Lëvizja e duhur për të frenuar politikën private Thaçi-Rama

Postuar në 08 Shtator, 2018 18:17

Apologjetët thonë se Hashim Thaçi e ka taktike këtë që po bën për Kosovën. Këta janë një kategori që seriozitetin e masin me kutin e kafenesë ku janë rekrutuar, pasi të flasësh për kufijtë në Ballkan, vështirë se kemi të bëjmë me çështje taktike.

Por tashmë që presidenti I Kosovës u zbulua si dikush që ka mësuar përmendësh nja 20 fjali dhe që po u shet qytetarëve OKB-në, NATO-n dhe BE-në në këmbim të lëshimit territorial, negociata e tij është asgjë më shumë sesa një detyrë e dhënë nga tjetërkush.

Sot kolegu i tij serb, Aleksander Vuçiç ka qenë në Kosovë, në liqenin e Gazivodës, të cilin e pretendon ta marrë nën administrimin e vet, ndërkohë që Thaçi ka dalë me një status të ri, ku përsërit se Presheva për të është shumë e dashur. Madje amanet.

Vullneti i shprehur i qytetarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës më 1 dhe 2 mars 1992 për bashkëngjitje me Kosovën është institucionalizuar tek organet shtetërore të Republikës së Kosovës. Kjo kërkesë e tyre është ndërkombëtarizuar në pikën më kulminante botërore. Kjo çështje do të diskutohet në kuadër të demarkimit të kufirit prej 430 kilometrave ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe mund të zgjidhet. Të mos mbesim rob të dhuratave të antishqiptarit famëkeq Aleksandër Rankoviç, por të punojmë për korrigjimin e historisë dhe rritjen e sigurisë për të ardhmen evropiane. Rezultate të marrëveshjes eventuale paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jenë njohja reciproke me Serbinë, njohja nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, anëtarësimi në Këshillin e Evropës, anëtarësimi në OSBE dhe heqja e vetos ruse në Këshillin e Sigurimit, si parakusht për anëtarësimin e Kosovës edhe në OKB. Kjo marrëveshje sjellë më tepër paqe dhe stabilitet në rajon, si dhe Kosovës i hapë rrugë të sigurt dhe të shpejtë për në NATO dhe Bashkim Evropian

shkruan ai në Facebook.

Z. President duket se i qëndron ngushtë kostumi territorial i lënë për Kosovën nga koha e Rankoviçit, duke pretenduar ta bëjë historinë vetë. Edhe njëherë ky njeri nuk arrin të thotë më minimalen: çfarë do të pranojë të lëshojë në emër të korrigjimit dhe marrjen e Preshevës? Sepse këtë përgjigje nuk e kërkon as kritika dhe kritikët, as të parapambeturit që janë peng i dhuratave të Rankoviçit, por Logjika.

Z. Thaçi nuk e ka as koninkturën me vete. Sot Vuçiç ka deklaruar se Merkel nuk i përkrah idetë e tij dhe kancelarja ka përsëritur po sot nga Shkupi se “integritetit territorial është pikënisje e stabilitetit”.

Çka do të thotë se ai është pjesë e një programi që sponsoriozhet nga një pjesë e Perëndimit dhe që i konvenon edhe Rusisë dhe Serbisë. Ai sot për sot luan në fushë bosh në Kosovë, ku ka për kryeministër dikë që krijon përshtypjen se nuk e kupton se cila është puna e tij, ose e bën këtë rol në mënyrë perfekte, sikurse nga Tirana zyrtare po ndihmohet me heshtje. Një heshtje që është prishur vetëm nga ministri i Jashtëm, i njohur për afrimitetin me gjermanët, apo nga Presidenti që lau gojën me një intervistë.

Takimi i sotshëm mes Kurtit dhe Berishës, sado paradoksal është një mundësi, një sinjal për protest të sinkronizuar kundër këtij pazari që po kryhet në mënyrën tipike të dikujt që ka detyrime të panjohura për qytetarët. Dhe që në rrugë e sipër patjetër që do të zbulojë edhe se çfarë roli ka aty heshtja tinzare e qeverisë së Shqipërisë. Do të ishte fitore për të gjithë një protest e dy anëve të kufirit, jo për kontekstin nacionalist, por sepse do të destabilizonte sigurinë e dy politikanëve kryesorë në Tiranë dhe në Prishtinë, ajo siguri që është shndërruar e gjitha në arrogancë.

Goditje ka marrë sot edhe përpjekja patologjike e aktorëve të ndryshëm politikë e mediatikë për të njollosur Kurtin përmes takimit me Berishën. Kreu i Vetëvendosjes është takuar edhe me Presidentin Ilir Meta, ndaj të cilit ka kërkuar përfshirje më të madhe të Shqipërisë në mbrojtjen e interesave të Kosovës. 

Sot kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti u takua me presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta. Me presidentin u diskutuan çështje të ndjeshme për Kosovën dhe për shqiptarët, dhe për rëndësinë e përfshirjes më të madhe institucionale të Shqipërisë në mbështetje e në mbrojtje të interesave të Kosovës dhe shqiptarëve në troje

thuhet në njoftimin e LVV-së.

Atë që sot qeveria shqiptare po e luan pas kuintave, opozita dhe Presidenti kanë ftesën dhe shansin ta zhbëjnë hapur duke i dhënë përfaqësim më të madh shqiptarëve në një skenar ku duket se Thaçi dhe Rama po veprojnë si në pronë private. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.