Një lexim i ri historie

Postuar në 14 Shtator, 2018 13:24
Veton Surroi

Slobodan Milosheviqi e anuloi dhunshëm autonominë e Kosovës më 1989, duke vendosur masa të jashtëzakonshme. Serbia e okupoi Kosovën gjatë dhjetëvjetëshit dhe më 1999 vendosi që të ndërmarrë luftë dhe masa gjenocidi ndaj qytetarëve të Kosovës. Këto masa prodhuan 13.535 njerëz të vrarë, sipas shënimeve të Fondit për të Drejtën Humanitare, prej të cilëve 10 mijë ishin civilë, tre mijë ishin të formacioneve të armatosura. Prej atyre të formacioneve të armatosura mbi dy mijë ishin të UÇK-së dhe FARK-ut, ndërsa një mijë ishin të forcave serbe.

Arsyeja pse Milosheviqi ndërmori një aksion të këtillë ishte fakti se komunat e Leposaviqit, Zubin-Potokut e Zveçanit kishin mbetur brenda territorit të Kosovës.

Shqiptarët në Kosovë organizuan një lëvizje të padhunshme, të paprecedencë, si përgjigje ndaj okupimit të Serbisë. Në botë do të njihet si rezistenca me “shoqëri paralele”, ku tërë një popull injoron dhunën dhe vazhdon në formë rudimentare me jetën e vet sociale. Në fund të dhjetëvjetëshit, një numër të pakënaqurish shqiptarë organizuan rezistencën e armatosur duke u organizuar në grupe guerile që do të njiheshin si Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Që të dyja format - ajo e padhunshme dhe ajo e armatosur - nuk arritën që ta mbrojnë popullin e Kosovës, dhe shtetet e fuqishme të Perëndimit organizuan një Konferencë paqeje në Rambouillet, në mënyrë që të ndërpritet lufta dhe të gjendet një zgjidhje paqësore për konfliktin. Meqë Serbia refuzoi zgjidhjen e negociuar, shtetet e NATO-s e bombarduan Serbinë deri në tërheqje të okupimit të saj ushtarak dhe policor.

Arsyeja pse shqiptarët në Kosovë organizuan rezistencën e padhunshme e pastaj edhe atë të armatosur ishte se komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë kishin mbetur në territorin e Republikës së Serbisë.

2.

Meqë Serbia e okupoi Kosovën për shkak se në të ishin tri komunat veriore të Kosovës me shumicë serbe, dhe meqë Kosova rezistoi me padëgjueshmëri qytetare e më vonë edhe me armë ndaj okupimit, ngase në Serbi kishin mbetur tri komuna që dikur kishin pasur shumicë shqiptare. Bashkësia ndërkombëtare u detyrua që, pas ndërhyrjes ushtarake, të vendosë administratë ndërkombëtare në Kosovë. Bashkësia ndërkombëtare investoi më shumë ndihma për kokë banori se në cilindo vend të botës. U kthyen të gjithë refugjatët që u dëbuan, sepse Presheva, Bujanoci dhe Medvegja nuk ishin në Kosovë. U ndërtuan apo rindërtuan pjesa më e madhe e mbi 100 mijë shtëpive të dëmtuara, sepse Presheva, Bujanoci dhe Medvegja nuk ishin në Kosovë. U ndihmua në ndërtimin e institucioneve të një shteti demokratik në mënyrë që ato të jenë në gjendje të vendosin për ardhmërinë e vendit. Nga viti 2005 deri më 2007 u zhvillua një proces i paprecedent negociator, i ndërmjetësuar nga presidenti Ahtisaari në mënyrë që të përcaktohet statusi përfundimtar i Kosovës. Në fund të procesit Kosova ndërtoi, në bashkëbisedim me forcat politike të qytetarëve të saj që gjenden në pakicë, sistemin më të avancuar për mbrojtjen e minoriteteve në Evropë dhe me përkrahjen e shteteve të Perëndimit u shpall pavarësia e vendit që u njoh nga mbi njëqind shtete.

