Pasojat nga seksualizmi i jetës publike

Postuar në 16 Gusht, 2018 14:15
Agim Baçi

Kaosi me familjen, dërgimi i artit të vërtetë në periferi të kulturës së sotme dhe nxjerrja në pah e seksualizmit  në gjithë komunikimin modern, ka sjellë pështjellime jo të vogla në përditshmërinë tonë. Sipas një prej vëzhgueseve më të mprehta të këtij kaosi, akademikes dhe profesoreshës në “Filadelfia University”, Camille Paglia, çështja ndërlikohet edhe për shkakun se nuk është lehtësisht i lexuar nga shumica e popullatës, pasi gjithçka rreth këtij kaosi të familjes dhe seksualizmit bëhet në emër të vlerave, kulturës dhe në emër të lirisë.

Paglia, në librin e saj mjaft polemizues “Personazhe seksuale”, vëren me kujdes se agresiviteti, sadizmi, përgjimi pervers i jetës së tjetrit dhe zëvendësimi i erosit me seksualen, po rrezikojnë që në rrënjë familjen e njëkohësisht po zhvendosin debatin mbi mënyrën e të kuptuarit të tjetrit. Paglia sheh me rrezik heqjen e vazhdueshme të kufijve mes gjinive mashkullfemër. Sipas saj, ky zvogëlim apo devijim kufijsh, e sidomos zhbërja e përditshme e figurës së mashkullit, është njëkohësisht pasqyra e shtrembëruar e debatit të sotëm në të gjitha shoqëritë.

“Arsimimi parashkollor është një mjerim. Është shtypës për gjithkënd me energji fizike, posaçërisht djemtë”, shkruante Paglia që në vitet ’80, në një kohë që kjo humnerë që ajo konstatonte sot është zmadhuar edhe më shumë për shkak të përdorimit të gjithanshëm të mjeteve elektronike. Shqetësimi i saj është ngritur më pas edhe nga dhjetëra studime psikologjike e sociologjike të mjaft akademikëve që kritikojnë mungesën e kreativitetit në shkollat e sotme e sidomos projektet që në thelb janë antimashkullore. Sipas psikologëve, zbutja e hendekut mes sekseve, e ardhur në formën e romantizmit, veçse ka dobësuar realisht figurën e mashkullit, e për pasojë i ka dhënë një dorë të jashtëzakonshme kaosit të sotëm familjar.

Por, a ka në Shqipëri debate lidhur me pasojat e seksualizmit të çdo fushe të jetës, e sidomos kthimit të pamjes së femrave vetëm si objekt dëshirash? A kujdesemi ne për modelin e sotëm shkollor e sidomos për nevojshmërinë e kreativitetit te fëmijët? A ka sot studime për shkollat shqiptare se në çfarë orientimi psikologjik i dërgojmë fëmijët me komunikimin e sotëm dhe me spektaklin e gjithanshëm? Në një kohë ku familja është sot në një krizë shumëdimensionale, ku numri i divorceve dhe dhunës është vetëm në shtim, çështja e këtij debati duhet të paraprinte formulimin e teksteve dhe metodikës mësimore e jo të kishim çështje kryesore se kush do i shtypë librat dhe sesi do shiten ato.

Marrja e teksteve të gatshme nga kultura të tjera, pa studiuar rrethanat e shoqërisë së sotme e duke shpërfillur traditën shqiptare, krijojnë një fëmijëri të pasigurt e më pas edhe një rini të dyzuar. E gjendur edhe përballë agresivitetit dhe amorales, e sidomos nevojë për t’iu shmangur anonimatit, rinia e sotme rrezikon të jetë e stolisur vetëm nga denatyrimi i vazhdueshëm

Por duket se, në vend të një debati që ka të bëjë me forcimin e vlerave, ne jemi fokusuar vetëm në çështje minorancash kulturore e seksuale. Por, vallë a mund të jetë tolerant dhe i kuptueshëm një person që ai vetë nuk e di se cili është? Ne kështu, pa guxuar të flasim lidhur me atë që është e shëndetshme dhe e natyrshme për ne, veçse ujisim çdo ditë gënjeshtrën, duke u dhënë hapësirë debateve që shtojnë numrin e viktimave në emër të diskriminimit, por jo debateve që kujdesen për të mbrojtur dinjitetin e atyre që besojnë se janë në të drejtën e tyre për të besuar të familja, te mendimi e që te tjetri, ndryshe nga ai apo ajo, nuk shohin viktimën, por një mik apo mike të mundshme, që duke qenë ndryshe nga ne na jep një hartë më të madhe të botës.

Dhe përballë këtij kaosi, ku debati nuk synon më të vërtetën, por krijimin e një realiteti të ri që bazohet mbi spektakël, a mund të presim që gjërat të rregullohen vetë? “Nëse mbyllim sytë dhe veshët me duar, nuk do të thotë se kemi ndalur kohën, e aq më pak të keqen…”, shkruan shkrimtari i njohur japonez Haruki Murakami në romanin e tij “Kafka në breg”.

Ai përshkruan për zhytjen në detin e së keqes të të gjithë atyre që i mbyllin sytë me shpresën se gjithçka kalon pa pasur nevojë që ata vetë të bëjnë diçka. Është një përshkrim kundër njeriut vëzhgues, që nuk guxon, që shtrihet në shtratin e frikës, që mbulohet me një mbulesë ëndërrimesh me shpresën se e keqja ka thjesht një rrugë të shkurtër dhe se atë “nuk e njeh”.

Por heshtja me atë që po ndodh me fëmijët është një vulë e një krize më të madhe për nesër, nëse ne nuk do të zgjohemi e të debatojmë hapur, duke nisur nga guximi për t’i thënë më së paku se çfarë ka ndodhur në këtë vend

Panorama

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.