Kryetar bashkie, por Jo për kryetar partie

Postuar në 05 Shtator, 2018 19:40

Nuk është më sekret se Erion Veliaj ka si synim marrjen e drejtimit të Partisë Socialiste. Kjo përflitet dhe thuhet në mjediset e kësaj partie, në mjedisin politik e mediatik dhe për një farë kohe nuk është mohuar as nga vetë Veliaj. I cili për momentin do të duhet të kënaqet me rikandidimin në Tiranë dhe një garanci gjysmake nga Edi Rama. 
Në pesë vjet qeverisje është e nevojshme që të thuhet diçka për z. Veliaj si kandidat për drejtimin e PS-së. 
Duhet thënë se Veliaj është një kandidat atipik, një njeri i politikës, por që ndodhet aty si projekt pilot.  Por këto janë elementë që mund të kapërcehen. Handikapi kryesor i Veliajt në këtë ambicie është vetë profili i tij publik, mënyra sesi ai ka menduar strategjinë e promovimit. Dhe te kjo strategji ne mund të kuptojmë se Erion Veliajt i mungojnë shqisat e një lideri, por edhe të një politikani të vërtetë. 
Le të marrim elementët më të dukshëm. Hiperpromovimi i çdo lëvizjeje të tij, synon të ngjisë idenë e dikujt që punon shumë dhe që merret me përditmërinë e njerëzve. Kjo është diçka e dobishme për dikë që synon të fitojë popullaritetin, të bëjë dallimin, por të qenit i palodhur dhe i kudogjendshëm nuk nënkupton automatikisht se ke fituar kredencialet e dikujt që meriton karrigen më të lartë. Natyra e punëve të z. Veliaj, të atyre që ai promovon, është e tillë që detyrimisht do kërkojë këtë plotësim propagandistik të ekzagjeruar. Ne kemi një kryebashkiak që duket se e ka mësuar përmendësh hallin e çdo lagjeje, di sa gropa ka një rrugë, sa korsi bicikletash duhen, ku punojnë semaforët e ku jo, ku janë vijat e bardha dhe ato janë fshirë. Ai patjetër që di edhe lejet e ndërtimit, njeh nga afër biznesmenët e mëdhenj. Por të gjitha këto të mbajnë në lojë, të ngrejnë disi lart. Por vetëm kaq. Për të bërë hapin e radhës duhet një akt që bën Ndryshimin. Dhe këtu nisin minuset e këtij kandidati. 
Duhet thënë se z. Veliaj nuk i mungon ambicia dhe energjia, por atij i mungon kapaciteti për të qenë në krye. Atij madje për fatin e keq, i mungon edhe lënda e parë për ta bërë Ndryshimin një variabël të perceptimit të përgjithshëm, meqenëse si kryetar Bashkie nuk I mbetet veçse të stukojë “Ndryshimin” e kryer më parë nga Edi Rama. Z. Veliaj është ndoshta duke kuptuar se punët pa punë që hap në Tiranë, jo vetëm nuk prodhojnë ndonjë kapital kush e di se ça, por mundet të rezultojnë edhe kundërproduktive në planin politik. Edhe pse jemi në kohën e internetit dhe virtualitetit, ata që synojnë majën , duhet të kuptojnë – dhe shumica e di këtë – se nuk mund t’u rrëshkasin përgjegjësive e sidomos Debateve të vërteta. Pasi qytetarët duhet të dinë se çfarë mendon lideri i ardhshëm për çështjet kryesore të identitetit, ato sociale, ekonomike. Dhe këto duhet t’I zbulojnë duke e lexuar personin në fjalë në diskutim duke mbrojtur idetë e veta. Edi Rama që është modeli i Veliajt e arriti këtë. Madje e stimuloi. Duke qenë përherë qendra e debateve politike e atyre mediatike. (Së fundmi z. Rama në mungesë të ideve dhe dëshirës për t’u përballur gjeneron debate shterpe përmes veshjes). 
Z. Veliaj është shumë afër këtij elementi vetëm se Stimulimit I ka hequr T-në, për ta bërë Simulim. Për çështje të historisë ai reciton librat e shkollës së mesme, për artin thotë ca fjalë të drojtura profani që do vetëm të bëjë mirë, për arsimin ai vendos taksa dhe s’para flet, për rininë kujton se i duhet mbajtur iso. Edhe për ndërtimin z. Veliaj është i pavërtetë. Në fund të fundit do të ishte më thelbësore dhe do zinte më shumë vend, nëse kryebashkiaku do të dilte hapur, madje do të kërkonte ballafaqim për të mbrojtur politikën e tij të ndërtimeve të larta. Asgjë prej këtyre nuk ndodh. Z. Veliaj është njeri i kauzave të lehta, i lajmeve rozë, pozitive, i punëve publike të kufizuara. Ai është qameti një Qytetar Nderi, por jo dikush që mund të besosh se mund të marrë përgjegjësi më të mëdha se kaq. S’e ka kapacitetin, energjinë dhe sofisitikimin për të qenë në krye të punëve. Fundja as z. Rama nuk e ka, as Ilir Meta jo e jo, por të dy këta patën fatin dhe cilësi të tjera që kompensuan. 
Sigurisht që rruga është ende e gjatë. Z. Veliaj mundet edhe të ndryshojë taktikë. Ai ka marrë në të vërtetë një përgjegjësi që duhet t’ja njohim: ka shkelur disa herë ligjin. Por ne nuk kemi parë deri më sot një nismë të tijën, të cilën ai ta ndërmarrë, ta mbrojë, vërë në zbatim dhe që të ketë efekte reale. Edhe dështimi kur pranohet si përgjegjësi sjell benefite. Por ky nuk është rasti, pasi kryebashkiaku Veliaj e urren që të diskutojë për gjëra që nuk ecin mirë. Atij i mungon pasqyra e duhur edhe pse ndihet pasiguria e madhe që e shoqëron kudo. A ja vlen investimi i një partie mbi të? Mbetet për t’u parë por një shans ai e ka, pasi PS-ja tanimë është parti e Pazarit. Dhe në fund fare është ky Pazar që do e ndajë këtë çështje. Bën apo nuk bën z. Veliaj. Në një parti kaq të ngopur me klane të pasura, aty thjesht duhet dikush që të emërohet Kryetar, më shumë sesa të ketë garë të vërtetë. Për këtë PS-ja ka modelin e qartë të PD-së, nuk ka pse të shpikë dhe do të ishte ironike nëse z. Veliaj është duke u lutur që të ketë edhe ai fatin e Lulzim Bashës.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.