që çoi mandej në implikime të nivelit të lartë në Itali me pasojë likujdimin e një partie historike si ajo Demokristiane. Fatkeqësia në këtë ngjashmëri është cinike sidomos kur sheh se ekonomia e krimit lidh fijet me parti politike e që të dyja së bashku themelojnë një autizëm të përgjithshëm që nuk do të kuptojë dhe korrigjojë atë që shkatërron çdo vlerë.

Në foton më sipër është kandidimi i një bosi mafioz, kreut të mirënjohur të mafies siçiliane pas vdekjes së Calogero Vizzinit, Giuseppe Genco Russo, për Partinë Demokristiane. Kush më mirë se ne shqiptarët mund ta kuptojë logjikën objektive të këtyre çudive? Kandidimi i Rusos të kujton mbushjen e parlamentit tonë me lloj - lloj kriminelësh, ndërkohë që asnjë prej tyre nuk dënohet as kur faktet dalin hapur. Të paktën, edhe në Italinë e viteve ’60, Russo u dënua me burgim edhe pse në gjyq kërcënoi se do të publikonte telegramet e falënderimit që merrte nga deputetë dhe ministra dhe demokristianëve për fitoren në zgjedhje. Pse vallë na kujtohet vetiu letra e hapur e Elvis Roshit në këtë moment, teksa tregohemi të mëshirshëm dhe pranojmë se ngjashmërive u mbivendoset një dallim i madh: primitivizmi shqiptar edhe në çështjet e krimit.

Një itinerar identik me Italinë, por e cila Mafien e trashëgoi, ndërkohë që ne me ndihmën e politikanëve e themeluam me shumë dëshirë. Sot që flasim shteti shqiptar nuk arrin dot të arrestojë një person si Klement Balili, nuk arrin dot të caktojë një prokuror për Emiljano Shullazin, apo nuk di çfarë të thotë kur në Krujë plas një ngjarje si kjo me Xhisiela Malokun dhe ku kreu i një grupi Parlamentar si Taulant Balla kap veten gafil duke lëshuar budallallëqe.

Kush jeton në Shqipëri nuk do shumë mend apo s’ka nevojë për dashakeqësi për të lidhur Korleonen e 1962 me Shqipërinë e vitit 2018. Me ndryshimin se nga Shqipëria njerëzit ikin jo sepse janë të varfër, por sepse janë të lirë dhe se Korleone na paraqitet ndonjëherë me kamera shqip televizionesh kombëtare si një vend mitik heronjsh si Totto Riina.

Ndodh kjo edhe sepse askush nuk pyet nga vijnë paratë që ushqejnë këtë shkëqlim të rremë. Kush thotë që po hyjmë në Europë thjesht sjell një alibi cinike. Edhe Korleone ishte në Europë kur Riina me shokë mbushnin Italinë me të vrarë e kur siç shihet në dokumentarin e Biagit, fshatarët nuk merrnin dot tokën që ua jepte reforma agrare sepse kërcënoheshin, apo kur spitali i ri i ndërtuar prej 10- vjetësh nuk vihej në punë sepse i vjetri, i interesonte një bosi lokal në qytet. Nga ky vend, nga Siçilia pra ka dalë edhe thënia e njohur se “që gjërat të rrinë siç janë, ato duhet të ndryshojnë”. Dhe në fakt ato kanë ndryshuar shumë në Shqipëri, që e ka të vetën këtë moto pa e formuluar. Kanë ndryshuar fasadat, rrugicat, ka ndriçim të ri, ka pemë dhe njerëzit vishen ndryshe, por raportet ekonomike, vendimmarrja është po ajo që ka qenë. Metoda e njëjtë, hajdutëria dhe banditizmi, i vetmi biznes. Fundja edhe në Korleone nuk ka më rrugë me baltë si në dokumentarin e Biagit, as edhe analfabetë, por sa pare bën ky “ndryshim”, i cili sot i intereson pushtetit që njerëzit ta shohin, me kushtin që të heqin dorë nga të menduarit, kuptuarit dhe shikuarit të asaj që NDODH.

Comments

Submitted by GR (not verified) on

Edhe ketu tamam si ne Italine e atyre viteve... Prandaj dhe PD po zhduket si parti..... Apo nuk ishte ky qellimi i artikullshkruesit??? Nje kujtese, PS si asnjehere me pare ka e vetme 74 deputete dhe shume te tjere po i bashkohen... dhe nderkohe protestat e opozitës shpellare mezi arrin te mbledhe 1000 shpellare perfshi dhe artikullshkruesin per te rrezuar qeverine e droges... Sec ka dicka qe nuk shkon me llogjiken e shpellareve qe spo e marrin dot pushtetin dhe per 8 apo 12 vite sbesoj se ka shance ti afrohen ndonjehere mundesise per te krijuar një qeveri...
Pa hatermbetje, por artikullshkruesi si gjithmone vazhdon tja fuse perces kot... I bej thirrje te dale nga shpella e shiqeres e te jete me mendjehapur...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.