Kazani i liderëve

Postuar në 20 Gusht, 2018 22:02

Për çfarë demarkacioni e keni fjalën? Ju e dini mirë që ka një linjë administrative të kontrolluar nga KFOR prej afërsisht 20 vjetësh

Kështu është shprehur ndër të tjera sot ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, gjatë një konference për shtyp me homologun e tij ghanez, Shirley Ayorkor Botchwey. 
Pas kësaj deklarate që e cilëson Kosovën vetëm një rajon të Serbisë, Daçiç është pyetur për propozimin e Prishtinës për shkëmbimin e territoreve. Përgjigja e ministrit serb është argëtuese dhe mund të tolerohet vetëm në republika cirku si këto tonat: 

Ne duam zgjidhjen më pak të keqe për të gjithë

Daçiç nuk dallon fare nga kundërpartët e tij shqiptarë. Deklarohet si sovranist i madh, i përmbahet klisheve të zakonshme, por rrugës ia shpërblen kuriozitetin publikut duke lënë të kuptohet për të kundërtën. Të gjithë e dinë rëndësinë e aspektit formal në diplomaci, por tashmë edhe Beogradi ka deklaruar nevojën e një paqeje me shqiptarët. Një paqe e negociuuar do të thotë njohje reciproke e të drejtës për të ekzistuar politikisht dhe mandej kontratë për kufijtë. 

Nga kjo pikëpamje qëndrimi strikt prej teknicieni i Daçiç që thotë se mes Serbisë dhe Kosovës ka vetëm një linjë administrative është një karagjozllëk që nuk shërben për asgjë. Me gjasë as për konsum të brendshëm, pasi kushdo e kupton se vetë negociatat dypalëshe dhe vetë kërkesa serbe për Asosacionin janë premisa të njohjes së shtetit të Kosovës. 

Kjo “dinakëri” diplomatike nuk e përligj veten. Në shoqëri serioze jo e jo, ku e vërteta konsumohet me qytetarët si e tillë dhe jo si asi nën mëngë i një makinacioni që stërzgjatet deri sa të ezaurojë nervat. E njëjta gjë ndodh me palën kosovare, tek e cila kemi një president që merr flamurin e ndryshimit të kufijve, pason një heshtje disa javore, shkruajnë mediat e mandej dalin partitë e tjera dhe kundërshtojnë. Z. Thaçi është binjaku i Daçiçit. Ai flet për korrigjim kufijsh por nuk dëgjon dhe as do të përgjigjet se me çfarë shkëmbehet kjo gjë. 

Kjo nuk është negociatë sovrane. As negociim liderësh që duan të bëjnë histori. Nuk është negociatë sovrane sepse sikundër e bëri të qartë Departamenti Amerikan i Shtetit, të dyja palët “nuk kanë liri veprimi”. Dhe nuk është negociim liderësh sa kohë që e vërteta amballazhohet bashkë me frikën nëpër fraza dhe fjali që përgënjeshtrohen ditë pas dite. Thaçi dhe Vuçiç kanë hapur të detyruar një proces nga i cili varet e ardhmja e tyre politike. Por siç po shihet ata po kërkojnë të blejnë një paqe përfundimtare duke u nisur nga pozicione artificiale nën suazën e garancive të të huajve. Asnjë në Beograd dhe në Prishtinë nuk e thotë se cili është varianti i kufijve, se cila është harta e re e kompromisit.

Kjo është nga ato negociata që e ka të domosdoshme transparencën, pasi pas tyre qëndron paqja ose lufta, ose më së paku stabiliteti. Dhe vështirë se mendësia serbe dhe ajo shqiptare e pranon si konveniente shkëmbimne territoreve. Është thjesht pazari i vjetër me aktorë të rinj, me shitës ambulantë të integrimit, kësaj kinine të shekullit të 21-të.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.