Bllokimi i ligjit, Sokol Sadushi: Në 2021 nuk diplomohet asnjë magjistrat

Postuar në 22 Shtator, 2018 14:23

Politika ka dështuar deri tani që të miratojë në parlament draftligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, që i hap rrugë shkollës së magjistraturës për të zhvilluar konkursin e pranimit të kandidatëve për këtë vit akademik. Mospjesëmarrja e opozitës në parlament i ul shanset në zero që ky ligj të miratohet. Por në kushtet kur vetingu po jep rezultatet ku prokurorë dhe gjyqtarë po përjashtohen nga sistemi i drejtësisë, nevoja për magjistratë të rinj është gjithmonë edhe më emergjente. Ndërkohë sipas Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës Sokol Sadushi, në kushtet kur KLGJ dhe KLP nuk janë ngritur, mosmiratimi i draftligjit që ndodhet përpara ligjvënësve do t'i japë efektet në vitin 2021 kur të mos diplomohet asnjë magjistrat.

Mospranimi i ndryshimit të ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i hap rrugë shkollës së magjistraturës të pranojë 50 kandidatë, i jep efektet në 2021 sepse ne këtë vit do të kemi nevojë për magjistratë të rinj por shkolla nuk do të nxjerrë asnjë pasi shkolla nuk do të marrë 50 kandidatet e rinj në 2018-ën. Them në 2021-shin sepse shkolla është tre vjet dhe nevojat e sistemit të drejtësisë do të jenë shumë të mëdha ndërkohë që do të kemi 50 magjistratë mangët

deklaroi Sadushi.

Sipas Sadushit këtë vit shkolla e magjistraturës do të marrë 10 magjistratë por ata janë këshilltarë ligjorë dhe kanë program të veçantë dy vjeçar dhe jo tre vjeçar. Por megjithatë sipas Sadushit ky numër është shumë i ulët.

"Numri 10 i këtyre kandidatëve për magjistratë që janë këshilltarë ligjorë është shumë i ulët në krahasim me nevojat që ka sistemi", tha kreu i shkollës së Magjistraturës.

Sadushi i bën sërish thirrje politikës që nëse gjen konsensusin ta miratojë sa më shpejt pasi ka ende dhe pak kohë që të marrë 50 magjistratë të rinj, të cilët mund të fillojnë shkollën në nëntor dhe jo tetor. Ai e konsideron draftligjin si të vetmen zgjidhje në situatën aktuale.

Shkolla i ka ende mundësitë që të zhvillojë konkursin dhe të marrë 50 magjistratë të rinj, nëse parlamenti e miraton ligjin. Kandidatët mund të fillojnë shkollën në nëntor dhe jo në tetor. Por mesa duket parlamenti nuk e ka në axhenden e tij dhe mesa duket shkolla nuk do të marrë dot 50 kandidatet e rinj. Meqenëse prej dy viteve KLD dhe Kryeprokuroria e ka bërë ketë detyrë deri tani, duhet ta bëjnë edhe për vitin 2018 meqenëse nuk është ngritur KLGJ dhe KLP.  Propozimi i deputeteve është propozim korrekt dhe unë mendoj se është zgjidhja e vetme

vazhdoi më tej Sadushi.

Ndërkohë sa i takon shqetësimit që është krijuar nga vetingu duke përjashtuar nga sistemi gjyqtarë dhe prokurorë që japin mësim në shkollën e magjistraturës, Sadushi shprehet se deri tani janë përjashtuar 4 por që nuk përbën shqetësim.

"Unë mund t’ju bëj me dije se në trajnimin fillestar, nga 60 pedagogë  të brendshëm dhe të jashtëm vetëm 3 prej tyre janë shkarkuar nga vettingu dhe që quhen të përjashtuar nga e drejta për të ushtruar funksione publike. Përjashtimi i vetëm 3 pedagogëve nuk përben problem ne mbarëvajtjen e mësimit. Ndërsa në trajnimin e vazhduar janë 140 ekspertë trajner pedagogë qe zhvillojnë mësimin dhe trajnimin me magjistratët, nga këta janë gjithsej 4 vetë duke llogaritur edhe ata me përpara", deklaroi Sadushi.

Sakaq opozita ka deklaruar hapur se nuk do ta votojë draftligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që është propozuar nga dy deputetët e PS-së Ulsi Manja dhe Klotilda Ferhati. Ata akuzojnë mazhorancën se po kapin sistemin e drejtësisë.

TemaTv

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.