Reagime në Greqi pas zhvendosjes nga burgu i Korydalos të vrasësit kryesor të organizatës 17 Nëntori

Postuar në 04 Gusht, 2018 12:18

Ka provokuar reagime të shumta në Greqi vendimi i qeverisë për të zhvendosur drejt burgut të Volosit, vrasësin e organizatës “17 Nëntori”, Dimitris Koufodinas. 
Ai ka lëvizur nga burgu i sigurisë së lartë në Korydalos drejt një burgu të hapur, ku lejohet puna në bujqësi, në Volos. Opozita greke e cilëson këtë vendim si shenjë tjetër se qeveria e radikalit të majtë Alexis Tsipras nuk ka respekt për viktimat e terrorizmit, por gazeta konservatore “Kathimerini” shkruan se lëvizja drejt Volos nuk ka shanse që të sjellë reduktim dënimi për shkak të punës për Koufodinas. Kjo për arsye se ky i fundit është dënuar me disa burgime të përjetshme, si organizatori i vrasjeve dhe goditjeve të ndërmarra nga 17N. 
 Ministri i Drejtësisë, Stavros Kontonis ka deklaruar se lëvizja është pjesë e një plani që synon kthimin e Korydalos në një burg për të pandehur qe presin gjykimin. Sipas tij nuk do të ketë asnjë lloj lehtësimi, por këto deklarata nuk kanë bindur. Mes personave që kanë reaguar ka qenë edhe ish-ministrja e Jashtme, Dora Bakoyannis, bashkëshorti i së cilës, Pavlos Bakoyannis u ekzekutua nga organziata në vitin 1989. 

Një tjetër reagim ka ardhur nga Departamenti Amerikan i Shtetit që ka kujtuar se Koufodinas është përgjegjës për vrasjen edhe të shtetasve amerikanë. Ndonëse u likujdua në vitin 2002, për shkak të arrestimit të një anëtari të plagosur, 17N mbetet një emër që krijon debate në Greqi. Organizata u krijua në vitin 1975 nga një ish-mësues matematike, Alexandros Giotopoulos, djali i Demetris Giotopoulos, sekretar i Leon Trockit. Ajo mori shtysë nga zhvillimet e vitit 1973 kur Junta e Kolonelëve shtypi protestën e studentëve të Politeknikut të Athinës. E orientuar drejt ekstremit të majtë, 17N nisi karrierën me vrasjen e drejtuesit të stacionit të CIA-a në Athinë Richard Welch për të vijuar mandej me një seri aktesh, sulme ndaj pronës dhe shpërthime eksplozivi gjatë të cilave mendohet kanë mbetur të vrarë 23 persona.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.