Biçikletat pa stacion, qytetarët akohen për tarifimin dhe aplikacionin

Postuar në 05 Shtator, 2018 13:50

Prej tre muajsh, qytetarëve të Tiranës u është shtuar një alternativë e re transporti. Biçikletat pa stacion, të prezantuara në Ditën Botërore të Biçikletave pas një marrëveshjeje mes Bashkisë së Tiranës dhe kompanisë “Mobike”, janë një tjetër opsion për lëvizjet brenda qytetit.

Në fillim të qershorit, kur u vunë në shërbim të qytetarëve për herë të parë, kryebashkiaku Erion Veliaj i prezantoi si një alternativë transporti më ekonomike dhe miqësore me mjedisin.

Në fakt, pavarësisht se u tha që çmimi i tyre do të ishte më i lirë se ai i një bilete autobusi, tarifa e Mobike për është pothuajse njësoj: duhet të paguash 39 lekë për 20 minuta, ndërkohë që me një biletë urbani me vlerë 40 lekë mund të lëvizësh nëpër kryeqytet në distanca që i kalojnë 20 minuta udhëtim.

Për më tepër, tarifat e biçikletave pa stacion rezultojnë më të shtrenjta se ato që ofron e njëjta kompani në disa prej qyteteve më të mëdha të Europës. P.sh. një krahasim i thjeshtë tregon se në Tiranë paguajmë më shumë për minutë sesa paguajnë përdoruesit në Milano apo Firence.

Biçikletat portokalli mund t’i gjurmosh nëpër Tiranë falë aplikacionit që përdoruesit duhet të kenë të shkarkuar në smartfonët e tyre. Që të mund të përdorësh këtë lloj shërbimi, duhet të kesh një llogari në bankë, pasi pagesa bëhet në mënyrë automatike përmes kartës së kreditit apo debitit. Kjo do të thotë se jo të gjithë mund t’i përdorin biçikletat pa stacion dhe ata që nuk arrijnë të kenë akses mund të jenë kryesisht të rinjtë.

Gjithashtu, një nga ankesat më të shpeshta të përdoruesve është mënyra e tarifimit. Qytetarët thonë se pas përfundimit të minutës së 20-të, nëse dëshiron të vijosh ta përdorësh biçikletën portokalli, pagesa 40 lekë bëhet në mënyrë automatike, edhe nëse ti e përdor vetëm disa sekonda. Po ashtu, një përdorues i pakujdesshëm rrezikon të boshatisë llogarinë e tij, pasi nëse nuk e kyç mjetin kur nuk e përdor më, tarifimi vijon edhe pse ai nuk lëviz.  

Pavarësisht se në fillim u premtua se do të ishin 4000 biçikleta, duket se ky numër është ende larg numrit të vërtetë të Mobike në Tiranë.

TemaTv

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.