Ku humbi pakica bullgare?

Postuar në 11 Shtator, 2018 14:10

Sa pakica ka në Shqipëri? Kjo pyetje vjen më shumë në vështrim në kuptim të mundësisë për informim sesa të gjetjes së të dhënave reale të gjithëpranaura. Pasi të tilla nuk ka. Qeveria shqiptare paguan me paratë tonë një Komitet Shtetëror që përgjigjet për minoritetet. Komiteti ka një kryetar dhe pesë anëtarë që përfaqësojnë pakicën rome, vllahe, maqedonase, greke dhe serbo-malazeze.

Nëse lexon faqen online të komitetit që quhet Shtetëro – aty më shumë ngatërrohesh sesa sqarohesh. Të dhëna konkrete jepen vetëm për pakicën serbo-malazeze, term ky që nuk përputhet më as me realitetin nacional mes Malit të Zi dhe Serbisë që po kërkojnë afirmimin e identiteteve të mëvetësishme.

Për këtë pakicë thuhet se janë rreth 30 mijë njerëz. Për pakicën vllahe, Komiteti vë në diskutim vlerën e Censusit, pasi sipas këtij organizmi “80% e vllehëve kanë emigruar jashtë”. Nga ana tjetër, vllehët konsiderohen me përafërsi si komuniteti i dytë pas Shqipfolësve – një tjetër përcaktim ky shumë i papranueshëm dhe fyes. Komuniteti kryesor në Shqipëri janë Shqiptarët dhe jo Shqipfolësit siç na tregon Komiteti, që përdor edhe një shqipe shkel e shko.

Por mbi të gjitha, bie në sy mungesa e pakicës bullgare në pasqyrimin statistikor dhe atë identitar. Qeveria shqiptare shiti një pretendim ahistorik për realitet historik, kur në këmbim të një miratimi bullgar për integrimin në BE, pranoi që në ligjin e ri për pakicat të përfshinte edhe pakicën bullgare. E cila nuk figuron asgjëkundi. Faqja online e këtij Komiteti ka adresën .gov.al, pra është ent qeveritar dhe një qeveri që po bën shtet është mirë të hedhë sytë nga kullotat informale si ky komitet që shkruan çfarë t’I vijë për mbarë.

Ne e dimë që në momentin kur një qeveri si kjo pranoi me një telefonatë që të gjeneronte një pakicë, se kemi të bëjmë me një zarar që vjen si pasojë e karagjollëkut, por meqenëse tashmë ky është akt zyrtar ai duhet pasqyruar.

Vetë përfaqësitë virtuale të bullgarëve në rrjetet sociale nuk janë edhe aq të interesuar të shpallen në Shqipëri. Në faqen në Facebook, quajtur Minoriteti Bullgar në Shqipëri, postimi më i fundit ështëi tetorit 2017 dhe aty flitet për përshpejtimin e procedurave për marrjen e pasaportës bullgare. Kjo përkon me kohën kur ministri i Jashtëm shqiptar, Bushati deklaroi se ka 3 000 bullgarë në Shqipëri, por aplikime për pasaportë sipas kësaj faqeje nga viti 2001 deri në vitin 2007 janë 1 326. Shqipëri hesapi. Nuk ka shpjegim tjetër kjo tallava që luan me gjëra që përndryshe duhet të ishin serioze.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.