Rifaktorizimi i opozitës në Tiranë-Prishtinë. Dhe një avokati që zbulon frikën e pushtetit

Postuar në 16 Shtator, 2018 22:00

Tashmë që Hashim Thaçi është vetëm, ose i izoluar nga imuniteti i argumenteve që përndryshe ndihmojnë në kauza si kjo e korrigjimit të kufijvce, në lojë janë shtënë metodat e njohura të deligjitimimit të kundërshtarëve.

Në këtë rol është shfaqur sërish sot shërbyesi i të gjitha pushteteve, në Prishtinë dhe Tiranë, Baton Haxhiu. Në një opinion relativisht të gjatë, ku ndihet sforcimi për të prezantuar një optikë strategjike mbi lëvzijet e Hashim Thaçit, Haxhiu, një apologjet edhe i atleteve të Edi Ramës, përmend të njëjta teza që i ka përmendur në një tjetër shfaqje publike pak kohë ma parë.

Se koniunktura ndërkombëtare ka ndryshuar, se Kosova me korrigjimin e kufijve fiton njohjen ndërkombëtare, se ajo bie rehat dhe se i hap rrugën vetes për bashkim me Shqipërinë.

Përralla mund edhe të ngjisë. Sepse Haxhiu thotë edhe atë që mesa duket Hashim Thaçi nuk e thotë dot: Kosova do mbajë Ujmanin dhe Trepçën. Pra Thaçi nuk flet dot për këtë alamet pazari sepse kushtëzon Vuçiçin, por kemi Baton Haxhiun që na qetëson. Më tej ai na sqaron për të mirat e kësaj politike, të cilën million syleshë shqiptarë nuk po e kapin dot. Edhe sepse, dhe këtu vijmë te thelbi i opinionit të gazetarit në fjalë, nuk na lë Sali Berisha dhe Albin Kurti, dy armiqtë idealë. 

Haxhiu njësoj si dogmatiku Rexhep Qosja, autoritete të vetëshpallura dhe delirantë të njohur, ka gjetur te takimi Berisha-Kurti çelësin e kundërsulmit dhe argumentin e mbrojtjes së pazarit për shkëmbim territori. Të cilin vazhdon ta quajë Korrigjim. Thotë ndër të tjera Haxhiu:

Në intervistën e fundit, Berisha kundërshtoi paprekshmërinë e tërësisë territoriale të Kosovës pikërisht duke u thirrur në Pakon e Ahtisaarit, përderisa krejt ekzistenca politike e Kurtit i detyrohet kundërshtimit të kësaj platforme politike. Ironia është që vetë Kurti, i cili e ka kundërshtuar tërësinë territoriale të Kosovës të kodifikuar sipas Ahtisaarit dhe Kushtetutës së Kosovës, sot është shndërruar në mbrojtësin e saj kryesor në praktikë. Përkundër divergjencave konceptuale, Kurti dhe Berisha megjithatë përfundimisht janë bashkuar, së pari, prej frikës nga humbja e kauzave të tyre historike në rast se skenari i korrigjimit të kufijve zbatohet me sukses dhe eventualisht hap mundësinë objektive për bashkim kombëtar; së dyti, nga pezmi i tyre personal ndaj Presidentit Thaçi dhe, së treti, nga besimi në të njëjtën metodologji të veprimit politik

Është e vërtetë se Kurti ka patur kontestime thelbësore për shumë procese, por nuk është e drejtë të bësh analiza definitive mbi këtë premisë. Kjo për arsye sepse Kurti ka një karrierë që nis qysh fare i ri, ai hyn në skenën politike me kërkesa radikale dhe si radikal, por ne nuk mund të mohojmë evolucionin politik të tij. Ajo që sot na vlen për këtë proces është jo edhe aq bindja ideologjike e Kurtit, sesa roli që ai do të luajë. Dhe madje mund të themi se nëse ky rol në fund do të ketë bilanc pozitiv, kostoja e kapërcimit të prerogativave ideologjike minimizohet. Në fund të fundit, të gjithë duhet të rishikojnë diçka. Edhe ai që quhet Babai i Shtetit shqiptar, në tetor të vitit 1912 mendonte se Autonomia ishte zgjidhja.

