Për Hajër...Ajër Shqipërisë!

Postuar në 25 Shtator, 2018 00:49

Air Albania u ngrit në qiell. E çau hapësirën shqiptare dhe e bëri sefte duke drejtuar hundën nga Stambolli. Në bordin e tij, kazanlerët më të mirë të Tiranës, të zgjedhur si pajë e martesës së lumtur të krahëve të Lasgushit me lartësitë.

Për ata që nuk e kuptojnë me kazanlerë, apo kazanllirë, kuptojmë gazetarët, të zgjedhur me kujdes – mbi kriter qytetarie mesa duket apo edhe klaustrofobie -  të cilët e kanë pranuar statusin e tyre sipas etiketave që fal pa doganë Timonieri.

Kishim në këtë fluturim Top-Redaksinë në fluturim, hipur aty me yshtjen e Endri Fugës, mister Zdryq Zdryqit të komunikimit që duam. Zdryq - Zdryq i thonë atij që hiqet rrugës pak avash, osh osh, sikur zvarritet, por që në fund e sos hapin aty ku duhet. Pa ofezë. Fuga është një Zdryq profesionist, pasi nuk ka dështuar asnjëherë edhe pse ngjan në pamje si indiferent. Me ca dreka, ndonjë supë, a krem karamel ja del të punojë si enë prej balte kazanlerët. Të cilët kësaj radhe u përdorën edhe si imazh i një linje ajrore.

Lexoni reportazhet që janë derdhur online përvojërisht për ta rrokur se edhe ky fluturim është një tjetër shenjë e pakuptuar e progresit.  

Nga ky moskuptim prej tokësorësh dhe jo nga smira, vjen edhe thirrja në dëshirore: ah të isha edhe unë!!!

E kush nuk do të donte të ishte në redaksinë fluturonjëse; afër Lutfiut, në krah të Shpëtimit, të ketë dy rreshta para Blendin dhe Kolin? Apo t’i bëjë ndonjë foto Mirës, duke i marrë leje natyrisht dhe pasi t’i ketë premtuar se do t’i bënte edhe erase përveç se delete?

Të kujtohet pastaj se “këtë që ka ngjitur se ku e ka parë”, atë pas ta dëgjojë të flasë për vonesën e rrogës e kështu me radhë bulëza nga kazani.

Kazanlerët ndoshta nuk e dinë, por edhe pse kanë udhëtuar falas, kanë udhëtuar mirë. 150 mijë euro janë paguar për lyerjen e atij avioni. Dhe sipas drejtoreshës Balluku, e cila më në fund u prezantua si profesioniste e ajrit nga skena tokësore e ERTV-së, na shpjegoi se këto para nuk i ka dhënë Turkish Airline.

Janë paratë tona, ose kështu quhen për konvencion paratë që nuk janë të askujt dhe mund t’i përdorësh si të duash. Para që me të vërtetë nuk merret vesh nga kanë dalë. Air Albania ka nja tre ortakë që kanë deklaruar dikur me 1 milionë lekë të vjetra kapital, ja qameti 10 milonë nëse mund ta kemi parë gabim. Por 120 mijë euro për një lyerje jo e jo. Sikur nuk shkon.  

Por avioni ku priten e përcillen miq të nderuar si këta më sipër mund të jetë lyer edhe nga miq të mirë, njësoj si Kryeministria.

Po çfarë them? Lutfinjtë dhe Blendat kanë lekë për çdo lloj bilete, në fund të fundit ka ca gazetarë për të cilët rritja ekonomike është konstante dhe nuk i ngjan fare asaj të Shqipërisë. Këta të tjerët që janë aty me parimin yrra – byrra të mister Zdryqit si do ja bënin?

Në Shqipëri ndodh që ka edhe gazetarë naivë. Luksi është kategori që ka të papriturat e veta. Kjo është një ndër to. Ndaj edhe kjo sjellje ngjan si kristiane. Ca kazanlerë, aq dinë. Dhe duan të fluturojnë.

Sa për shërbimin s’kemi ç’themi. Atë e lexojmë me sytë të zgurdulluar në reportazhe që i ngjajnë atij marifetit të zonjëzës Llullushe: Nja dy lluku - lluku dhe supa është gati.

Hallall për Ajër Shqipërinë!

Shaptilografisti

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.