Thirrje për bashkëqeverisje edhe nga Presidenti?

Postuar në 03 Gusht, 2018 23:01

Gjatë një vizite në Shkodër Presidenti Ilir Meta u prononcua edhe për situatën politike në vend dhe specifikisht për marrëdhëniet mes qeverisë dhe opozitës.

Prononcimi i tij përforcon një axhendë që parashtron si zgjidhje një pakt të ri politik mes dy kampeve politike, në funksion të integrimit Europian të vendit.

Diçka ndoshta e njgjashme me 17 Majin, por me artificet e nevojshme për ta paraqitur si një arritje të re në kulturën Demokratike të vendit. I pyetur për përplasjet mes PS e PD, Ilir Meta thotë se kjo situatë e çon qeverinë aktuale dhe vendin në një tjetër dështim të hapjes së negociatave vitin që vjen.

"Pa diskutim që kjo është një frymë që nuk u shërben proceseve të vendit dhe nëse do të vazhdohet në këtë mënyrë absolutisht që nuk do të ketë çelje të negociatave në qershorin e ardhshëm"-thekson Meta. Presidenti flet për dialog dhe reflektim, pa referuar ndonjë model se çfarë nënkupton ky sugjerim i tij. Për më tepër që kjo deklaratë vjen pas ofertës së mazhorancës për një platformë bashkëpunimi me opozitën.

"Duhet të bëhen përpjekje shumë të mëdha për të rivendosur dialogun. Duhen bërë përpjekje nga të dyja palët, por në qoftë se opozitës i kërkohet të bëjë një hap, mazhorancës gjithmonë i kërkohet të bëjë dy hapa sepse ajo ka përgjegjësi edhe më të madhe përsa i takon vendit dhe qeverisjes dhe drejtimit të tij. Shpresojmë që pas pushimeve të ketë një reflektim, për ndryshe dy muaj kanë ikur që nga vendimi i qershorit, kështu mund të ikin dhe dhjetë muaj të tjerë"- deklaroi presidenti.

Lulzim Basha ka shprehur një qëndrim mbi mundësinë e bashkëpunimit me mazhorancën duke thënë Kurrë më koalicion me Edi Ramën. Por kjo përgjigje nuk përjashton një qeveri Integrimi me pjesëmarrje të opozitës dhe kushtin që kryeministër të mos jetë Edi Rama. Në këtë mënyrë edhe qëndrimi i Bashës interpretohet kollaj nesër si refuzim ndaj Edi Ramës dhe jo socialistëve që duan integrimin e vendit.

Ilir Meta nuk përjashtohet të jetë kumbari i një pazari të dytë të mundshëm mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës. Deri tani Edi Rama nuk ka bërë asnjë koment ndaj vendimeve të tij për mosdekretimin e ligjit për Teatrin dhe atë për Tatimin mbi të Ardhurat.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.