Blendi Fevziu largohet nga Shqipëria. Ja letra e lamtumirës…

Postuar në 08 Shtator, 2018 10:52

Të dashur miq, lexues dhe qytetarë!

Dëshiroj të ndaj me Ju lajmin e largimit tim nga Shqipëria dhe për pasojë edhe nga profesioni i gazetarit. Normalisht ikjet janë çështje personale – kështu është edhe në rastin tim – por unë mendoj se kam një detyrim ndaj të gjithëve për të njoftuar përfundimin e raportit tonë të gjatë gazetar – lexues-spektator – i ftuar.

Por nuk është vetëm kjo arsyeja. Lajmet e fundit për të cilat jemi të gjithë dëshmitarë të pafuqishëm për të ndryshuar diçka më shtynë të ndaj disa fjalë të fundit me Ju si gazetar, pasi si Blendi dhe si shkrimtar unë do të vijoj të jem prezent. 

Një lajm i keq, shumë i keq siç ishin plumbat mbi shtëpinë e koleges Lala dhe lajmi shumë i mirë se Mentor Kikia nuk do të largohet nga Shqipëria, janë të dyja motive që të ndaj me Ju këtë vendim timin.

Dy fjalë mendoj të them edhe për karrierën time, që njëfarësoj, si karrierë e një njeriu publik, gjykoj se është pjesë edhe e historisë suaj intelektuale.

Janë më shumë se dy dekada në gazetari, shtypin e shkruar që përbëjnë padyshim për mua shansin e një jete të pasur me ngjarje dhe protagonizëm. Thuajse tre dekada që u kurorëzuan me sukses të padiskutueshëm, fryt i një pune të madhe dhe këmbëngulëse. Do të veçoja intervistat e shumta me personalitete, të cilat i erdhën qytetarit shqiptar si mundësi e dëshmive në vetë të parë të njerëzve që kanë bërë histori.

Fryt i kësaj pune, ku refleksioni ka qenë këshilltar kryesor, janë edhe librat e mi, të cilët ja dedikoj të gjithë shqiptarëve, historisë së tyre që ka nevojë të rishkruhet dhe pasurohet. Mendoj se koha do ta vlerësojë punën time, por unë mundem sot vetëm të jap modestisht vlerësimin tim maksimal për lexuesin dhe spektatorin shqiptar që është kaq i duruar dhe inteligjent. Është Blendi Fevziu që po e thotë këtë, është përvoja e një jete.

Në fund pa u zgjatur dua të falenderoj disa prej njerëzve që kanë qenë deçizivë në vendimmarrjet e mia. Në krye patjetër, kolegët e mi të viteve ’90, sidomos Sandër Frangajn, që prej një kohe të gjatë ka qenë edhe miku dhe partneri im. Një falenderim të veçantë për ambasadoren Romana Vlahutin dhe kolegen Ilva Tare, këshilla e të cilave më ndihmoi që të mosndërmerrja aventurën e shumpërfolur në Top-Channel.

Nuk mund të harroj Sali Berishën për sinqeritetin e tij në kohën e bashkëpunimit tonë gjatë qeverisjes së PD-së, si dhe Edi Ramën, për grricjet e tij prej publicisti. Përveç argëtimit edhe më ka ndihmuar në punën time. Vlerësimet e mia më të larta për Fatos Nanon, si një mjeshtër i përballjes së kurtheve gazetareske, por edhe Ismail Kadarenë që mbetet i pakrahasueshëm. Kolegët nuk do të doja t’i rendisja pasi me ta konsideratat i ndaj privatisht. Të gjitha këto së shpejti do t’i hedh në një libër të ri.

Falemnderit të gjithëve dhe i uroj secilit Mbarësi! Mbarësi edhe vendit tonë, të cilin do vijoj ta ndihmoj prej SHBA-së ku do të vendosem së shpejti.

 

Me respekt, B.F.

Shaptilografisti

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.