"Perlat" e Shqipërisë, si parathënie e betonizimit

Postuar në 07 Gusht, 2018 14:16

Ndiqini me kujdes titujt e mediave që flasin për “perla natyrore” të Shqipërisë. Me kujdes duhen ndjekur edhe materialet që shpërndan kryeministri aktual, i cili e ka për zemër Shqipërinë tonë të dashur, të cilës kërkon t’i shtojë garniturat e veta urbanisitike mbi peizazhin e bukur që i ka falur natyra.

Sepse pas këtyre lavërimeve qëndron patjetër një ide, një projekt, apo më mirë një ambicie biznesi e dikujt që lobon që të blejë vëmendjen e çdo qytetari drejt atyre zonave ku ka ende për të shitur diçka. P.sh shqiptarët mund të kenë kuriozitet të dëgjojnë Samir Manen, “më të pasurin e vendit”, siç e cilësojnë shpesh në media, për biznesin, për menaxhimin, apo edhe për politikat ekonomike. Por dje zotëria doli e u dha mend të gjithëve për bukuritë e natyrës shqiptare. Sipas z. Mane, shqiptarët duhet t’i besojnë atij, pasi është njeri i bredhur dhe t’i besojnë se kudo të shkosh nuk ka si Jali, Palasa dhe Dhërmiu nuk ka. E vërtetë duhet të jetë, pasi z. Mane është ndërtues dhe përfitues në këto zona më shumë se shumë të tjerë. Betoni që mban markën e tij po invadon çdo hapësirë dhe mjedis, të cilin ai vetë ndoshta nuk e ka njohur përpara viteve ’90, ose e ka njohur si vizitor spontan. Dhe me siguri që Palasa, Jali dhe Dhërmiu janë perla e kaluar perlave ku duhet nxituar për të blerë betonin që u hodh, përpara se ky gjoja shtet të kishte mbyllur problemet e pronës dhe të bënte një plan për zhvillimin e turizmit.

Qeveria promovon, qytetarët miratojnë, biznesi lobon dhe ndërton. Jo rrallë edhe me kushte shumë favorizuese, të cilat asnjë qytetar nuk ka shans t’i ketë. Z. Mane p.sh e ka investimin e vet Strategjik, aty ku ka ndërtuar ca vila-kuti prej betoni në një plazh unik të Shqipërisë. Ai shfrytëzon për 6 muaj vijën e plazhit aty me qira më të ulët sesa qeraja e një samari gomari, kuptohet vetëm e vetëm që ne të ndihemi si askush tjetër në këtë botë.

Perla ishin edhe Valbona, Thethi, por aty ka HEC-e dhe ndërtohen lloj-lloj godinash pas të cilave qëndron thuajse e njëta dorë, ose më së paku e njëjta mendësi. Pa pyetur për banorët...

Perlë ka qenë edhe Saranda me Ksamilin, por tani aty të sheh syri një batërdi që mund ta zhbëjë vetëm ndonjë forcë madhore.

Perlë kanë nisur të quajnë edhe Sazanin e shkretë, që ka parë punën e vet në mijëra apo million vjet. I heshtur, i spostuar, pak si me kurriz e mosbesues ndaj tokës përballë. Ziliqar ndoshta ndaj Llogarasë ku retë e dendura kanë folenë e përjetshme. Me siguri Sazani do kishte dashur që ato re të binin shpesh e më shpesh mbi të, ta mbulonin shkëmbin e egër nga sytë e babëzisë dhe ligësisë që me siguri po kurdisin qysh tani batërdinë e radhës.

Shpime, betoniera, ca bojëra, ndonjë rrugë, inaugurim, postim në Facebook, një artikull me titull në habitore, ndoshta edhe ndonjë grup polifonik që e bën këngën aty për aty dhe ja, perla është nxjerrë nga thellësia e viteve për t’u futur në xhepat e të njëjtëve që po shpërfytyrojnë një vend të tërë, por mballosin injorancën e tyre mbi procesin strategjik të krijimit të kapitalizmit shqiptar.

Është kjo ethe, ky banditizëm që ndoshta shpjegon atë shkretim të madh që shohim sot nga historia e Shqipërisë. Ku mungojnë sarajet, kalatë apo edhe shtëpitë e bujarëve, dyerve të mëdha. Një vend ku shihet aty këtu ndonjë rrënojë, ndonjë gur, e ndonjë dëshmi e asaj që dikur ishte aristokracia e një vendi që mesa duket gëlltit e gëlltit për ta zhbërë të pabërën përmes një shkatërrimi asgjësues si ai që e dëshmuam të gjithë në vitin 1997.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.