Një fitore e papërfunduar. Pse nuk publikohet letra e parë e Komisionit dhe përgjigja e Agaçit?

Postuar në 10 Shtator, 2018 13:25

Përgjigja e Komisionit Europian për ligjin e posaçëm për Teatrin është një arritje për protestën disa javore të artistëve dhe qytetarëve që kundërshtojnë projektin kriminal të prishjes së godinës ekzistuese. Përtej çdo interpretimi që mund të bëhet nga sazexhinjtë mediatikë të qeverisë, përgjigja detyron pushtetin në Tiranë të heqë dorë nga praktika e klientit të paracaktuar dhe të hapë prokurimin për garë të barabartë. 
Kjo nuk është pak po të kemi parasysh se arsyet pse qeveria përpiloi një projektligj të posaçëm dedikuar ndaj një kompanie, janë edhe sot e kësaj dite të pazbardhura. Nga kjo pikëpamje përgjigja interferon me atributin e një autoriteti në një Pazar që kalonte pronën publike në pronësi dhe të drejtë shfrytëzimi nga një subjekt i vetëm. 

Nga ana tjetër hapja e garës mund të sjellë propozime për zhvillimin e godinës aktuale dhe jo detyrimisht prishjen e saj, siç pretendohet sot. 
Asgjë prej këtyre nuk do të kishin ndodhur pa protestën e zhvilluar prej javësh. E cila faktorizoi një çështje shumë të rëndësishme në kushtet e mungesës së Gjykatës Kushtetuese. Dhe kjo mungesë është esenciale në trajtimin e një çështjeje ku siç mund të vihet re edhe nga letra e sotme e Komisionit, komunikimi mes Kryeministrisë dhe Komisionit ka përcaktuar edhe përgjigjen. Askush nuk publikon letrën e parë të Komisionit, ndaj së cilës Sekretari i Përgjithshëm, Agaçi kthej përgjigje.

Kjo mungesë transparence synon hilenë e radhës ndaj opinionit ndaj të cilit kërkohet të imponohet prishja e detyrueshme e Teatrit si kusht për një plan biznesi që sot mbyllet si qark me një kompani të vetme. Në çdo rrethanë ankimi në Gjykatën Kushtetuese duhet materializuar qoftë edhe si akt i regjistruar për të lënë gjurmë në një shqyrtim eventual që do të japë përgjigje shteruese ndaj një debati ku qeveria po kërkon të manovrojë me çdo mjet. Edhe jashtë kushtetues. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.