Një marrëveshje që i kërkon shqiptarët të jenë kukulla

Postuar në 05 Shtator, 2018 14:22

Serbia nuk ka kohë për të humbur dhe dëshiron të diskutojë për çështje që janë të rëndësishme për serbët dhe shqiptarët

Kështu ka deklaruar gjatë një konference për shtyp presidenti serb Aleksandër Vuçiç, i cili mesa duket po mendon edhe për shqiptarët. I zhgënjyer nga qëndrimet e Hashim Thaçit, Vuçiç ka shtuar se pala shqiptare nuk ka dëshirë të bisedojë as për Veriun, as për Gazivodën apo Mitrovicën, as edhe për Asosacionin e Komunave serbe.

Sovranist konsistent, Vuçiç e ka bërë të vetën tezën e patriotizmit ballkanik kur përsërit se

është koha të vendosim për fatin tonë, për të mos pritur nga dikush tjetër ta bëjë për ne

E teksa ka marrë me ndihmën e komunitetit ndërkombëtar të drejta të paprecedenta për pakicën serbe, Vuçiç kërkon të shkëmbejë territore, pikërisht sepse këtë argument ja ka dhënë Hashim Thaçi. I cili sot ka bërë të qartë se nuk do të diskutohet asnjëherë Mitrovica dhe Gazivoda.

E para nuk do të ketë ndarje të Kosovës. Nuk do të ketë shkëputje të pjesës veriore të Kosovës. E kam thënë më parë dhe e them përsëri, nuk do të bisedojmë kurrë, në asnjë rrethanë për liqenin e Gazivodës (Ujmanit) apo për qytetin e Mitrovicës. Është koha tani për marrëveshje të madhe historike përfundimtare mes dy shteteve

u shpreh ai sot duke zbuluar më tej edhe se cili është konteksti gjeopolitik që po përcakton edhe qëndrimin e BE-së së fundmi.

Është e rëndësishme të shfrytëzojmë këtë rast dhe të arrijmë këtë marrëveshje. Nëse e humbasim këtë rast pas zgjedhjeve të institucioneve të Bashkimit Evropian që do të mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm rrezikojmë të gjendemi si Kosovë dhe si rajon përballë një Bashkimi Evropian më të mbyllur për Ballkanin Perëndimor. Rrjedhimisht do të kemi më pak vëmendje dhe vendosmëri për të shtyrë përpara proceset që garantojnë paqe dhe siguri në Kosovë dhe në tërë Evropën Juglindore. Si do të mund ta bindim ne Rusinë të heqë veton në Këshillin e Sigurimit pa një marrëveshje me Serbinë? Një marrëveshje Kosovë-Serbi hap rrugën e sigurtë për njohje nga pesë vende të Bashkimit Europian, për anëtarësim në NATO dhe Bashkim Europian. Përndryshe do të lëvizim në një status quo që për mua paraqet regres

theksoi Thaçi.

Cilin të marrësh seriozisht në këtë rast? Presidentin e Kosovës që ndryshon fjalët sipas telefonatave, apo presidentin serb që befas përgjërohet për paqen e shumëkërkuar me shqiptarët? Serbia duhet të kuptonte se ka vetëm një negociatë për të bërë: të drejta të garantuara për pakicën serbe. Të tjerat janë ëndrra dhe pallavra me zarar që marrin kuptim vetëm nga spërdredhjet e pabesa të hashimëve të Prishtinës dhe nga heshtja e Tiranës zyrtare, ku drejton një don Kishot që mendon se po bën histori.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.