NATO konfirmon zhvillimin e stërvitjes më të madhe që nga Lufta e Ftohtë

Postuar në 17 Gusht, 2018 22:32

NATO pritet të zhvillojë në muajin tetor stërvitjen më të madhe që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Lajmi raportohet nga agjencia gjermane  e lajmeve, Deutsche Welle, sipas të cilës në stërvitjen që nis më 25 tetor do të marrin pjesë 40 mijë trupa të Aleancës përfshirë edhe nga vendet partnere si Suedi dhe Norvegjia.

Vendi i zhvillimit të stërvitjes është Norvegjia, ajo do të drejtohet nga një brigadë gjermane, ndërkohë që lajm më vete përbën edhe fakti se Gjermania do të angazhojë në të 8 mijë trupa. Agjencia thekson disa elementë që i japin kontekstin stërvitjes.

Norvegjia ndan rreth 200 km kufi me Rusinë sikurse dhe një linjë “delimitimi” detar që zgjatet përgjatë detit Barenc dhe oqeanit Arktik

shkruan DW.

Zëdhënësja e NATO-s, Irina Novakova është shprehur se me këtë rast përqendrimi i mjeteve do të jetë në këto përmasa: 120 avionë, 70 anije dhe 10 000 mjete tokësore.

Manovrat Trident kanë si synim praktikimin e aleancës në veprimin e koordinuar dhe në mbrojtjen e popullsisë dhe territoreve tona

citohet Novakova.  

Në stërvitje do të marrë pjesë edhe SHBA dhe Kanadaja, ndërkohë që ajo do të paraprihet nga “aktivitete të avancuara në ujërat islandeze”.

Norvegjia kërkon të testojë konceptin e vet të mbrojtjes, por ajo gjithashtu merr kështu konfirmimin e kërkesave të veta për shtim të trupave të Aleancës në portet e saj në kufi me Rusinë.

Stërvitja është një përgjigje ndaj manovrave strategjike ruse vitin e shkuar në Bjellorusi, të quajtura Zapad dhe të cilat testuan element të asaj që quhet luftë hibride. Në perëndim stërvitja ruse u konsiderua një akt agresioni pasi ajo reflektonte koncepte të reja dhe synime ofensive të Rusisë në kufirin perëndimor të adoptuara dhe testuara paraprakisht në Ukrainë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.