Por Leposaviqi, Zubin-Potoku dhe Zveçani mbetën në territor të Kosovës dhe Serbia nuk e njohu pavarësinë e saj. Për më tepër, Presheva, Bujanoci dhe Medvegja mbetën në Serbi. Kështu, të tri komunat në anët e kundërta të kufirit i lanë të dyja vendet në gjendje të një lufte të papërfunduar.

3.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë me seli në Hagë, në korrik të vitit 2010, i dha të drejtë Kosovës për shpalljen e pavarësisë. Kjo pavarësi qe shpallur, sipas planit Ahtisaari, në kufijtë e Kushtetutës së vitit 1974, pra ato të para okupimit të Serbisë.

Por meqë këta kufij linin brenda Kosovës Leposaviqin, Zubin-Potokun dhe Zveçanin, e jashtë saj Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin, kryeministri i Kosovës dhe ai i Serbisë u pajtuan se vendimi i GJND-së është i pamjaftueshëm për Kosovën. Filluan “dialogun e Brukselit”, me ndërmjetësimin evropian, duke u pajtuar që pavarësia e Kosovës mund dhe mund të mos jetë e pranueshme, rrjedhimisht se ashtu e kontestuar dhe e kontestueshme duhet të zëvendësohet me një zgjidhje të re.

Shumë shpejt u dakorduan se Kosova ka nevojë për një autonomi territoriale-politike të serbëve në Kosovë, në formën e Bashkësisë së komunave serbe. Prej vitit 2013 deri më 2018 negociatorët - Thaçi dhe Daçiq/Vuçiq - u përpoqën me vullnet të mirë t’u shpjegojnë popullatave të veta se nuk ka zgjidhje më të mirë për Kosovën sesa një autonomi e këtillë, që do të ishte diçka si Republika Serbe në Bosnjë-Hercegovinë. Por më 2018 që të dyja palët - Thaçi dhe Vuçiq, - u pajtuan se edhe po të vendosej autonomia, Leposaviqi, Zubin-Potoku dhe Zveçani do të mbeteshin në Kosovë, kurse Presheva, Bujanoci dhe Medvegja në Serbi. Pra, konflikti do të mbetej i papërfunduar.

4.

Në verën e vitit 2018 të dy presidentët më në fund do të gjenin një paketë që do të zgjidhte armiqësitë. Kufiri do të korrigjohet dhe Leposaviqi, Zveçani e Zubin-Potoku do të jenë më në fund në Serbi. Fshatrat e Preshevës së bashku me qytetin deri “te pruga” (te binarët hekurudhor) do të bëheshin pjesë e Kosovës. Autonomia e dakorduar më 2013 do të vendosej në territorin në jug të Ibrit, me seli në Graçanicë. Serbia do ta njihte të drejtën e Kosovës që të jetë pjesë e OKB-së, siç ia ka njohur dikur njëra Gjermani tjetrës.

Të dy presidentët do të shpallnin se kjo është një fitore e madhe e paqes. Që të dy do të pajtohen se qe një mëkat i madh që një njeriut të madh si Milosheviqit nuk i ka rënë në mend më herët një paketë e re.

Që të dy presidentët do të ulen menjëherë e të shkruajnë fjalimet, me shpresë se do të lexohen në seancën solemne të çmimit të Nobelit, aty ku janë nominuar nga Federica Mogherini dhe Johanes Hahn.

Që të dy, pa u konsultuar me njëri-tjetrin do të shkruajnë se në fakt lufta nuk do të duhej të kishte filluar fare: korrigjimi i kufijve ka mundur të bëhet fare lehtë, nga entet e gjeodezisë të të dyja vendeve.

Presidenti i Serbisë do të shkruajë se statusi i Kosovës dhe Metohisë tashmë ka hyrë në rrugë të sigurt të zgjidhjes, në dhjetë apo pesëmbëdhjetë vjetët e ardhshëm.

Ai i Kosovës do të shënojë se Kosova nuk do të harrojë kurrë dy mijë fëmijët e të miturit të ekzekutuar për shkak se gjeneratave të mëhershme nuk u kishte rënë në mend se problemi shekullor mes Kosovës e Serbisë ka mundur të zgjidhet shumë lehtë në Medvegjë dhe komunat simotra.

5.

Çdokush që e lexoi këtë përrallë e ka gabim. Nuk është përrallë.

Koha Ditore

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.