Populistët pa komplekse të Italisë

Postuar në 25 Gusht, 2018 16:45
Federico Fubini

Tre vjet më parë, kur zgjedhësit polakë u dhanë nacional-populistëve të Partisë Ligj dhe Drejtësi shumicën më të madhe që nga viti 1989, Adam Michnikkomentoi: “Ndodh që një grua e bukur të humbasë mendjen dhe të shkojë në shtrat me një bastard”.

Që në rini, vetë Michnik ishte përballur me burgjet e regjimit, duke ruajtur të gjallë për shoqërinë polake shpresën për të ardhmen europiane dhe një shoqëri të hapur.

Por kjo shoqëri që sapo iu rikthye liria u hodh në krahët e një fanatizmi provincial, agresiv dhe arrogant. Për më tepër, kjo nuk do të ishte një aventurë e shkurtër, por një bashkëjetesë e gjatë. Edhe pse kjo me Italinë nuk ka lidhje, duket se Michnick dhe elitat tradicionale europiane të Italisë duket se i bashkon e njëjta ironi e historisë. Ata ndihen viktima të një sulmi përgjatë një rruge që e mendonin të sigurt dhe pa alternativa. Në fund të fundit, kështu funksionon gjithnjë. Sovranët gjermanë në vitin 1791 u mblodhën në kështjellën e Pillnitz-it në Prusi, - rrëfen Tocqueville, - dhe vendosën se revolucioni francez ishte “një incident lokal kalimtar”. Ndërsa kur bolshevikët morën pushtetin në vitin 1971, miliona rusë u larguan jashtë vendit, por për vite të tëra qëndruan me valixhet gati. Ata mbanin shpresë se politikat ekonomike leniniste do të rrëzonin shpejt regjimin e ri dhe kjo do t’u jepte mundësinë të riktheheshin në shtëpi.   

Edhe “valixhet” e shumë eksponentëve të botës që qeverisi Italinë në çerekun e fundit të shekullit qëndrojnë gati diku në një cep të mendjes së tyre. Ata janë në pritje që “kënaqësia” e italianëve me “bastardin”, që në këtë rast është qeveria e koalicionit, të zbehet sapo ajo të marrë ndonjë “gjobë” nga Brukseli apo edhe nga tregjet për “drejtim në gjendje të dehur”. Çdo gjë mund të ndodhë. Mund të ndodhë që gjobat të akumulohen, por pasioni i italianëve për qeverinë populiste të shndërrohet në një marrëdhënie të qëndrueshme, ndërsa valixhet e pro-evropianëve emocionalisht të emigruar, të mbeten të mbyllura e të mbulohen nga pluhuri.

Nëse ka një analogji në ditët e sotme mes Polonisë, Hungarisë dhe Italisë, vende të BE-së që drejtohen nga nacionalistë dhe euroskeptikë, ajo është dobësia e opozitës. Të përbashkët këto forca proeuropiane dhe liberale kanë refuzimin për të pyetur veten pse bashkëkombësit e tyre u kanë kthyer shpinën për t’ia besuar veten liderëve pak të arsimuar e të padukshëm për sytë e mediave të huaja që pikërisht këta eksponentët e establishmentit të vjetër lexojnë çdo mëngjes. Ata besonin se do ta drejtonin vendin e tyre drejt një të ardhmeje më të mirë dhe nuk arrijnë ta kuptojnë si është e mundur që pikërisht ky vend nuk i do më. Nuk do të ishte e vështirë të kuptohej kaq gjë, mjafton që të ktheheshin për një moment mbrapa në kohë. Të paktën që nga Traktati i Masstricht-it në vitin 1991, mesazhi i tyre drejtuar italianëve ishte nevoja për të ndryshuar e për t’u përmirësuar, për t’u bërë më të ngjashëm me vetë elitat. Ata duhej të sforcoheshin për t’u ngjarë gjermanëve apo europianëve të tjerë të suksesshëm. Padyshim, kjo mbartte me vete (dhe ruan ende) një logjikë të fortë ekonomike e institucionale, por elitat proevropiane, me vetësigurinë e tyre, nuk kanë humbur kurrë kohë për të vlerësuar terrenin ku shartohej ky presion i vazhdueshëm psikologjik që rëndonte mbi bashkatdhetarët e tyre. Në shoqërinë italiane, edhe në momentet e suksesit, ndjesia e dhimbshme se përfaqësonte një anomali në Europë, ka gjalluar nën sipërfaqe. Edhe kur nuk bëhet fjalë për një kompleks inferioriteti (që elitat proevropiane e ndiejnë të parat te të tjerët), ka një ndjesi të mosqenit si të gjithë të tjerët. Sigurisht, historia nuk mund të fshihet me një të rënë të lapsit, qoftë ky edhe një firmë mbi një traktat europian. Për më tepër jo në një vend që u vonua në bashkim, në modernizim industrial, në demokracinë e plotë dhe tolerancë, dhe sërish vonë dhe në mënyrë të gabuar arriti te ideja e një shteti eficient dhe laik.

