O sa mirë me qenë...veteran!

Postuar në 16 Shtator, 2018 14:35

Gazeta “Zëri” në Kosovë publikon sot emrat e atyre që i quan 20 mijë mashtrues. Fjala është për të ashtuquajturit veteranë të Luftës së vitit 1999 të cilët me ndihmën e establishmentit politik në krye të të cilit qëndron Hashim Thaçi dhe shpura e tij bashkë me Haradinajn, Kadri Veselin dhe Fatmir Limaj, janë trajtuar me pension të posaçëm.

Shifra e këtij dëmi? Pak fare. Vetëm 68 153 533 euro. Lista është hedhur në qarkullim nga Prokuroria Speciale e cila ka ngritur aktakuzë ndaj 12 anëtarëve të Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranit mes të cilëve figuron edhe Agim Çeku.

Zonat heroike të Kosovës gëlojnë me gjoja veteranë ku p.sh Drenica e ka inflacionin me 2330 persona, Pashtriku me 4701 persona, Dukagjini me 7949 persona e kështu me radhë.

Gazeta shkruan se prokurori Elez Bakaj dha dorëheqje më 15 gusht pikërisht për shkak të kërcënimeve që po merrte për shkak të hetimit nëkëtë drejtim.

Aktakuza është një lajm shumë i mirë për shkak se ajo denoncon një megamashtrim që ka pasoja të mëdha edhe në shkrimin e historisë. Shqipëria është shembull që mëson shumë pasi tanimë është e qartë se 28 mijë dëshmorët e glorifikuar pas Luftës së Dytë Botërore, nëtë të vërtetë janë më pak. Në ndryshim nga Kosova, në Shqipëri askush nuk ndërmori hetim të plotë për numrin e dëshmorëve, në kuptimin institucional, duke lënë në statusin e thashethemit një shifër që do të sillte rishikimin e historisë.

Në fund të fundit këto dy shembuj, bashkë me deklarimin gortesk Ali Ahmetit në Maqedoni që para pak kohësh tha se “unë kam shpërbërë perandori”, duke nënkuptuar Federatën Jugosllave, na japin të kuptojmë se nga një pikëpamje bota shqiptare është bota e heronjve të shtirur, të rremë, të cilët shpikin veten dhe uzurpojnë skenën publike. Dhe ka një arsye për këtë. Arsye themelore: Pakkush, në mos Askush nuk beson realisht te kauzat që mesa duket lindin si rrjedhojë koninkture, por jo besimi dhe motivimi.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.