PD: Veliaj gënjen. Ja dokumentet që provojnë ndërtimin e kullave te Garda e Republikës

Postuar në 27 Gusht, 2018 22:22

Sot kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi se në zonën e Liqenit Artificial nuk do të ketë më ndërtime. Nuk është e qartë se për cilën arsye z. Veliaj e ka dhënë një deklaratë të tillë, por nuk përjashtohet fakti se në prag të zgjedhjeve të reja lokale, ai me gjasë e sheh se kullat që po mbijnë ngado në Tiranë, janë kosto elektorale. Përtej kësaj, deklarata e z. Veliaj sipas Partisë Demokratike, është e pavërtetë. Zëdhënësja e saj, Ina Zhupa ka deklaruar sot se në hyrje të Liqenit Artificial, në zonën e Gardës së Republikës është menduar ndërtimi i kullave.

Sipas dokumentave zyrtare që disponojmë është planifikuar në Planin e Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Tiranë që është miratuar me vendimin nr.1 datë 14.4. 2017  nga Këshilli Kombëtar i Territorit, zona e Gardës së Republikës prej 25 004 m2 , është emërtuar TR169 dhe plani zhvillimor i ka dhënë destinacion zonë për ndërtime të larta.

Në kriteret e vendosura të tipologjisë së ndërtimit për këtë zonë TR169 ku shtrihet oborri i Gardës së Republikës, zona është miratuar me destinacion që do të ndërtohen struktura lineare të gjata që quhen kullë, ku do të ofrojnë shërbime biznesi, banimi, parkingje etj.

Për ta bërë planin efektiv Këshilli i Ministrave me vendimin  Nr. 406, datë 4.7.2018 ka miratuar kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë hapësirën prej 25 004  m2 që ishte pjesë e Gardës së Republikës.

Tani Veliaj e ka rrugën e hapur që mbas fasadës së personit që do bëj Hyrje për Parkun siç e ka quajtur projektin e kullave, të ndërtojë për interesa të mafias së ndërtimit dhe të drogës kulla në tokën publike, në një nga zonat që duhet të ishin të mbrojtura me ligj

tha ajo.

Zhupa ka paraqitur edhe dokumente dhe harta që flasin për atë që pritet të ndodhë në një prej zonave të pakta në Tiranë që i ka shpëtuar betonizimit.

Por pyetja që lind është: a sipërfaqja e Gardës së Republikës e vetmja që do të kthehet në kulla? Për ta kuptuar këtë na duhet të kujtojmë se muajt e fundit në pjesën kufizuese të parkut të Liqenit me bulevardin “Dëshmorët e Kombit” janë bërë operacione të mëdha në blerje objektesh pas të cilave qëndrojnë synimet për kulla. Po kështu Gener 2 ka nisur punën poshtë digës së Liqenit me ndihmën tinzare të z. Veliaj, ndërkohë që do të ishte çudi e madhe që p.sh zona përballë universitetit Filologjik të shpëtojë pa kulla. Ajo që thotë z.Veliaj edhe në qoftë dëshirë e sinqertë e tij pak gjasa ka të jetë e vërtetë apo e mundur, për shkak të interesave që janë në lojë dhe faktit se kullat kanë dashurinë e panegociueshme të kryeministrit të vendit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.