Kusuret e modelit të “liderit të fortë”

Postuar në 26 Gusht, 2018 22:06

Hashim Thaçi është hedhur në ofensivë me disa drejtime. Si paqififikues, si burrë shteti, si politikan por edhe si diplomat. Por ofensiva kryesore e tij është ndaj shqiptarëve, apo atyre shqiptarëve që nuk e përkrahin tezën e tij të korrigjimit të kufijve. 

Përkundrejt shqetësimit legjitim, presidenti i Kosovës nuk preferon të japë ndonjë sqarim real për formulat e tij të paqëndrueshme logjikisht, por ka zgjedhur këmbënguljen e atij që ndjen apo bind veten se po bën histori. 

Kosova do të ruajë frymën multietnike. Por ne duhet të punojmë për të zgjidhur armiqësitë që kanë ekzistuar për 200 vjet. Ne nuk duhet të jemi peng të kufijve të vendosur gjatë Jugosllavisë së Titos. Jugosllavia nuk ekziston më. Kosova ka marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjithë fqinjët e saj, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Shqipërinë. Prandaj, askush nuk duhet të ndjehet i kërcënuar nga një marrëveshje e mundshme ndërmjet Kosovës dhe Serbi

citohet Hashim Thaçi të ketë thënë për gazetën austriake “Der Standard”.

Përkundrejt këtij deshifrimi ne mund të kuptojmë vetëm se kufijtë do të ndryshojnë. Por asgjë më tepër. Nëpër korridore thuhet se Mitrovica do të lëshohet për të marrë Preshevën, por këto janë lajme thashetheme. Nuk është e qartë nëse Thaçi e ka këtë mandat apo jo. Klasa politike në Kosovë ngjan se i ka dhënë atij dakordësinë dhe sot që flasim me gjasë çunaku i sukseshëm austriak, Sebastian Kuz apo edhe Johannes Hahn, kërri i vjetër i kthinave të Brukselit dinë më shumë se çfarë do ndodhë me shqiptarët sesa këta të fundit për veten e tyre. 

Nëse do të lexojmë pak me vëmendje atë që thotë Thaçi ai po vë në diskutim kufijtë administrativë të sanksionuar në ish-Jugosllavi e që sot janë kufij shtetërorë për Kosovë. Por kjo qasje që duket se adrson një përgjigje për kritikët brenda shoqërisë shqiptare në të vërtetë bashkëshoqërohet me disa pyetje: pse z. Thaçi merr përsipër të rishikojë kufijtë në këtë kontekst pa marrë paraprakisht njohjen zyrtare të Serbisë për Kosovën? Mali i Zi dhe Maqedonia mbaruan punë me kufijtë me Kosovën pasi e njohën këtë të fundit dhe duhet të kemi parasysh se demarkacioni me Malin e Zi u imponua në mënyrë poshtëruese nga njerëz si Johannes Hahn. Ai kushtëzoi liberalizimin e vizave. Pse nuk arrin ky politikan i madh si Hashim Thaçi të marrë paraprakisht garancinë e njohjes nga Beogradi që ka në Kosovë minoritetin me të drejtat më të mëdha në botë dhe që arriti të merrte në Shqipëri minoritet në Libofshë? 

Thaçi flet sot në këtë mënyrë jo për shkak të autoritetit që ka në popull apo në arenën ndërkombëtare, por për shkak se njësoj si në Shqipëri ai përfaqëson modelin e liderit me pushtet të akaparuar përmes një mijë e një mënyrave duke atrofizuar modelin kushtetues. Me lejen abuzive të apatisë sonë si shoqëri. Ndaj përpara se të ankohemi për matrapazë të këtillë është mirë të shohim nga vetja pse andej buron pushteti që politikanë të tillë e marrin për ta konvaliduar me normën e interesave të veta pranë ambasadave të huaja. Nuk ka ndonjë sekret ky lloj pushteti i diskredituar por tejet i dëmshëm. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.