Arsyetimi i Baton Haxhiut për Berishën dhe humbjen prej tij të kauzave është fare irrelevant dhe kontradiktor. Diku më tutje ai thotë se Berisha as që do të dijë për interesin afatgjatë të Kosovës, por për llogaritë personale. Nëse një njeri mbron kauzën e tij, kjo nuk ka sesi të jetë për arsye afatshkurtra apo personale. Po kështu, Sali Berisha është 74 vjeç dhe është pak e ekzagjeruar të mendosh se ai po imagjinon një të ardhme për veten, apo se kërkon një rol edhe në historinë e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

Deri në këtë pikë, Haxhiu i shërben Hashim Thaçit, të cilit i duhet shumë të njollosë Albin Kurtin me peshën e mëkatev të Sali Berishës.

Në pjesën tjetër, Haxhiu i shërben Edi Ramës duke nxjerrë kokën në një tjetër aspekt: radikalizimi i opozitave.

Berisha dhe Kurti kanë paralajmëruar rikthim në metoda radikale jashtë-institucionale, kryesisht për shkak të disfatave të tyre elektorale. Berisha deklaroi se Qeveria Rama nuk bie asnjëherë me votë, por me kryengritje popullore dhe rrëzim revolucionar të qeverisë. I shpenzuar në politikë, ai nuk e mendon për perspektivën afatgjatë të Shqipërisë, por perspektivën afatshkurtër personale. Kurti, ngjashëm, ka paralajmëruar ndërmarrje popullore revolucionare kundër ekipit dialogues edhe pse nuk i ka shteruar paraprakisht mjetet demokratike për këtë temë në Kuvend. Me parti të ndarë dhe besim elektoral në rënie, Kurti po shfrytëzon çdo sentiment popullor për t’u rifaktorizuar personalisht në skenën politike në Kosovë

shkruan ai.

Këtu po themi se problemi me Berishën është se ka një histori korrupsioni dhe mashtrimesh nga mbrapa që nuk e bën të besueshëm në ato që premton. Kurti nga ana e tij, e kërkonte revolucionin nën emrin e një djaloshi të përflakur nga padrejtësitë, por jo si pjesë e një strategjie politike. Janë këto arsyet pse i pari dëmtoi shansin e vet historik dhe i dyti nuk e përmbushi asnjëherë atë deri më sot. Të akuzosh këta të dy se duan të bëjnë revolucione reale është pra të ushqesh një frikë të pambështetur. Ose ca më keq: të ekspozosh një frikë të pushtetit në këtë aspekt.

Dhe kjo frikë, që kaq pastër dhe dlirët evidentohet në formë analitike nga Haxhiu, vjen vetëm e vetëm sepse njësoj si në Rumani, kushtet për fuqizimin e dhunës si mjet politik, kanë arritur. Dhe do apo nuk do Haxhiu me të vetët, kjo ka ardhur për shkak të atij korrupsioni dhe arrogance të atyre qeverive në Prishtinë dhe Tiranë që sot luajnë fshehtas dhe qëllimisht kauzën diplomatike të pajtimit serbo-shqiptar. Ndihet fare qartë se animoziteti ndaj tyre nuk lidhet ekzkluzivisht me këtë që po bëjnë me kufijtë, por sepse nisma në fjalë dëshmon se ky lloj pushteti ku shërben z. Haxhiu, nuk pranon kufizim as në aksionet e veta, por as në guximin për të imponuar narrativa nga më absurdet. Dhuna që po fermentohet e që për një aspekt komik ka si tamburxhi Sali Berishën, mahiset nga qeverisje të cilat harrojnë se legjitimiteti institucional që mishërohet në firma dhe në vula, nuk përputhet me legjitimitetin politik. Kjo sepse demokracia është shndërruar në farsë, siç është farsë edhe avokatia mediatike e saj.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.