Nuk është vettingu i Bashës që frikëson, por prishja e Pazarit brenda PS-së

Postuar në 09 Shtator, 2018 16:19

Lulzim Basha ka propozuar së fundmi një nismë të re për vettingun e politikës. Ndonëse drafti nuk shihet i publikuar në faqen e Parlamentit, kreu i PD-së thotë se ai është depozituar si projektligj dhe synon pastrimin e politikës.

Ligji që ne sapo kemi dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë  është i thjeshtë dhe i qartë, ai ka për qëllim që ministri i policisë të mos ketë lidhje me krimin, Ministri i Drejtësisë të mos ketë lidhje me krimin dhe mbi të gjitha, kryeministri i vendit të mos ketë lidhje me krimin

u shpreh Basha tri ditë më parë.

Zoti Basha propozon pra që operacioni i dekriminalizimit që u kalua disa vite më parë të thellohet, duke kushtëzuar ata që qeverisin me profilin publik moral. A ka demagogji në këtë nismë? Padyshim që po. Siç kemi shkruar dy ditë më parë, nisur nga shembulli I Italisë, ne na duhet gjykimi i politikës, dënimi penal për politikanët, sekuestrimi i pasurisë, përpara se të mjaftohemi me ndalimin e depërtimit të krimit. Z. Basha është mbrojtur sot me një thënie të ish-hetuesit italian, Borselino që theksonte pikërisht kushtëzimin e politikës me kontaktin me njerëzit e krimit.

Mirëpo reagimi ndaj propozimit të tij nga media pranë pushtetit, lë të dyshohet se edhe ky draft që amniston masakrën e tranzicionit ka shqetësuar shumëkënd. Sillen shembuj arrestimesh në Turqi, apo të shtetasve turq, implikohet aty Basha, me shkrime të kandisura shpejt e shpejt, ku bashkohet dëshira me konspiracionin dhe axhamllëkun gazetaresk, si e si për të goditur porpozuesin. Këtë teknikë e kemi parë edhe për “aferën ruse” të Lulzim Bashës. E cila duhet hetuar dhe zbardhur sa më shpejt. Këtu kujtojmë se nuk është faji i askujt pse çështjet e hapura periodikisht ndaj këtij politikani mbyllen po aq shpejt sa edhe hapen. Për këtë nuk duket se ka faj publiku dhe media, por pushteti që sot ka frikë edhe nga një vetting anemik si ky i kreut të PD-së.

Në të vërtetë, vettingu i Bashës mund të ketë një vlerë reale: nëse ai kalon në formën e një ligji, presupozohet të prishë pazarin e mazhorancës me emrat që po synon të promovojë në politikë dhe në Parlament. Ne shohim se ministrat dhe funksionarët partiakë të kësaj qeverie nuk ndahen dot nga njerëz të krimit, ndaj nuk është çudi që ata ta shohin veten jashtë listave. Dekriminalizimi, me të cilin u tallën në fillim, nxori jashtë Parlamentit disa deputetë. Dhe të gjithë thuajse majtas. Vettingu që mund të jetë më i thellë, mund të lërë pa punë ministra dhe këtu ideja e z. Basha mund të jetë më efektive sesa reforma në drejtësi dhe prokurorja e re e Përgjithshme. Në fund të fundit, është dështimi në këto të dyja që aktualizon vettingun e Bashës, e për të cilin po alarmohen mediat pranë pushtetit të z. Rama. Komike dhe groteske të shohësh sesi një pushtet i mbingopur me këshilltarë dhe intrigantë mediash, kapet përherë në befasi dhe improvizon mbrojtje mjerane pikërisht se e tillë është edhe teknika e operimit të tij.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.