Shpresa ishte që pikërisht Europa të ndihmonte në rikuperimin e shkëputjes dhe në pjesën më të madhe të së tërës kjo u bë. Të qenit pjesë e BE-së e ka përshpejtuar në masë të madhe modernizimin, por më pas ndodhën disa gjëra. Më e dukshmja ishte fakti se premtimi për prosperitet ose së paku normalitet, i ofruar nga euroja, nuk u mbajt. Pak rëndësi ka që kjo ka ndodhur, në pjesën më të madhe, sepse politikanët dhe sistemi produktiv nuk kanë pasur kurrë guximin dhe vizionin për t’u përgatitur vërtet për bashkimin monetar, në mënyrë që të shfrytëzonin maksimalisht avantazhet dhe të kufizonin mangësitë. Nga viti 1980 deri në 1998-n, vlera e lirës krahasuar me markën gjermane është më shumë se përgjysmuar dhe kjo tregon sesa punë e vështirë duhej të ishte bërë për të përshtatur vendin me euron në këto 20 vjet.

Italianët e kanë kuptuar thelbin, d.m.th. që premtimi europian u shpërfill. Ashtu si Nino Manfredi në “Bukë dhe çokollatë”, ata e kuptuan se nuk mjafton të kamuflohesh si nordik për t’u bërë vërtet i tillë. Në vitet e fundit, ata e kanë kuptuar se disa nga kërkesat për sakrifica të dhimbshme nga Evropa Veriore nuk ishin aspak në interes të tyre dhe as në atë të ekuilibrit të përgjithshëm europian. Përkundrazi, ato reflektonin perceptimin gjerman për interesin europian apo ndoshta thjesht një etje për konsensus të brendshëm në qeverinë e Berlinit. Ky presion për t’i ngjarë Gjermanisë prodhoi reagime ambivalente. Te kombi lider, ai nxirrte në pah njëfarë narcizizmi, që e rëndonte edhe më tej kompleksin e inferioritetit te ithtarët italianë, pasi distancat shtoheshin në vend që të shkurtoheshin. Një model i largët dhe i paarritshëm krijon veç frustrim. Akoma më keq, italianët shohin se pjesëtarët e elitave proevropiane të cilët nxisnin që gjërat të shkonin në atë drejtim, për arsye të caktuara, bien gjithnjë në këmbë. Ata nuk ndajnë kurrë me popullin fatin e mungesave dhe pasigurive.   

Në këtë pikë hyjnë në lojë Matteo Salvini dhe Luigi Di Maio. Nuk kanë studiuar shumë, nuk pretendojnë se dinë shumë dhe mburren me të kaluarën e tyre të thjeshtë. “Nuk shkoj në palestër dhe nëse shoh një briosh me krem nuk i rezistoj”, thotë Salvini. Ata kanë përgjigjet e gabuara, por pyetjet e duhura (papunësia, pabarazia etj.) Të përkryer në mediokërinë e tyre, të çliruar nga komplekset dhe dëshira për t’i pëlqyer Europës, ata e ngrenë votuesin nga ndjenja e inferioritetit që i detyron të përshtaten me një model superior. Të pushtetshmit e rinj i kanë bindur italianët se janë të lirë, ndihen mirë me këtë, brenda limiteve që kanë, dhe asgjë më shumë nuk pritet prej tyre. Për fat të keq, ky është një iluzion sepse Italia mbetet një shoqëri e padrejtë dhe e bllokuar; demografia në rënie dramatike, emigrimi i të rinjve mbetet hemorragji dhe interesat mbytës të borxhit janë më të lartë se rritja. Italia nuk është mirë kështu siç është. Por përqafimi i anomalive të veta, pa u ndier të gjykuar, mbetet tani për tani, një hakmarrje e jashtëzakonshme.        

*Adam Michnik – historian polak, ish-disident dhe kryeredaktor i “Gazeta Wyborcza” 

/ Corriere della Sera /TemaTv

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.