Një president joserioz, ndaj edhe i rrezikshëm

Postuar në 07 Gusht, 2018 21:54

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka dhënë sot një intervistë për gazetën “Tema”. Në vend se të sqaronte dilemat e krijuara pas propozimit të tij për korrigjim kufijsh me Serbinë, z. Thaçi i ka shtuar ato më tej. Me disa përgjigje standarde që riprodhojnë tam-tamin kuadratik të një zyrtari-diplomat dhe nën monitorim nga të huajt, presidenti Kosovar thjesht ka konfirmuar se teza për ndryshim kufijsh mbështetet edhe nga aktorë ndërkombëtarë dhe se kjo mbështetje është kredenciali i tij kryesor.

Unë po kërkoj që të bëhet korrigjimi i kufinjve në mënyrë paqësore për t’i mundësuar Presheves, Bujanocit dhe Medvegjes të bashkohen me Kosovën. Askush nuk mund ta kundërshtojë një marrëveshje që arrihet në mënyrë paqësore. Rastet e tilla te korrigjimit të kufinjëve në mënyrë paqësore kemi anekënd botes. Vetëm dy vite me parë, Belgjika dhe Holanda pa shkrepur asnjë plumb, korrigjuan kufirin e tyre në mënyrë paqësore. Pra “Kutia e Pandorës” në asnjë rrethanë nuk mund të hapet në Ballkan, në rast se marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, arrihet në mënyrë paqësore

thotë ndër të tjera z. Thaçi.

Mirëpo Belgjika dhe Holanda janë vende me një histori të gjatë bashkëpunimi, ato janë anëtare të OKB-së dhe të BE-së dhe përmbi të gjitha ato kanë konsumuar ciklin historik ku kufiri, apo retifikimi i tyre përbën shkak për luftë. Një tjetër shembull edhe më domethënës që lidhet me stadin e zhvillimit është Gjermania, e cila ka hequr dorë nga rishikimi i kufijve të pas Luftës së Dytë Botërore, ndonëse ato e zhvendosën kufirin në perëndim dhe i dhanë fund çështjes së pakicave gjermane në Çeki, e sidomos Poloni.

Problemi më i madh me z. Thaçi është se ai njësoj si thuajse të gjithë politikanët shqiptarë nuk është serioz. Dhe të mosqenit serioz e bën atë të rrezikshëm. Ja një shembull sesi presidenti i Kosovës është i papërgatitur të flasë në emër të shqiptarëve apo edhe kosovarëve për çështje të këtilla.

Qytetarët e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjes e kanë shprehur vullnetin e tyre në mënyrë demokratike nëpërmjet referendumit te organizuar ne vitin 1992. Vullneti i tyre politik është i qartë: ata duan t’i bashkangjiten Kosovës

thotë Thaçi, i cili mandej shton edhe tezën kundërlogjike:

Unë luftoj dhe mbroj interesin e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Unë nuk ja qaj hallin Serbisë, në asnjë rrethanë.  Mirëpo në një skenar të tillë hipotetik përgjigjia ime do të jetë “Jo”!

Pra z. Thaçi kërkon zgjerimin territorial të Kosovës, kërkon ta shtrojë këtë në diskutim me Serbinë, por ai thotë se do të kundërshtojë çdo kërkesë serbe për kompensim.

Pyetja që mund të shtrohet këtu është: cila është ajo palë e barabartë në negociata – siç thotë z. Thaçi se është Kosova me Serbinë – që do të pranonte një propozim të tillë pa kërkuar diçka? Si negociator në process, z. Thaçi e di shumë mirë se kjo qasje nuk ka rezultat, porse ajo vetëm sa synon të legalizojë tezën e shkëmbimit të territoreve në kushtet eventuale të një ngërçi të doialogut mes të dyja palëve.

Kjo është e tepërt edhe për cirkun e karagjozëve politikë të Ballkanit. Kjo është e tepërt madje edhe për ftohtësinë e dështakëve të Brukselit, të cilët pasi promovuan shoqërinë multietnike, sot sugjerojnë poshtë tavolinës shtete dhe kufij etnikë. Apo pranojnë të vihen para faktit të kryer nga politikanë që i shiten "blerësit më të parë".

Dredhia e hedhur për diskutim sipas të cilës “unë respektoj Kuvendin e Republikës së Kosoves dhe jam i sigurt që të gjitha grupet parlamentare e përkrahin propozimin tim që Presheva, Bujanoci dhe Medvegja t’i bashkangjiten Kosovës”, është thjesht dhe vetëm një mënyrë për pompuar pozën nacionaliste të z. Thaçi në një diskutim që nëse miratohet në parim, do të hapë mundësitë për të manovruar në procesin e korrigjimit të kufijve me Serbinë.

Në të vërtetë nuk është ndarja e kufirit me Serbinë, apo rishikimi i tij ajo që është problem në vetvete. Problemi real është se kjo ndarje po bëhet në mënyrën më të pandershme të mundshme, kur një njeri i vetëm me mbështetje informale të perëndimit, i jep vetes autoritetin e dikujt që vendos lapsin në hartë, pasi ka blerë heshtjen e thuajse të gjithë aktorëve politikë në Kosovë.

Është jo pa rëndësi të shihet se kjo çështje më së shumti po diksutohet në Shqipëi, ku të gjithë po prononcohen përveçse qeverisë së z. Edi Rama. Dhe kjo sjellje vetëm sa zbulon një taktikë që synon matjen e pulsit, lodhjen e opinionit dhe aklimatizimin e tij me idenë se kufijtë nuk janë të paprekshëm. Thuhet se sovraniteti buron nga populli, por kjo është ndoshta gënjeshtra më efektive në krijimin e iluzioneve të këtilla. Sovraniteti në shtete të dështuara si Shqipëria dhe Kosova buron nga konsullatat dhe ambasadat dhe zhigolotë e politikës vendase që është e aftësuar në lloj lloj akrobacish diplomatike bzantine që mandej i shesin arritje historike. Duhet thënë edhe se Kosova si shtet është eksperiment i dështuar edhe për shkak të korrupsionit dhe krimit që përfaqësohet edhe nga njerëz politikë si z. Thaçi të cilët pasi kanë uzurpuar çdo gjë sot flasin sërish në emër të kombit.

Çdo korrigjim kufijsh do të aktualizonte tezën e bashkimit me Shqipërinë, qoftë ky edhe në një formë konfederate dhe diçka e tillë do të përmbyste çdo ekulibër demografik të brendshëm, i cili nuk mund të kalojë kaq lehtë sa e mendojnë davaxhinjtë e Tiranës dhe të Prishtinë. Frerët e këtij procesi i komandon tjetër kush. As Hashimi dhe as Edi. Ndaj edhe surprizat e hidhura nuk përjashtohen.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.