Si në Francë dhe në Itali/A duhet ndaluar me ligj publikimi i fotove të fëmijëve në rrjetet sociale?

Postuar në 18 Shtator, 2018 12:52

Paskemi qarë me lot si shoqëri për një godinë që duket bukur. Shkolla “Kosova”, që “të merr në qafë” ta shikosh, po përdoret prej ditësh si mjet propagande për të na thënë se jemi në rrugën e duhur për arsimin.

Për të ngulitur idenë se me shkollat është bërë shumë, po përdoren edhe imazhet e fëmijëve. Kryebashkiaku Erion Veliaj shpërndan sot disa foto me fëmijë të kësaj shkolle, në një shfaqje të radhës së propagandimit të imazhit të vet. Ky është problemi më i vogël me një harbut që nuk njeh norma dhe kufij. Problemi më i madh jemi ne të gjithë, që ose gënjehemi nga kjo çorbë mediatiko-politike, ose duam të gjënjehemi, ose kaq kuptojmë dhe dimë dhe nuk reagojmë.

Por një minimum përgjegjësie sërish duhet: mjafton të kujtojmë se kanë qenë njerëz si ky që shihni në foto që dikur na tregonin ish-kryeministrin që bënte propagandë me fëmijët. Sot e njëjta sjellje. Le të pyesin prindërit e fëmijëve që lejojnë foto të tilla, se pse politikanët nuk i bëjnë publike fotot e fëmijëve të tyre? Se pse edhe kryeministri I vendit, që nuk lë rast pa bërë çak çuk me të gjithë miletin, është shumë i kujdesshëm dhe xheloz që foton e djalit të tij ta përcjellë pa bërë të njohur fytyrën. Kjo është minimalja që një prind bën për fëmijën. Atëherë si ka mundësi që lejohet që një si ky Erion Veliaj të dalë lart e poshtë me fëmijë dhe nxënës?

Kujtojmë këtu se në Itali dhe në Francë është ligjëruar gjoba edhe për ata prindër që hedhin në rrjetet sociale foto të fëmijëve të vet. Koha e kërkon edhe në Shqipëri një masë të këtillë, që të paktën të shmanget shëmtia e kësaj propagande që zë fill me kohën e regjimit komunist dhe vazhdohet sot nga postiqet e një politike që nuk njeh norma etike.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.