Koha e mballomave për Pronën (Video)

Postuar në 31 Korrik, 2018 16:55

Të gjithë e mbajnë mend kapardisjen e kryeministrit për prishjen e ndërtimeve në Himarë dhe përgjigjen flakë për flakë të ministrisë së Jashtme ndaj Greqisë për mosndërhyrje në punët e brendshme.

Madje u dol me deklaratë ku thuhej se “sundimi i ligjit është në interes të të gjithë qytetarëve të Shqipërisë, qofshin shqiptarë, përfaqësues të pakicës greke apo pakicave të tjera pa dallim, përjashtim apo diskriminim” . Kësaj katrahure i kishte paraprirë edhe shembja e kishës së Shën Thanasit në Dhërmi, e shoqërur kjo ndërhyrje me një fjalim të kryeministrit që paralajmëronte kthimin e kësaj kishëze në një vend pelegranazhi për “martirin” kataolik Catalano.

Pendët e qeverisë nisën të bien pas ankesave të Greqisë në BE për të shkeljen e të drejtave të pronësisë të pjesëtarëve të minoritetit grek dhe nevojës që kishte Tirana për të arritur një marrëveshje me Athinën përpara vendimit për çeljen e negociatave. Qeverisë shqiptare i është bërë e qartë nga Brukseli se nuk do të kalojë asnjë derë nëse nuk rregullon çështjen e pronave dhe për këtë u angazhua personalisht edhe Romana Vllahutin në disa takime në jug të vendit.

Problemet me zbatimin e ligjit për prishjen e ndërtimeve dhe shpronësimin publik janë pasqyruar edhe në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit ku thuhet se “ka pasur raportime të besueshme që qeveria shkatërroi disa shtëpi pa proces të rregullt ligjor si pjesë e një fushate më të gjerë për shembjen e ndërtimeve pa leje dhe ku pronarët e pronave të shembura kanë marrë kompensime me çmime shumë të ulëta dhe në disa raste kanë përfunduar si të pastrehë"

Së fundmi dy ministra të qeverisë inaguruan një zyrë rajonale të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Dhërmi duke folur për një fazë regjistrimi fillestar të pronave në këtë zonë të bregdetit. Çfarë nënkupton regjistrimi fillestar këtë e dijnë vetëm Etilda Gjoni dhe Damian Gjiknuri që ashtu si Romana Vllahutin po arnojnë ç'të mundin për të bindur Brukselin se qeveria ka reflektuar për të drejtën e pronës. Natyrisht edhe kryeministri.

Këtë të martë doli edhe kryeministri për të thënë se në shtator merr rrugë ideja e qeverisë për të shkrirë në një institucion të vetëm zyrat e Hipotekave, Aluiznit dhe Agjencisë së Kthimit të Pronave. Kryeministri Rama tha se brenda këtij institucioni do të ketë edhe një strukturë apelimi për qytetarët.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.