Populli si alibi dhe shpresë për mbylljen e pazareve personale

Postuar në 21 Shtator, 2018 13:32

Hashim Thaçi, president i Kosovës, mbrohet me popullin. Ai thotë se për marrëveshjen me Serbinë do të ketë referendum. Për kufijtë e Kosovës do të votohet.

Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, mbrohet edhe ai me popullin. Dhe mbrohet me popullin edhe kur flet për çështje që janë verifikuar me shkelje serizoe të Kushtetutës. Dje në intervistë për “Opinion” ai tha se për Teatrin “do na gjykojë populli”. “Ne kemi marrë besimin e popullit për të bërë disa gjëra dhe populli do na gjykojë”, tha pak a shumë Rama.

Nuk ka alibi më të mirë për njerëz të tillë sesa populli. Por alibitë nuk përkojnë me të drejtën dhe as me interesin e atij populli që thirret si dëshmitar i nevojave personale. Sepse vota në kësi rastesh është e korruptuar nga perceptimet e polarizuara artificialisht për shkak të interesave meskine që gjeneron çdo pushtet. Ne e dimë se referendum në vende si Shqipëria është votë për partitë. Atë nënkupton dhe atë përcjell.

Një shembull më i qartë vjen nga Britania e Madhe. Politikanët britanikë menduan që çështjen e BREXIT ta çonin në referendum. Pati zëra kundër atë kohë për këtë lëvizje, me argumentin se për çështje kaq komplekse nuk mund të pyetet populli. I cili voton emocionalisht. Pushteti ndaj është deleguar të më të mençurit, që të bëjnë zgjedhje të analizuara. Sot kemi një Britani që kërkon referendum të dytë, për të korrigjuar të parin.

Populli do lënë rehat. Ajo që do kuptuar është jo marrëveshjet që po bëhen, por se lehtësia me të cilën politika manipulon dhe vepron, është një e dhënë shqetësuese për ekspozimin që ne si qytetarë kemi ndaj arbitraritetit të saj. Çfarë sigurie ka prona jonë, shtëpia dhe çdo gjë tjetër, ku njerëz si Thaçi dhe Rama e kanë kaq të kollajtë të zhbëjnë kufij apo pronë publike? Secili le ta mendojë vetë…edhe duke patur parasysh këta shembuj

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.