Censura e Facebook-ut/Një grusht algoritmesh po na sterilizojnë çdo ndjeshmëri

Postuar në 27 Shtator, 2018 11:15
Vittorio Zgarbi

Ndodhi ashtu siç pritej. Censura e paralajmëruar nga Facebook-u ka mbërritur te ne. Fotografitë e Wilhelm Von Gloeden, i cili ishte pjesëmarrës në Taormina në vitet e Oscar Wilde dhe D’Annunzio-s, foto të cilat sot janë ekspozuar në Sutri, nuk mund të publikohen sepse konsiderohen thjesht imazhe të disa djemve lakuriq. Censura bëhet akoma më e rëndë sepse përfaqëson një dënim “dinak” të botës së homoseksualëve. Askush nuk do të mendonte të censuronte veprën Tre Grazie të Canova-s, por tre të rinj nudo bëjnë që të shpërthejë një reagim homofob, me pasojë diskriminimin e dukshëm dhe të patolerueshëm. Është e kotë të kujtojmë në këtë pikë statujat e bronzit të Riace-s apo Davidin e Michelangelo-s. Një grup kodesh përllogaritëse, që quhen algoritme, pa shpirt, pa ndjenja dhe sy, ndalojnë publikimin e një reklame të muzeut në Pallatin Doebbing në Sutri.

Sipas “regjimit” të Facebook-ut, një foto e Wilhelm Von Gloeden, që rezultoi një mjet i jashtëzakonshëm promocional për festivalin e Taorminës së këtij fillimshekulli, nuk duhet publikuar. Nudo mitike si ato të antikitetit grek. Një i ri i zhytur në mendime, i cili qëndron para aparatit të fotografit të madh gjerman, është në një farë mënyre një homazh për klasicizmin grek. Një mesazh i thjeshtë për t’i ftuar njerëzit të shkojnë në Sutri.

“Fotoja shkel standardet”, është shpjegimi. Kështu Facebook godet sërish artin dhe mesazhet më të thella që ai shpërndan. Pas veprave të Corubet, Cagnacci, Balthus, Rubens e shumë të tjerë, është radha e Von Gloeden, për t’u përfshirë në një dekompozim të vazhdueshëm moral dhe të asaj që ne e quajmë logjikë e shëndoshë, një proces që ka aftësinë të sterilizojë çdo ndjeshmëri. Ai që sheh të keqe në ato foto, të keqen e ka brenda vetes. Facebook brenda vetes nuk ka asgjë.    

*Vittorio Sgarbi është kritik arti, historian i artit, politikan, komentator kulturor dhe emër i njohur i televizionit italian. 

Burimi: Il Giornale(TemaTv)

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.