Policia e zhubrave dhe media proletare e banditizmit me uniformë

Postuar në 29 Shtator, 2018 11:00

Ky shtet e ka bërë zakon që e ha turpin me bukë. Sa herë bëhet fjala për përgjegjësi të strukturave shtetërore apo institucioneve që janë zgjatim i pushtetit rrëmohen alibitë për të gjetur grupet armiqësore dhe justifikuar dështimet apo implikimet në afera korruptive, kriminale apo ligjore.

Për të pastruar apo mbrojtur këto paudhësi ndihmon edhe gatishmëria e një pjese të mediave që vetëofrohen pa asnjë skrupull për t’i ofruar publikut një gjellë që shpërblen vetëm interesat të njerëzve që fshihen pas këtyre mediave, por kurrsesi të drejtën publike.   

Rasti më flagrant i këtij orkestrimi kriminal është ai i ngjarjes në Komisariatin e Fushë Krujës, ku një 25 vjeçare i bëri denoncim për dhunë djalit të deputetit dhe më pas e tërhoqi atë. Është e turpshme sesi policia që në fillim u mundua të fshehë ngjarjen duke i veshur metafrazën postim i Saliut.

Faktet që dalin po diskretitojnë jo vetëm policinë, por edhe median që i shkoi nga mbrapa një historie mohimi për të fshehur përgjegjësitë kriminale dhe trajtimin e diferencuar të një vajze që mori guximin të denoncojë partnerin apo ish-partnerin e saj, që për më tepër ishte kanakar i pushtetit, për shkak se babai ishte deputet i Partisë qe qeverisë vendin.

Debati kryesor nuk është nëse ishte apo jo Taulant Balla në komisariat apo afër komisariatit. Kjo e zhubros edhe më shumë propagandën nëse kjo është policia që duam, sipas kostumit që dëshiron t’i veshë qeveria.

Prania e Taulant Ballës në komisariat mund të provohet ose jo, por ajo që nuk mund të fshihet dhe të mbrohet është standardi i policisë me ata që mesa duket i konsideron qytetarë të kategorisë së dytë. Mediat dashamirëse me pushtetin kanë vajtur pas avazit që trumbetoi deputeti Balla se kjo është një histori me Babale. Por nuk është kështu, dy hetime administrative të Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave dhe Policisë së Shtetit gjetën me shkelje flagrante policinë në trajtimin e këtij rasti.  Teksa renditi në mënyrë kronologjike procedurën e ndjekur në çështjen e Xheisila Malokut, Zv/drejtoresha e Përgjithshme e Policisë së Shtetit Aida Hajnaj pranoi se të dy efektivët që kanë ndjekur çështjen nuk kanë vepruar në përputhje me procedurën.  Gentian Çitozi sepse ka marrë në pyetje vajzën në praninë e të akuzuarit, ndërsa i dyti nuk e ka thirrur fare për ta pyetur djalin e deputetit por e ka takuar në një lokal në kryeqytet. Mosarrestimin e Rrexhep rajës, Hajna ia faturon prokurorisë.    Ja se çfarë thotë raporti i hetimit administrativ të Policisë dhe ai i SHÇBA-së.

“Në respekt të publikut sqarojmë se shtetasja Maloku është mirëpritur dhe trajtuar me përparësi nga policia.Oficeri i Policisë Emiljano Nuhu, ka filluar të kryejë veprime me këtë çështje pas kësaj date. Në zbatim të urdhërit të delegimit nga Prokurorja nga 11 detyra ka zbatuar vetëm 4 prej tyre. Në asnjë prej këtyre detyrave të zbatuara, nuk është kryer marrja në pyetje e personit nën hetim Rexhep Rraja.Çdo masë sigurie, ndalimi ose arrestimi i tij, që pretendohet se mund të merrej ndaj shtetasit R.Rraja nuk janë kompetencë e Policisë së Shtetit. Ligji jua njeh këto të drejta vetëm Prokurorit dhe Gjykatës”

Policia ka çeduar rëndë dhe këtë e pranon edhe në konferenca shtypi duke ia lënë përgjegjësinë dy efektivëve, Gentian Çitozi dhe Emiljano Nuhu. I pari i pezulluar, ndërsa i dyti i akuzuar se ka shpërdoruar detyrën dhe ka nxjerrë sekretin hetimor. Kjo është një përpjekje e pastër për të mos u shkuar më lart përgjegjësive, ku natyrisht bën pjesë Drejtori i Përgjithshëm, Ardi Veliu dhe ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafa. Në çdo rast nuk e dijmë arsyen pse policia ka bërë një sy qorr dhe një vesh shurdh për një çështje ku implikohej djali i një deputeti. Një version për të cilin ka dhe një denoncim publik është se ka patur kërcënime, hetimet do ta provojnë.

E pamohueshmë është që të dy efektivët kanë qenë pjesë e trupës së kësaj policie.  Si të mos mjaftonte kjo paçavure që bëri jehonë vetëm pas denoncimit në media nga ish-oficeri, Emiljano Nuhi, mediat e pushtetit kanë vijuar të merren me biografinë e nënkomisarit për të na e servirur të gjithë historinë si sajesë të montuar nga opozita. Përgjegjësitë e ish-oficerit, nuk janë vetëm të oficerit. E dukshme është që po gurgullojnë në të njëtin kazan, policia dhe mediat që kanë pranuar të vetëpërdoren në mbrojtje të paligjshmërisë dhe banditizmit shtetëror.   

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.